1 ditë në Tiranë
Nëse na vizitoni për një ditë, ju sugjerojmë një plan. Shijoje!
Mund të filloni nga Sheshi “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit. Ecni rreth këtij sheshi dhe ju mund të shihni përreth tij Pallatin e Kulturës, monumentin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Bankën e Shqipërisë dhe Muzeun Historik Kombëtar. Ju mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar për vetëm 500 Lek, ky muze flet për historinë e Shqipërisë nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Në anën e majtë të Sheshit “Skënderbej” mund të gjeni Kullën e Sahatit që është ndërtuar në 1822 nga Haxhi Et'hem Beut, i njëjti person që ndërtoi dhe xhaminë pranë saj. Nga Kulla e Sahatit ju keni një pamje fantastike të qytetit. Më pas, mund të ecni për 1 minutë përgjatë ndërtesës së Bashkisë së Tiranës për të gjetur Bunk'Art 2. Një bunker i ndërtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që tregon historinë e policisë dhe xhandarmërisë gjatë periudhës së komunizmit. Duke ecur drejt ju shkoni direkt në pedonalen të quajtur "Murat Toptani" ku gjendet kalaja e Tiranës dhe brenda mureve të saj është krijuar së fundmi një zonë e re rekreative për kryeqytetin. Kjo zonë pedonale shërben si një mjedis ku promovohen artizanët dhe traditat lokale, kulinaria dhe arti i Tiranës. Gjithashtu ju mund të shihni Galerinë Kombëtare të Arteve, instalacionin "Reja". Në bulevardin Dëshmorët e Kombit vihet re lehtësisht një ndërtesë me një arkitekturë shumë interesante siç është Piramida e Tiranës, ajo është ndëtuar për të qenë një muze për diktatorin Hoxha dhe tanimë po shndërrohet në një hapësirë për Edukimin dhe Teknologjinë digitale. Duke ecur përgjatë Bulevardit kryesor po në krahun e Piramidës mund të shihni instalacionin më të ri në kryeqytet të quajtur “La Radura”, vepër e arkitektit italian Stefano Boeri si një koncept të ri për hapësirat publike.
Në Rrugën e Dibrës gjendet “Shtëpia Studio Kadare” – apartamenti ku shkrimtari i njohur jetoi e punoi nga viti 1974 deri në fillim të viteve ’90 në Tiranë, është e vizitueshme për këdo që do të njihet në mënyrë pak më intime me jetën e autorit.
Pazari i Ri i vendosur afër qendrës së qytetit ka funksionin e një tregu normal me produkte ushqimore dhe fruta perime por është gjithashtu edhe një qendër rekreative ku zhvillohen aktivitete rinore.
Duke ecur rreth qytetit ju mund të shihni në lagje vila të ndryshme të vjetra, me arkitekturë interesante dhe që tregojnë periudhat tranzitore në të cilën ka kaluar Tirana. Si përshembull Shtëpia e Sali Shijakut një nga vilat më të vjetra në Ballkan ose “Shtëpia me Gjethe”, një ndërtesë e përdorur gjatë periudhës së komunizmit për përgjimet sekrete të Sigurimit të Shtetit dhe tanimë i shndërruar në muze kombëtar. Ai u kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.
Përballë “Shtëpisë me Gjethe” mund të gjeni Katedralen Ortodokse "Ringjallja e Krishtit" dhe për të treguar harmoninë fetare në vend ju mund të shikoni në të njëjtën rrugë kisha dhe xhami të vizitueshme për këdo që dëshiron.
Lagjia më e modës në Tiranë është padyshim Blloku, ku do të gjeni një larmishmëri baresh. Ju thjesht mund të zgjidhni të pini diçka ose të kërceni nën ritmet e muzikës moderne. Zona e Bllokut njihet për vila të përdorura nga qeveria gjatë periudhës së komunizmit, një lagje ku nuk lejohej që qytetarët të shkonin pa patur një leje hyrje. Kjo zonë e shndërruar në lagjen më të vizituar të Tiranës për gjallërinë që ka, shfaq edhe elementë të tjerë interesantë si vila e diktatorit Enver Hoxha e cila është ende e paprekur.
Një nga vendet më të qeta të Tiranës është Liqeni Artificial, ku do të ndiheni të relaksuar me të vërtetë dhe do të keni mundësinë për të përdorur biçikletën tuaj, për të ecur ose për të pirë kafe në natyrë.
Nga Liqeni Artificial është e lehtë për të ardhur në sheshin “Nënë Tereza” dhe duke ecur përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ju mund të gjeni atraksione të ndryshme si: Ndërtesa e Universitetit Politeknik (Ish Shtëpia Fashiste), Stadiumi “Air Albania” i rindertuar mbi stadiumin e mëparshëm, Pallati i Kongreseve,Presidenca, COD-i,Memoriali Post block, Parku “Rinia" ku krijohet mundësia e argëtimit te Bowling Spare Time i ndodhur në kompleksin Tajvan pranë këtij parku.
2 ditë në Tiranë
Mozaiku i Tiranës është një nga monumentet më të vjetra të zbuluara në Tiranë, i cili mendohet të këtë qenë pjesë e një shtëpie romake të ndërtuar në shekullin e 3-të pas Krishtit.
Pas vizitës së mozaikut të Tiranës ju mund të zgjidhni të kaloni një gjysmë dite në Malin e Dajtit. Ju mund të shkoni atje me teleferik nga qendra e qytetit me autobusin e Porcelanit (Nr 11) për rreth 20 minuta. Autobusi ndalon 2 minuta larg nga teleferiku. Parku Kombëtar i Dajtit ka një natyrë të mrekullueshme, ju keni shumë mundësi; për të ecur në natyrë, për të ngrënë një vakt tradicional ose për të vizituar parkun e aventurave të Dajtit. Në ballkonin e Dajtit është e mundur gjithashtu të bëni hedhjen me parashutë për personat që e duan aventurën.
Bunk'art 1 është një nga atraksionet më të rëndësishme në Tiranë dedikuar viktimave të regjimit komunist dhe ndërtuar në dhomat e një bunkeri të vjetër dhe të ftohtë. Pothuajse 3000 metra katrorë nën tokë me më shumë se 100 dhoma, ky bunker mbeti një sekret për ekzistencën e tij deri më sot. Ai tashmë është një muze arti bashkëkohor. Për të shkuar atje nga qendra e Tiranës, merrni autobusin e Porcelanit, për vetëm 40 Lek, prapa Pallatit të Kulturës në Sheshin “Skënderbej”dhe kërkoni nga shoferi që t'ju lërë jashtë Bunk'Art 1. Bunk’Art 1 është i pozicionuar afër teleferikut Dajti Ekspress, kështu që ka mund të kombinoni vizitat në këto atraksione.
Nëse kërkoni argëtim mund të rezervoni te Latitude i ndodhur te Mbikalimi i Unazës së Re. Ky është një park ajror i brendshëm i kompletuar me trampolina, zonën e ngjitjes dhe lojra ajrore për t’i shtuar sa më shumë aventurë dhe adrenalinë aktiviteteve tuaja së kohës së lirë.
3 ditë në Tiranë
Ju mund të vizitoni Kalanë e Petrelës që ndodhet 15 km në juglindje të Tiranës, në një kodër shkëmbore. Që nga antikiteti, kjo kështjellë ka kontrolluar rrugët ekonomike dhe ushtarake të rëndësishme të vendit siç është rruga Egnatia (dega e Durrësit - Tiranë – Elbasan). Mund të merrni autobuzin nga terminali i Juglindjes dhe për 20 minuta gjendeni tek Sheshi Mamica në qendër të Petrelës. Ju mund të zgjidhni të hani një drekë në restorantin që ndodhet në kalanë e Petrelës ku pamja është fantastike ose të bëni ecje nga Kalaja e Petrelës në Vendbanimin Antik të Persqopit fortifikimi më i lartë i ruajtur në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe Varri Monumental që i perket periudhës se IV – III para Krishtit.
Disa nga atraksionet që shfaqin interes më së shumti dhe janë lehtësisht të aksesueshme janë Shpella e Pëllumbasit në Bërzhitë. Ku mund të shkoni deri në fshatin Pëllumbas me autobus e më pas të ecni në natyrë deri tek shpella ku pamja është shumë e bukur dhe relaksuese. Shtegu është i markuar dhe tabelat ndihmojnë që të gjeni lehtësisht rrugën.
Syri i Ciklopit, pjesë e njësisë administrative Krrabë është një atraksion në luginën e lumit Erzen. Aty gjendet një liqen me ujë kristal në formë e zemrës ku mund laheni ose të shijoni freskinë e natyrës.
Ndërsa nëse jeni adhurues i biçikletës, Liqeni i Farkës dhe ambjenti përreth të krijon mundësi të shumta dhe është shumë pranë Tiranës.