
Në kuadër të datës 8 qershor, Ditës Ndërkombëtare të Qepjes dhe Thurrjes në Vende Publike, vlerave kulturore dhe ekonomike të artizanatit si dhe pranisë së gjerë të artizanëve në Tiranë, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Tregjeve, organizuan një Panair Artizanati. Në këtë panair artizanët mundën të ekspozojnë, promovojnë dhe shesin produktet e tyre të veçanta me vlera tradicionale dhe kulturore. Vendi ku u organizua panairi ishte sheshi në krah të Kullës së Sahatit, nga ora 08:00 – 19:00. Gjithashtu, ekspozimi i produkteve artizanale shërbeu për tu njohur me vlerat kulturore e tradicionale që ato përfaqsojnë , jo vetëm nga qytetarët e Tiranës, por edhe nga turistët vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur Tiranën si destinacion turistik. Artizanët ofrojnë një kontribut të rëndësishëm për kulturën dhe ekonominë e një vendi duke punësuar njerëz dhe duke ruajtur traditën e këtyre punimeve brez pas brezi. Me anë të këtij panairi u synua promovimi i traditës së përpunimit të produkteve artizanale dhe shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet artizanëve.

