Prejardhja e emrit Tiranë mendohet në disa variante nga autorë të ndryshëm. Varianti i parë që merret në konsideratë është se emri Tiranë vjen nga kështjella Tyrkanos që mendohet të këtë pasur vendndodhjen në afërsi të Tiranës. Një variant tjetër vjen nga latinishtja “tyros” dhe greqishtja “turos” që nënkupton një vend bulmeti. Kjo hipotezë mbështetet nga burimet historike sipas të cilave ilirët (si banorë të kësaj zone) ishin blegtorë të zotë dhe djathi i deles i përgatitur nga ata ishte shumë i përmendur dhe jashtë vendit. E më pas vijojnë dhe variantet e tjera që mendohet se emri është vënë nga Sulejman Pasha por këto variante bien poshtë për vetë faktin sepse emri Tiranë është përmendur dhe para vitit 1614.
Mendohet se elementët e para të mirëfillta të një jete urbane në Tiranë fillojnë me Mozaikun e Tiranës pranë krojeve të Shëngjinit në jugperëndim të Tiranës, pjesë e të cilës më vonë u bë dhe kisha e Gjon Pagëzorit. Nga gërmimet e kryera në 1972 në territorin ku sot gjendet Mozaiku u gjenden elementë të cilët mendohet se i përkasin shekullit të I e.s si një banese e tipit rural (vila rustica). Në shek. III e.s vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rustica (pjesa prodhuese e vilës). Më vonë në kishën e krojeve të Shën – Gjinit, që ndodhej në zonë fushore, mendohet se Skëndërbeu bëri dasmën e martesës së tij me Donika Muzaka. Varrezat e para katolike mendohet se ishin po në të njëjtën zonë.
Në periudhën e hershme bizantine, shek. IV – VI e.s mendohet se janë shekujt që i përkasin ndërtimit të fortifikimit kryesor ne Tiranë, Kalasë së Tiranës. Gjatë gërmimeve të kryera në vitet 2001 dhe 2008 mendohet se kalaja i përket njërit prej fortifikimeve të ndërtuara ose të rindërtuara në provincën e Durrësit ku përfshihej dhe Tirana nga Perandori Justinian në Epirin e Ri. Një pjesë e mureve rrethuese që shihen sot mbi tokë i takojnë ndërtimeve të shekujve të fundit, të cilat janë ndërtuar nga Ahmet Pashë Bargjini në gjysmën e dytë të shek. XVIII mbi rrënojat e kalasë së vjetër. Në vitin 1798 ra në duart e familjes Toptani nga Kruja. Gjatë kësaj periudhe kalaja u shndërrua në objekt të luftës shumëvjeçare të zhvilluar midis Toptanasve dhe sunduesve Bushatllinj të Shkodrës. Në vitin 1817 ajo përjetoi një rrethim pesë mujor, i cili pati pasoja të rënda jo vetëm për kalanë por edhe për një pjesë të madhe të qytetit. Pas bombardimit u rindërtua pjesërisht nga Toptanasit por nuk pati jetë të gjatë sepse në vitin 1832 ajo u shemb me urdhër të Vezirit të Madh, Mehmet Reshit Pasha, i cili urdhëroi prishjen e të gjitha kalave. Sot ruhet një pjesë e murit verior dhe trakte në anën jugore të saj, e cila ndërthuret këndshëm me infrastrukturën përreth.
Ra një heshtje rreth Tiranës si qendër urbane deri në shekullin e XII në periudhën anzhuine ku qyteti administrohej nga një konsull anzhuin.
Emri Tiranë përmendet disa herë edhe në dokumentet venedikase, ndërsa Barleti, historiani i Skënderbeut, flet për “Tiranën e madhe“ duke e përshkruar si një fushë midis Krujës dhe Petrelës, në truallin ku sot shtrihet kryeqyteti. Në Tiranën e madhe Skënderbeu mendohet se vendosi pjesën më të madhe të ushtrisë meqënëse ky vend ishte më i përshtatshëm për të ngritur çadrat e kampit të ushtrisë së tij.
Historia e qytetit të Tiranës si qyteti i sotëm fillon në vitin 1614 kur Sulejman Pashë Bargjini, një feudal i pasur nga fshati Mullet ndërtoi katër objekte: xhaminë, hamamin, furrën e bukës dhe hanin të cilat u bënë bërthama e qytetit të ardhshëm. Aktualisht të vetmen gjurmë të rithemelimit të qytetit kemi varrin e Kapllan Pashës. Tirana përshkruhej si një qytet shumë i bukur, me ngjyra shumë të gjalla, mes ujërave dhe gjelbërimit. Për Tiranën është shkruar shumë, si një qytet me një jetë të zhvilluar. Xhamitë e Tiranës konsideroheshin elegante dhe shumë artistike në dekoracionin e tyre të brendshëm.
Në 11 shkurt të vitit 1920, në Kongresin e Lushnjës, Tirana u vendos të bëhej kryeqyteti i përkohshëm i Shqipërisë, por statusin e saj përfundimtar si kryeqytet e mori në 31 janar 1925.
Viti 1924 ishte periudha e ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut dhe në 1925 vendoset plani rregullues i qytetit të Tiranës dhe për këtë zgjidhet një arkitekt italian Armando Brasini nga Roma. Një asamble kushtetuese e zgjedhur në gusht 1928, e shpalli Shqipërinë Mbretëri Demokratike dhe në të njëjtin vit hyri në fuqi Kodi i Ri Penal dhe në 1929 Kodi Civil Shqiptar.
Në fillim të Luftës së Dytë Botërore Tirana u bë shumë shpejt qendër e rezistencës antifashiste. Në 8 nëntor 1941 u themelua Partia Komuniste Shqiptare nga mbledhja e grupeve komuniste. Beteja për çlirimin e Tiranës është ndër më të përgjakshmet në Shqipëri. Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944 pas 19 ditë e netë lufte, Tirana u çlirua.
Më pas Shqipëria kaloi në orbitën Staliniste dhe solli ndryshimet e para në pamjen e Tiranës duke i dhënë hije sovjetike objekteve në Tiranë. Tirana u quajt kryeqyteti i Kongreseve sepse organizimi i tyre bëhej 1 herë në 5 vjet dhe merrnin pjesë delegatë nga gjithë vendi. Ambjentet ku ato zhvilloheshin sot janë atraksione të rëndësishme të qytetit si: Universiteti i Arteve, Pallati i Kulturës, Pallati i Kongreseve.
Sot, Tirana është një qytet që rritet dhe ndryshon përditë dhe është qendra e jetës politike dhe administrative e Shqipërisë ku janë vendosur pothuajse të gjitha institucionet shtetërore. Në Tiranë janë të vendosura po ashtu të gjitha përfaqësitë diplomatike të shteteve me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike dhe ajo gjithashtu është qendra më e madhe e edukimit në vend.
Tirana është një qytet i mbushur me hotele, restorante, bare, pub-e, qendra rinore dhe artistike, që mundësojnë një jetë aktive dhe kulturore të shumëllojshme për vendasit dhe të huajt që vizitojnë Tiranën. Gjithashtu Tirana është një qendër aktivitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare të rëndësishme, si seminare, konferenca, festivale, spektakle etj, që e bëjnë një qytet tashmë të njohur dhe të hapur me botën.
Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë
Në nëntor të vitit 2019, Tirana u shpall fitues i çmimit “Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022”. Me sloganin Activate, që udhëheq programin e kryeqytetit rinor, synohet nxitja e shpirtit të aktivizmit tek të rinjtë, pjesëmarrja e tyre në vendimarrje, ndezja e potencialit rinor në kryeqytet. Marrja e këtij çmimi e vendos Tiranën në qendër të aktiviteteve, projekteve dhe programeve me fokus rininë dhe organizatat rinore.
Tirana është shndërruar në qytetin që nuk fle kurrë. Kulturë, aventurë dhe jeta aktive e natës janë kryefjala e metropolit shqiptar.
Tirana – Qyteti Evropian i Sportit 2023
Në janar të vitit 2023 Tirana u shpall zyrtarisht “Qyteti Evropian i Sportit”. Mes 30 qyteteve të tjera që ishin në garë, Tirana arriti që të fitojë titullin “Qyteti Evropian i Sportit 2023” i cili u jepet një sërë qytetesh evropiane nga Platforma Evropiane për Inovacionin e Sportit. Tirana ka prodhuar kampionë Evrope, kampionë bote dhe kampionë Ballkani.Ky titull i ka dhënë një fokus të veçantë veprimtarisë sportive në kryeqytet me aktivizimin e të gjitha grup moshave po sidomos aktivizimin e të rinjve, nxënësve të shkollave dhe studentëve.
Bibliografia:
1. Kristo Frashëri - “Historia e Tiranës” - Vol. I, Tiranë 2004
2. Dom Mark Dushi - “Tirana dhe rrethinat e saj” - Tiranë 2005
3. Artan Shkreli - “Zhvillimi i qytetit të Tiranës” - Tiranë 2016
4. Fatos Baxhaku, Ben Andoni - “Çelësi turistik i Tiranës” - Tiranë 2018