Në kuadër të 108-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Petro Marko, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore zhvilloi në datën 25 nëntor 2021, një aktivitet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, me studentët e vitit të parë Master të Letërsisë, për të folur mbi veprën dhe veprimtarinë e tij.
Ky takim vjen në vazhdën e një sërë aktivitetesh që kanë pasur si fokus të tyre nderimin dhe përkujtimin e kontributorëve më në zë të letërsisë shqipe.
Të ftuar në këtë takim ishin Prof. As. Dr. Viola Isufaj e cila u thellua në disa karakteristika dhe risi në aspektin letrar të veprës së tij dhe Edon Qesari, PhD, që bëri një shëtitje në terrenin historik ku u ngjiz personaliteti, mendimi politik dhe veprimtaria e Petro Markos.
Gjatë aktivitetit referuan edhe dy studente, të cilat folën për veçoritë e letërsisë dhe stilit të tij.
Me këtë rast i ftuam studentët që të shfrytëzojnë bibliotekat e qytetit si fond apo edhe si hapësirë për t’i ndihmuar në procesin e tyre të të mësuarit.
Gjithashtu, ata do të jenë në fokusin e përhershëm të Sektorit të Trashëgimisë Kulturore në shumë aktivitete që do të zhvillohen me shkrimtarë, poetë, shqipërues, profesorë, studiues dhe botues me qëllim njohjen dhe promovimin e studentëve në ambientet profesionale që lidhen me fushën e tyre studimore.