Text size
Opera “Aida” e Giuseppe Verdit po shfaqet ne Tiranë në datat 23-27 Qershor 2023.Trupa e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e sjell këtë perlë operistike me nje kast solistësh shqiptarë dhe te huaj.
Trekëndëshi i një dashurie pasionante të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radames, dhe të bijës së Faraonit, Amneris.
Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radames urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak.
Ky është thelbi i subjektit të Operës së përjetshme të Giuseppe Verdi-t, “Aida”, e cila vihet dhe rivihet në skenat botërore prej shumë e shumë vitesh.
Muzika magjepsëse e Verdi-t me korale të fuqishme, arie të mrekullueshme dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale përforcon thellësinë emocionale të operës, e cila kësaj here vjen nën idetë regjisoriale, skenografike dhe kostumografike të ikonës, maestro Franco Zefirelli, rivënien regjisoriale të Stefano Trespidi, dhe asistencën e regjisores Ada Gurra.
Kjo vepër e përmasave madhore, vjen në skenë e interpretuar nga Orkestra Simfonike, Solistët, Kori dhe Trupa e Baletit e TKOB-së, me dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli dhe maestros Dritan Lumshi.
Tingujt Verdiane po magjepsin jo vetëm publikun e shumtë tiranas, por edhe atë ndërkombëtar të ndodhur si turistë në Tiranë, qe po ndjekin prej ditësh këtë kryevepër botërore.