Koncerti “Albanian Pop Rock, in memoriam”, i mbështetur nga Bashkia Tiranë, u mbajt mbrëmjen e 15 majit në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Orthodokse.
Në skenë u ngjitën 15 artistë, ndër më të njohurit në vend, si Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Era Rusi, Anxhela Peristeri, Gjergj Kaçinari, Ervin Bushati, Merlant Kademi, Gerta Mahmutaj, etj.
Një nga risitë emocionale të këtij aktiviteti, ishte jo vetëm fakti që u kujtuan 15 yje të këngës që nuk jetojnë më, si: Besnik Taraneshi, Gaqo Çako, Anita Take, Anita Bitri, Nexhmije Pagarusha, Tonin Tërshana, Sherif Merdani etj, por sepse një pjesë e mirë e tyre u përkujtua nga të afërmit, si Gerard Merdani që interpretoi në nderim të të atit, Sherif Merdanit, Edea Demaliaj për të përkujtuar të atin, Gent Demaliaj, themelues dhe vokalist i grupit me shumë ndikim në muzikën e viteve 90-të, “Djemtë e Detit”, Shamsah Gega, koriste në korin e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, e cila u ngjit në skenë për të nderuar kujtimin e gjyshit të saj, Mentor Xhemali etj.
Këto këngë, u risollën në mënyrë më bashkëkohore, nëpërmjet përpunimit, jo vetëm si provë e krijimtarisë të së shkuarës, që zgjon ndjesi tek publiku më i ri, por mbi të gjitha garanton jetëgjatësinë e këngës, duke u interpretuar në forma të reja.
Koncerti u ndoq me shumë interes nga një publik i zgjedhur tiranas.