Kulla e Sahatit
Text size
Kulla e Sahatit të Tiranës filloi të ndërtohej nga Haxhi Et’hem Beu në vitin 1822 dhe përfundoi me kontributin e familjeve të pasura të Tiranës. Fillimisht, lartësia e kullës ka qenë 30 m dhe sahati përbëhej nga mekanizmi i kurdisjes dhe një kambanë tunxhi, numri i të rënave të së cilës tregonin orën sepse fushë dhe akrepa nuk kishte. Montimi i saj u bë nga familja Tufina, e përmendur në lidhje me orët. Në lartësi të caktuara u pajis me frëngji të vogla për ajrim, ndriçim dhe mbrojtje.
Në vitin 1928, Kulla ndryshoi formë dhe mori pamjen që ka sot. Ajo u lartësua 5 metra më shumë duke arritur në 35 m, u bë ballkoni, u montuan 4 fusha orësh me akrepa dhe u vendos një çati e tipit venecian. Në kuadrin e modernizimit të Tiranës shteti shqiptar bleu në Gjermani një orë të kohës.
Duke qenë se kulla ka shoqëruar zhvillimin e qytetit kjo u reflektua dhe në pamjen e saj ku gjysma e parë është e stilit osman, gjithë pjesa e gdhendur me gurë, kurse nga ballkoni e sipër është e stilit perëndimor.
Në vitet ’30, Kulla u ndriçua për herë të parë natën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u dëmtua, por u riparua në korrik të vitit 1946. Deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Pjesa e poshtme e ndërtuar me muri guri të trashë ka pasur shkallë të drunjta që të ngjitnin në ambientet e sipërme. Gjatë ndërhyrjeve restauruese shkallët e drunjta janë zëvendësuar me shkallë metalike.
Kulla e Sahatit është simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës dhe së bashku me Xhaminë e Et’hem Beut formon një ansambël arkitekturor unik.
Rruga 28 nëntori