
“Ceremonia e Shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025” u organizua në datën 12 Mars në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB). Kjo ngjarje shënoi një moment historik jo vetëm për Tiranën, por edhe për Shqipërinë si një arritje dhe vlerësim me ndikim ndërkombëtar.
Eventi u hap me fjalën përshëndetëse nga z. Edi Rama Kryeministër i Shqipërisë, Z .Hassan Shawky, Ambasador i Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Z. Stephen Borg , Zëvëndës Sekretar i përgjithshëm i organizatës ndërqeveritare “Unioni për Mesdheun” si dhe i përfaqësuesve të institucioneve kulturore dhe autoriteteve lokale, të cilët folën për rëndësinë e shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe për përkushtimin e qytetit për të promovuar vlerat e tij kulturore. Ata theksuan se ky është një moment historik i cili do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetin, duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit kulturor dhe duke forcuar identitetin kulturor të Tiranës. Gjithashtu pjesë e fjalës përshëndetëse ishte znj. Anuela Ristani zëvendëkryetare e Bashkisë Tiranë.