Me moton “Ta pastrojmë qytetin që Viti i Ri të na gjejë pastër”, Bashkia e Tiranës organizon nesër që në orët e para të mëngjesit aksionin vullnetar të pastrimit në të gjitha njësitë administrative të Tiranës. Pasi mori pjesë në nisjen e aksionit kombëtar të pastrimit që u zhvillua në aksin Tiranë-Rinas-Krujë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me të gjithë administratorët e Tiranës, për koordinimin e strukturave lokale dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve që t’i bashkohen aksionit të nesërm për pastrimin e kryeqytetit. Ai theksoi se është e rëndësishme që krahas punës së përditshme që bëjnë ndërmarrjet e pastrimit, të vijohet me nisma të tilla që ndikojnë në mbajtjen e qytetit pastër.
“Është në dinjitetin e qytetit tonë që Viti i Ri të na gjejë pastër. Aksionit kombëtar të pastrimit po i bashkohemi edhe në nivel lagjesh. Por, dua të shtoj se ky është viti ynë dhe Tirana është sot pa dyshim jo vetëm qyteti më i pastër në Shqipëri, por edhe një nga qytetet më të pastra në Ballkan. E filluam si kryeqyteti më i ndotur, por vendimmarrjet pro mjedisore dhe krijimi i zonave pedonale, si sheshi “Skënderbej”, kanë pasur një impakt në përmirësimin e mjedisit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai theksoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë me nisma të tilla të cilat sjellin një përmirësim të dukshëm të mjedisit në qytet. “Më vjen mirë që nga një situatë ku e nisëm dy vite më parë ku Tirana kishte mbi 300 hot spote, për nesër kemi identifikuar rreth 35 të tilla. Situata është si dita me natën me çka qenë, por ideale do ishte një Tiranë që nuk ka asnjë hot spot, pra që çdo gjë pastrohet”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aksioni. “Do të doja që në aksionin e pastrimit nesër të përfshijmë gjithë qytetarët, ndërlidhësit në komunitet, administratorët e pallateve. Ne nuk mund të vazhdojmë të themi na e ka fajin armiku, jo! Për ndotjen e kemi vetë fajin dhe vetëm kur e pranojmë fajin, mund t’i dalim zot. Po gjetëm justifikim, siç gjejmë tipikisht ne ballkanasit, se fajin na e ka armiku imagjinar për gjendjen tonë, nuk kemi gjë në vijë”, u shpreh Veliaj.
Ndërkaq, ai falenderoi sot 32 këshilltarët të cilët miratuan dje Buxhetin për vitin 2018, i cili siguron vijimin e transformimit të qytetit të Tiranës, si dhe jep mbështetje për politikat mjedisore. “Dua të falenderoj të 32 këshilltarët që votuan dje buxhetin. Unë isha këtu, ishin 32 këshilltarë që votuan. Mediat ishin këtu, prapë ishin 32 këshilltarë. Sekretariati ishte këtu, sërish 32 këshilltarë votuan. Firmat u hodhën, 32 këshilltarë. Për ata që nuk ishin në mbledhje dhe që në imagjinatën e tyre do të donin që të mos kishte shumicë për progresin e qytetit, më vjen shumë keq që u zhgënjyen, por mesa duket jo vetëm shumica dërrmuese e qytetit dhe shumica dërrmuese e këshillit do që gjërat të shkojnë para. Blloko këndin e lojërave pa sukses, blloku sheshin Skënderbej pa sukses, blloko pazarin e ri pa sukses, blloko pastrimin e qytetit, pa sukses. Njerëzit nuk duan bllokime. Janë lodhur dhe janë disa herë më të lodhur nga politika. Kështu që, dua të falënderoj të 32 këshilltarët për një votim ekzemplar, dhe një mazhorancë absolute që kemi në bashki”, deklaroi Veliaj.
Ai u shpreh se nëse të tjerët duan që të sfidojnë Bashkinë e Tiranës, të marrin pjesë në aksionin e pastrimin të Tiranës si dhe në mbjelljen e pemëve, duke kontribuar për kryeqytetin dhe jo duke u bërë bllokues. “Këtë bashki dhe punën e këtij qyteti nuk e bllokojnë dot më. Një nga gjërat që i sfidoj është që nëse e duan qytetin, të vijnë për pastrim nesër. A s’do të ishte bukur që të kishim bashkë edhe dy partitë e opozitës për pastrim, të mbledhin edhe ata qeset, të japin edhe ata një model? Por, të bllokosh punën e qytetit nuk është sfidë, është budallallëk, ka dalë nga moda. Sfida ime për ata është: nëse mund të mbjellin më shumë pemë, nëse mund të pastrojnë më mirë, nëse mund të sjellin ide më të mira”, deklaroi Veliaj.
Gjatë ditës së sotme, Bashkia e Tiranës iu bashkua aksionit kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, të organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, të Mbrojtjes, si dhe një sërë institucionesh të tjera të pushtetit vendor. Aksioni i pastrimit u përqendrua në aksin rrugor Tiranë-Rinas-Krujë, ku veç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore morën pjesë edhe forca të ushtrisë, nxënës nga gjimnazet e Tiranës, si dhe vullnetarë të tjerë. Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministri Blendi Klosi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deputetë dhe kryetarët e bashkive të Durrësit dhe Krujës.
Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë ata që iu bashkuan këtij aksioni në prag të festave të fundvitit dhe ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në pastrimin e qytetit. “Unë besoj se nuk ka fabul më të bukur se sa në prag të vigjiljes për vitin e Skënderbeut, të pastrojmë njëkohësisht dy kryeqytetet tona, kryeqytetin e ri, që është kryeqyteti i Tiranës, dhe atë të vjetër që është kryeqyteti i Krujës. A ka gjë më të bukur se sa të na gjejë 2018, pastër dhe të mobilizohemi të gjithë, me aq fuqi sa kemi, për të pastruar?”, deklaroi Veliaj.
Ai ftoi qytetarët që të kujdesen më shumë për mjedisin që i rrethon, ndërsa theksoi se beteja që duhet fituar është ajo e mentalitetit. Sipas tij, përveç aksioneve të pastrimit duhen ndërmarrë edhe politika që vijnë në favor të një mjedisi të pastër. Ai bëri të ditur se vetëm nga nisma e marrë nga Bashkia e Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike në kryeqytet, është arritur të ulet përdorimi i tyre me 60%, çka solli për rrjedhojë që kryeqyteti të mos kishte probleme gjatë reshjeve.
“Kemi patur një ide fantastike në Tiranë, çmimi i qeseve u bë 50 lek të vjetra, pa e vrarë xhepin e dikujt që blen në supermarket të shtrenjtë, por është mjaftueshëm për t’iu kthyer si barrierë psikologjike në kokë që ta refuzojë qesen. Me nisma të tilla kemi arritur që në Tiranë të reduktojmë qeset 60 për qind. U pa dhe në rastin e përmbytjeve, një nga arsyet që pse Tirana nuk pati asnjë problem është se ka rënë ndjeshëm numri i qeseve, çka do të thotë dhe numri i qeseve që hidhen dhe përfundojnë në kanale. Kështu që, duhet të mendojmë edhe disa zgjidhje afatgjata që t’i japim dum këtij problemi”, deklaroi ai.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion, ndërsa ftoi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm ndaj çështjeve mjedisore. “Sot është një ditë e veçantë, një ditë që duhet të mbahet mend gjatë, pasi kemi bërë së bashku një grup shumë të madh vullnetarësh të cilët duan që me rastin e 100 vjetorit të Skënderbeut, të kemi mundësinë që së bashku të pastrojmë atë pjesë të territorit, i cili përfaqëson një nga pikat më të bukura të Shqipërisë, një nga pikat më turistike që e vizitojnë kaq shumë turistë, shqiptarë, por që realisht ka nevojë për t’u bashkuar të gjithë bashkë për ta pasur atë të pastër. Në kuadër të aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” ne duhet të kuptojmë që nuk mjafton vetëm operacioni i një dite, por duhet të kuptojmë shkaqet pse na krijohen këto papastërti dhe të kuptojmë shkaqet se si landfillet nëpër gjithë zonën janë të pa mbuluar të pa trajtuar dhe mjafton një reshje shiu dhe ato dalin të gjitha në pah”, tha Klosi.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se mbrojtja e mjedisit dhe e monumenteve nuk duhet të jenë përgjegjësi e vetëm një institucioni, por e të gjithëve dhe për këtë do të duhet të punohet çdo ditë. “Ky është momenti më i mirë për të kuptuar që në fakt ura, rruga, fusha, por edhe kalaja, edhe muzeu dhe gjithçka tjetër, nuk është vetëm e institucionit përgjegjës. Kalaja e Skënderbeut, apo Kalaja e Krujës, nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës. Edhe rruga nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës e kështu me radhë. Sot përveçse një aksion i madh për të bërë një punë shumë të rëndësishme, në fakt që po të ishte bërë çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit”, deklaroi Kumbaro.
Pikat ku do të përqendrohet aksioni i pastrimit gjatë ditës së nesërme
1 Nj. A. Nr.11, Ish Fusha e Vefes.
2 Nj. A. Nr.11, Rruga “Shaban Hoxha”.
3 Nj. A. Nr.11, Rruga “Pavarësia”.
4 Nj. A. Nr.11, Ish Reparti Ushtarak, Kodër Institut.
5 Nj. A. Farkë, Mjull Bathore.
6 Nj. A. Farkë, Selitë e Vjetër.
7 Nj. A. Farkë, Selitë.
8 Nj. A. Farkë, Sauk 1 dhe 2.
9 Nj. A. Ndroq, Pinet pranë varrezave..
10 Nj. A. Ndroq, Ura Beshirit, Q.Sh dhe Shkollës 9-vjeçare.
11 Nj. A. Ndroq, Ura e Butacit.
12 Nj. A. Dajt, Fshati Lanabrega
13 Nj. A. Nr.1, Në të gjithë territorin e saj. .
14 Nj. A. Nr.4,. Në të gjithë territorin e saj.
15 Nj. A. Nr.2, Rruga “Dalip Zavalani”.
16 Nj. A. Nr.2, Pranë Shkollës “Mihal Grameno”.
17 Nj. A. Nr.3, Në të gjithë territorin e saj.
18 Nj. A. Nr.7, Rruga “Mihal Ciko”, Rruga “Xhezmi Delli”.
19 Nj. A. Nr.7, Rruga “Frederik Shiroka”.
20 Nj. A. Nr.7, .Rruget “S.Prosi, N.Frasheri,, B.Rexha, Y.Bylykbashi”.
21 Nj. A. Baldushk, Territoret përgjatë Lumit Zhullimë.
22 Nj. A. Zall Herr, Përgjatë Lumit Tërkuzë.
23 Nj. A. Zall Herr, Fshati Pinar.
24 Nj. A. Zall Herr, Fshati Çerkezë.
25 Nj. A. Zall Herr, Fshati Kasallë dhe Dritas.
26 Nj. A. Nr.9, Në të gjithë territorin e saj.
27 Nj. A. Nr.10, Në të gjithë territorin e saj.
28 Nj. A. Vaqarr, Ura Zhullimës dhe Ura e Damjanit.
29 Nj. A. Vaqarr, Fshati Arbanë qendër.
30 Nj. A. Vaqarr, Builticë .
31 Nj. A. Nr.5, Në të gjithë territorin e saj.
32 Nj. A. Nr.6, Rruga Fabrika e Qelqit dhe Unaza e Re.
33 Nj. A. Nr.6, Rruga “ Shaban Bardhoshi”..
34 Nj. A. Nr.6, Rruga “ Shkolla 9-vjeçare “Kongresi Manastirit”.
35 Nj. A. Nr.6, Rruga “ Thimi Krej”.
36 Nj. A. Pezë, Parku i Pezës
37 Nj. A. Pezë, Lagjia e Shaphasëve dhe Ura te Prroi i Laprakëve.
38 Nj. A. Pezë, Ura e Baltës
39 Nj. A. Bërzhitë, Rruga e Pëllumbasit