
Pas rikonstruksionit të konvikteve të studentëve, Bashkia e Tiranës përmbush një tjetër premtim për studentët. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkia e Tiranës prezantoi sot modelin që do të ketë Karta e Studentit, e cila do të shpërndahet shumë shpejt për studentët. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini, bën publike kopjet e para të kartave të studentit, të cilat do të jenë të ndryshme për çdo universitet, por të ngjashme me shërbimet që do t’i ofrohen nga Bashkia e Tiranës, institucionet e tjera shtetërore, por edhe nga kompani private që ofrojnë shërbime në kryeqytet.
Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës përmbushi në kohë rekord këtë detyrim, ndërsa shtoi se Karta e Studentit do të shpërndahet shumë shpejt për studentët. “Këto janë dy kartat e para si model; do donim shumë që në muajin maj secili prej jush të kishte kartën e vet të studentit. Në pjesën mbrapa ka logon e Bashkisë dhe të Ministrisë, si dy institucionet që emetojnë kartën, dhe në pjesën përpara ka të dhënat e studentit, një numër rendor, dhe e gjitha është e përkthyer në një barkod unik për ju. Nëse shkoni në një galeri apo kinema, dhe ata kanë një skaner, uljen e marrin direkt, duke skanuar barkodin që ka secili prej jush”, tha Veliaj.
Ai shtoi se prodhimi dhe shpërndarja e Kartës së Studentit ishte një detyrim i vetë universiteteve, por kjo nuk u bë prej tyre, çka detyroi bashkinë që ta merrte në dorë procesin. Sipas Paktit për Universitetin, këtë detyrim e mori Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës për pjesën e studentëve që studiojnë në kryeqytet. “Kemi dy mundësi, ose të gjejmë kush e ka fajin ose të themi nuk ka rëndësi kush e ka fajin, por t’i japim dum. Një nga gjërat që duhet me i dhënë dum është çështja e Kartës së Studentit, ku Bashkia ka patur kapacitetin, por duke qenë se universitetet morën autonominë, secili universitet duhet ta prodhonte vetë kartën. Kur zbulojmë që në Universitetin e Tiranës nuk kanë akoma email zyrtar, që është një nga gjërat më bazë, do të thotë që nuk ia vlen të merremi me këtë histori. Pra, më mirë kjo kompetencë t’i kalojë ministrisë, e cila lidh marrëveshje me bashkitë dhe bashkitë ofrojnë shërbimet”, u shpreh Veliaj.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se karta e studentit është një premtim i bërë që prej një dekade, por që nuk është përmbushur pasi universitetet nuk kanë kryer detyrimet e tyre. Ajo theksoi se tashmë, falë bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, Karta e Studentit do të ofrojë një sërë lehtësirash për studentët, duke filluar nga blerjet me çmime më të lira e deri tek disa shërbime nga institucionet.
“Është një premtim i para një dekade. Ka qenë edhe një kërkesë në ligjin e Arsimit të Lartë që nga viti 2007. Ekziston në ligjin e 2015. Në mënyrë që karta të realizohej do të duhej të kishte një bashkëpunim më të mirë mes universiteteve dhe institucioneve, për të pasur mundësi për të bërë marrëveshjet. Karta nuk përfshin vetëm uljet që merren nga kompanitë, por edhe shërbimet që përfitohen. Deri tani universitetet nuk kanë qenë shumë aktive në pjesën e tyre. Kemi marrë përsipër që Ministria bashkë me Bashkinë e Tiranës të realizojë kartën e studentit”, tha ministrja Shahini.
Më tej kryebashkiaku Veliaj bëri dhe një prezantim të shërbimeve bazë që përfitojnë studentët e universiteteve publike në Tiranë, ndërsa njoftoi procedurat deri në hyrjen në fuqi të Kartës së Studentit.
“Plastika është vetëm mjeti, jo qëllimi. Qëllimi është që të marrim një listë me shërbime shumë të nevojshme në Bashkinë e Tiranës. Më vjen mirë që edhe në këtë operacion jemi të parët me Ministrinë. Sot bëjmë këtë prezantim, nesër kalon VKM që autorizon ministrinë të hyjë në këtë marrëdhënie me Bashkinë. Menjëherë pas VKM, ministrja e Arsimit nxjerr një udhëzim për të gjitha bashkitë; ne jemi përgjigjur pozitivisht që në fillim, jam i bindur se do marrë përgjigje pozitive edhe nga bashkitë e tjera, por le të jetë Tirana ajo që ngre standardin dhe krijon një etalon. Me të kaluar ky udhëzim, Bashkia e Tiranës do të fillojë procesin në çdo fakultet, njësoj siç është bërë me kartat e identitetit dhe pasaportat”, sqaroi Veliaj.