Koordinator: Z. Dorian Rexhepi
Adresa postare: Bashkia Tiranë, Sheshi Skënderbej, Nd.2, Kodi postar 1001, Tiranë, Shqipëri
Adresa elektronike: [email protected]
Orari i punës: 08:00 – 16:00
Kompentencat
Koordinatori i njoftimit dhe konsultimit publik, është përgjegjës për bashkërendimin dhe administrimin e përgjithshëm të punës për garantimin e së drejtës së njoftimit e të konsultimit publik, të parashikuar nga ligji Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”.
Mënyrat e njoftimit dhe marrja e komenteve dhe rekomandimeve
Njoftimi për projektaktet që i nënshtrohen procedurës së konsultimit publik bëhet nëpërmjet regjistrit elektronik. Në rastet kur organi publik e konsideron të nevojshme, njoftimi mund të kryhet edhe në një apo disa nga format e mëposhtme:
a) me postë elektronike;
b) me lajmërim publik, i cili afishohet në ambientet e organit publik inicues;
c) me një lajmërim në mediat audiovizive kombëtare, rajonale ose lokale;
ç) me botimin në gazeta lokale ose në dy gazetat më të lexuara në nivel kombëtar.
Marrja e komenteve dhe rekomandimeve në procesin e konsultimit publik kryhet në një nga format e përmendura më sipër, si dhe në raste të caktuara në formë verbale dhe/ose me shkrim e të
regjistruara në procesverbalin e takimeve publike.
Njoftimet paraprake
- Organi publik, në raste të veçanta, mund të mbledhë informacione dhe/ose opinione paraprake nga grupet e interesit përpara se të nisë procesin e hartimit të aktit përkatës.
- Në fazat fillestare, organi publik, kur e gjykon të nevojshme, publikon në një nga format e parashikuara në nenin 11 një njoftim paraprak për aktin që do të hartojë për të siguruar informacione nga palët e interesuara.
- Çdo palë e interesuar mund t’i përgjigjet njoftimit paraprak brenda afateve të parashikuara në këtë ligj, duke dorëzuar komente dhe rekomandime.
Informacioni që nevojitet të sigurohet
- Palët e interesuara që do të konsultohen, pajisen me informacionin e nevojshëm për t’u krijuar atyre mundësinë të kontribuojnë në mënyrën më efektive të mundshme në procesin e përgatitjes së projektaktit në rrugë elektronike dhe/ose postare.
- Krahas dokumenteve përkatëse, në varësi të kompleksitetit, volumit dhe karakteristikave të tjera të projektaktit, sigurohen shpjegime për qëllimin, problemet që do të trajtohen, idetë e përgjithshme, ndryshimet kryesore dhe/ose alternativat e mundshme dhe, për aq sa është e mundur, studime apo analiza që janë kryer për hartimin e projektaktit.
Zgjatja dhe përsëritja e fazës së konsultimit
Organi publik mund të zgjasë afatin për dërgimin e komenteve ose mund të ripërsëritë fazën e marrjes së komenteve e të rekomandimeve në rastet kur:
a) organi publik nuk është i kënaqur me cilësinë e komenteve të përftuara;
b) në komentet dhe rekomandimet e dhëna janë ngritur çështje të reja të rëndësishme që nuk kanë qenë pjesë e konsultimit fillestar.
Njoftimi për takime publike
Gjatë periudhës së konsultimit, nisur nga rëndësia e projektaktit dhe interesi i lartë publik, organi publik mund të organizojë takime publike, ku palët e interesuara paraqesin opinionin e tyre dhe të dhëna për projektaktin që do të hartohet.
Pjesëmarrja në takimet publike
- Konsultimi në takime publike është i hapur.
- Njoftimi për organizimin e takimeve publike bëhet sipas mënyrave të njoftimit, të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji.
Procesverbalet dhe regjistrimet e takimeve publike mund të bëhen publike sipas kërkesës së paraqitur, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtare.
Kufizime
Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen gjatë procesit të vendimmarrjes që lidhet me:
a) çështjet e sigurisë kombëtare, për aq sa ato përbëjnë sekret shtetëror, sipas ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”;
b) marrëdhëniet ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe;
c) aktet administrative individuale dhe aktet administrative me karakter normativ, përveçse kur me ligj të veçantë parashikohet ndryshe;
ç) aktet normative, me fuqinë e ligjit, të miratuara në Këshillin e Ministrave;
d) emergjencën civile;
dh) çështjet e tjera përjashtimore të parashikuara me ligj.