Në përvjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, në 13 tetor 2024, u organizua ceremonia e hapjes së Muzeut vendor “Agolli”, në ambientet e shtëpisë ku z. Agolli jetoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Është pikërisht në këtë shtëpi ku Shkrimtari shumë i çmuar për shqiptarët, autor i qindra librave shumë të dashura e të mirënjohura për disa breza me radhë, kaloi pjesën më të gjatë të jetës së tij, ku shkroi, meditoi, krijoi e mirëpriti miq e admirues të shumtë.
I pranishëm në këtë event, z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë, midis të tjerash u shpreh:
“Në 93-vjetorin e Dritëroit të madh, po hapim dyert e “Shtëpisë Studio Agolli”, një hapësirë e re për qytetarët, dashamirësit e letërsisë dhe turistët që duan të mësojnë më shumë për jetën dhe veprën e tij.
Faleminderit Elonës, Elizabetës dhe ekipit te saj për këtë projekt të jashtëzakonshëm! Kjo shtëpi, dikur strehë për popullin, sot është pasuri e të gjithë shqiptarëve!”