Gjurmët e para në Tiranë
Gjurmët e njeriut në hapësirën ku sot shtrihet qyteti i Tiranës shkojnë pas në kohë. Periudha pre dhe protohistorike përfaqësohet nga vendbanimi i Shpellës së Pëllumbasit e cila i takon periudhës së Neolitit. Materialet e përftuara në këtë shpellë prej arkeologëve kanë dëshmuar se ajo është banuar gjatë periudhës së Neolitit, Eneolitit, Bronzit, Hekurit në shek III-II p.e.s, si edhe në antikitetin e vonë.
Ndërkohë që fortifikimi më i rëndësishëm prehistorik është kalaja e Tujanit. Përveç datimit përmes mureve rrethues, aty është ndeshur edhe qeramikë prehistorike.
Veç tyre periudha pre dhe protohistorike përfaqësohet edhe nga piktura shkëmbore e Bovillës dhe nga gjetjet e materialeve arkeologjike në sipërfaqe të Kalasë së Krrabës.
Tirana nën pushtimin e Perandorisë Romake
Sa i përket organizimit administrativ nën Perandorinë Romake në fundshekullin I p.e.s. u krijua provinca e Ilirikut e cila përfshinte krahina të Ilirisë Veriore. Ndërkohë që trojet e Parthinëve që mendohet të kenë banuar trevat e Tiranës ishin nën juridiksionin e Provincës së Maqedonisë.
Më pas me ardhjen në pushtet të Dioklecianit (284-305) u bë një riorganizim administrativ i Perandorisë Romake e cila u nda në 4 prefektura, ku hapësira e Tiranës u përfshi në Prefekturën e Ilirikut, në Provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun.
Tirana pjesë e Perandorisë së Bizantit
Me shumë rëndësi është ndarja e Perandorisë Romake prej së cilës provincat ilire mbetën nën juridiksionin e Perandorisë së Bizantit, me ndryshimin që tashmë u kthyen në provinca të perandorisë.
Ndër gjetjet më të rëndësishme të kësaj periudhe mund të përmendim thesarin e Vrapit, që mendohet se ka qenë pronë e një kagani avar, një zbulim i cili nuk është aq i njohur për publikun, siç janë Mozaiku i Tiranës apo kalatë e saj, por është tepër i veçantë dhe me vlera për historinë e qytetit.
Në provincën e Epirit të Ri prokopi i Çezaresë përmend një kështjellë që quhet Tyrkanos nga e cila rrjedh një nga hipotezat për prejardhjen e emrit Tiranë, por që nuk është lokalizuar. Në kalanë e Kurorës në Selbë, në atë të Tujanit, Pëllumbasit, Skuterës, Shëngjinit, Skrepit, Bastarit, Shtodhrit, Vrapit dhe Dajtit janë gjetur materiale arkeologjike që vërtetojnë se janë banuar në shekullin e V, VI dhe VII. Të së njëjtës periudhë janë edhe Kalaja e Krrabës me disa elemente të sistemit mbrojtës të ndërtuara në Antikitetin e Vonë. E veçanta e kësaj periudhe është ndërtimi i një kulle të veçuar në formë cilindrike me tre kate, aty ku sot gjendet kalaja e Petrelës.
Fillimi i sulmeve të normanëve dhe kryqëzatat, njëra prej të cilave solli edhe vetë pushtimin e Kostandinopojës, i kthyen këto krahina në teatrin kryesor të veprimeve luftarake. Shekulli i XII, XIII, XIV i pasuroi këto zona me shumë ndërtime me karakter fetar ku mund të përmendim Manastirin e Shën Mërisë në Bovillë, kishën e Shën Kollit në Priskë të Vogël, kishën e Shën Mërisë në Brar, Manastirin e Shën Ilarionit në Shërminë, Shuksin e Madh (Shën Luka), kishën Eremite në Shkallën e Bovillës, Abacinë e Shën Mauricit në Priskën e Madhe që mendohet të jetë e shek XIII, kisha e Max-harës në Mullet (shek XIII-XIV).
Familja e cila ka sunduar këto hapësira në këtë kohë, bazuar në zbulimet arkeologjike sidomos në ato të kishës së Shën Mërisë në Brar, ku është gjetur varri i Sebastit Mihal Skura, mendohet se kanë qenë Skurajt gjurmë e të cilëve mendohet të jetë edhe kështjella dhe kisha mesjetare e Shtodhërit në Skurinë e sotme. Kjo trevë besohet se ka qenë pjesë e Principatës së Arbërit, nën kurorën e Arkontit të Madh të Arbërisë “Demetrio Arbanasi principi”. Asokohe këto territore duhet të jenë quajtur Sguria sikurse përmendet në një diplomë të Filipit i Anzhu të Trantit apo në Testamentin dhe kujtimet e Gjon Muzakës më 1360.
Më pas në 1443 Kruja, Tirana, Petrela dhe zotërimet përreth u çliruan prej trupave të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Për t’u rivendosur nën sundimin Otoman pas vdekjes së tij.
Harta më e vjetër që e paraqet Tiranën për herë të parë me gjuhën e relievit topografik dhe emërtimin Terrana i takon vitit 1689, botuar në Romë nga hartografi Giacomo Cantelli, por 4 qendra të tjera përreth Tiranës përmenden në materialet hartografike duke filluar prej vitit 1400, të cilat janë Priska e Madhe, Kruja, Petrela dhe Shën Gjergji.
Tirana nën pushtimin Osman
Tirana moderne u themelua nga Sulejman Pashë Bargjini një sundimtar vendas nga Mulleti, i cili ndërtoi një xhami, një furrë pjekjeje dhe një hamam.
Gjatë pushtimit Osman u ndërtuan Kështjella e Prezës, Ndroqit dhe Kalaja e Tiranës, Xhamia e Et’hem Beut, varri i Kapllan Pashës si edhe Varri i Nuses në Petrelë.
Në shekullin e XVIII u ndërtuan ura si ajo e Tabakëve, e Terzive, e Beshirit apo objekte kulti si Xhamia e Vjetër, e Firës, e Kodrës së Kuqe, e Karapicëve, e Reçit si edhe teqeja e Sheh Pazarit, e Sheh Dyrit, e Dervishe Hatixhesë, Namazgjaja etj. Në të njëjtën periudhë u ndërtua edhe kisha e Shën Prokopit që i takon komunitetit ortodoks.
Shekulli i fundit i pushtimit Otoman, në rrafshin urbanistik e ndërtimor e gjen Tiranën të përbërë nga dy pjesë kryesore, qendra zejtaro-tregtare dhe ajo e banuar ku mbizotëronin shtëpitë e ndërtuara me qerpiç, aksesorët e tjerë ndihmës dhe oborret e mbushura plot lule.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, banorët e Tiranës jetonin në banesa tradicionale të tipit “me çardak të mbyllur” dhe ato të quajtura “me qoshk”.
Pavarësia e Tiranës
Në 26 Nëntor Tirana shpalli pavarësinë e deklaruar publikisht nga Refik Toptani dhe flamuri u ngrit nga Hamit Bortshi në ndërtesën e nënprefekturës së asaj kohe (sot e njohur si godina e Bibliotekës së Vjetër) dhe ndërkohë përmes Këshillit të Qytetit të Tiranës mandatoi Abdi dhe Murat Toptanin për të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës.
Ajo ç’ka duhet veçuar në këtë kohë është ardhja e komunitetit të madh dibran që u detyruan të brak-tisnin vatrat e tyre për t’i shpëtuar dhunës serbe. Kjo la gjurmë jo vetëm në karakterin mikpritës të bano-rëve të Tiranës por edhe në toponimet si p.sh “Lagjia e Dibranëve” apo “Lagjia e Pishës”.
Tirana Kryeqytet
Në Kongresin e Lushnjes 21-31 janar 1920, Tirana u përfaqësua me Abdi Toptanin dhe Mytesim Këlliçin. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes hyri në Tiranë në 11 shkurt 1920 pas pengesave për të hyrë në kryeqytetin e deriatëhershëm, Durrësin. Këshilli Kombëtar u vendos në godinën ku sot ndodhet Akademia e Shkencave. Hyrja e Qeverisë në Tiranë shënoi edhe shpalljen e saj kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë. Ahmet Zogu dhe njerëzit e tij në parlament ishin mbështetësit kryesorë për shpalljen përfundimtare të Tiranës kryeqytet, të cilën e realizoi në 31 janar 1925. Në mars 1925 me miratimin përfundimtar të Statutit Themeltar të Republikës së Shqipërisë dhe botimin në Fletoren Zyrtare, Tirana u shpall përfundimisht Kryeqyteti i Shqipërisë.
Misioni tashmë ishte shkëputja nga trashëgimia osmane, shndërrimi në një kryeqytet modern dhe qendër të jetës politike, ekonomike, kulturore e arsimore shqiptare.
Asokohe Tirana kishte shtatë lagje “Sulejman Pasha”, “Ali Beu”, “Ismail Efendiu”, “Avdulla Beu”, “Lagjen e re”, “Lagjen e Xhamisë së Sherifit” dhe “Tregun”. Nisi ndërtimi i godinave publike, kompleksi ministror i përbërë nga 6 ministri, ndërtesa e Bashkisë, e Bankës Kombëtare Shqiptare, u hartuan planet rregulluese që u zbatuan nga arkitekti italian Florestano de Fausto që u bazua në punën e kolegut të tij Armando Brasini, u hapën rrugë, bulevarde me trotuare, me sistem ndriçimi, si p.sh. Rruga “28 Nandori”, rruga e Durrësit, bulevardi “Musolini” (sot rruga e Kavajës”) rruga “Mbretnore” (sot rruga e “Barrikadave”), rruga Hoxha Tahsim, bulevardi “Zogu I”, etj. Në zonën e Shallvares filloi të merrte jetë Tirana e Re, u hoqën varrezat që ndodheshin pranë xhamive e u ndërtua sheshi i Ministrive njohur si sheshi “Skënderbej” si edhe u rimodelua pjesa e sipërme e Kullës së Sahatit. U hap lulishtja e parë publike njohur si “Lulishtja Popullore”, në 1923, në sheshin verilindor të godinës aktuale të Kuvendit. U ndërtuan kafene, restorante, hotele, sallone mode dhe vallëzimi, vila moderne që i dhanë një pamje të re qendrës së qytetit. U zhvilluan sipërmarrje private dhe hov mori sektori i hotelerisë.