Në kuadër të datës 29 Shtator - Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore organizoi një Panair Artizanati.
Në panair morën pjesë disa artizanë të cilët operojnë në zonën e Tiranës. Panairi u organizua në hapësirën midis Kullës së Sahatit dhe Bibliotekës Kombëtare, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Aktiviteti kishte karakter promovues dhe artizanët ekspozuan produktet e tyre të larmishme, të tilla si bizhuteri, produkte tezgjahu, punime druri, punime me shtiza etj. Panairi u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh vendas dhe të huaj, të cilët e ndoqën panairin me shumë interes.
Ky aktivitet, në zemër të Tiranës ishte një vlerë e shtuar e jetës kulturore të Kryeqytetit. Vizitorët u shprehën të impresionuar nga larmia dhe cilësia e produkteve, kurse artizanët ishin të kënaqur për mundësinë që iu dha për të ekspozuar produktet e tyre dhe shprehën dëshirën që ky panair të kthehet në traditë. Për këtë arsye, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, ka planifikuar takime me artizanët, për mbarëvajtjen dhe koordinimin e punës, ku do të diskutohet problematikat me të cilat ata përballen gjatë punës së tyre dhe mundësitë se si Bashkia e Tiranës t’u vijë në ndihmë atyre.