
Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet.
Që nga kjo periudhë, 18 Prilli ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të Monumenteve dhe Siteve si elemente të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.
Tema e kësaj Dite këtë vit u përcaktua si "Trashëgimia dhe Klima", pra krahas monumenteve i dedikohet edhe mbrojtjes së klimës si një moment për të reflektuar për dëmet që mund t'u shkaktohen monumenteve dhe siteve për shkak të ndryshimeve klimatike. Fati i tyre varet vetëm nga sjellja jonë karshi natyrës!
Në kuadër të kësaj dite, në Tiranë, u zhvillua një itinerar me të rinj me biçikleta, të cilët përshkuan monumentet më të rëndësishme në qytet dhe në çdo objekt ku ndaluan morën informacion rreth monumentit e historikut e tij, nga specialistët e Sektorit të Trashëgimisë Kulturore të Bashkisë Tiranë.
Monumentet në të cilat të rinjtë ndaluan ishin:
1. Sheshi Skënderbej, Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut,
2. Kompleksi i Ministrive dhe Qendra e Tiranës,
3. Hotel “Dajti”, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Instalacioni “Reja”.
4. Sheshi “Nënë Tereza”, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Arteve
Ky aktivitet u ideua për të promovuar dhe ndërgjegjësuar të rinjtë mbi trashëgiminë tonë kulturore, historinë dhe monumentet kulturore por gjithashtu për të promovuar jetën e shëndetshme, mbrojtjen e klimës dhe të mjedisit, duke patur në fokus përdorimin sa më të gjerë të biçikletave nga të gjithë qytetarët, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka shtuar korsitë e biçikletave si një risi për qytetin.




