Me rastin e 25 Majit, ditëlindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore organizoi një takim në përkujtim të figurës së tij. I ftuar në takim ishte shkrimtari i mirënjohur Rudolf Marku. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Bibliotekës "Misto Treska" ku merrnin pjesë nxënës të gjimnazit "Qemal Stafa" me mësueset e tyre të letërsisë.
"Naim Frashëri është një poet i cili ndodhet në ADN-në tonë kombëtare", tha shkrimtari Marku, "një poet që asnjëherë nuk do të duket i largët, por që lexohet e do të lexohet e mësohet për breza me radhë. Naim Frashëri hyn te ata figura që janë poetë të lindur", vazhdoi Marku. "Është një poet i cili i ka thurrur himn dashurisë për atdheun në gjithë krijimtarinë e tij."
Vargjet e Poetit Frashëri janë simbol i krenarisë Kombëtare.
“Ti Shqipëri më jep Nder, më jep emrin Shqipëtar” janë vargjet më të dashura për breza të tërë lexuesish e nxënësish shkollash.
"Përveç të tjerash poeti i madh Frashëri shquhet edhe si gardian i pastërtisë së gjuhës shqipe. Gjuha e poezisë së tij është e pastër, e pasur dhe e mbushur me metafora e figuracione nga më të bukurat".
Më pas zoti Marku lexoi edhe poezinë e tij kushtuar poetit Frashëri, të botuar në vëllimin poetik “Vdekja vjen nga gazeta”, që u pëlqye në veçanti nga nxënësist.
Pjesa e fundit e takimit u zhvillua si një bashkëbisedim, ku nxënësist bënë pyetje për shkrimtarin e njohur, duke e vlerësuar aktivitetin për figurën e Naimit që është një nga poetët më të dashur e që ata e studiojnë thellësisht në kurrikulën e tyre.