Bashkia Tiranë, në vijim të Panairit të Librit "Pranverë 2024", në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrën Kombëtare të Librit, dhanë disa certifikata mirënjohjeje për emra dhe personalitete në fushën e letërsisë. Në ceremoninë vlerësuese, morën pjesë poetë, shkrimtarë, përkthyes, botues, drejtues të institucioneve të kulturës, enteve botuese, institucioneve të tjera të librit, studentë të ekselencës, etj.
Para dorëzimit të certifikatave, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi u shpreh se Bashkia Tiranë ka patur një vëmendje të përhershme ndaj personaliteteve që i japin shoqërisë dhe qytetit një frymëmarrje të veçantë me veprat e tyre. “Edhe në emër të kryetarit të Bashkisë, dua të falenderoj të gjithë ata poetë, shkrimtarë, studiues që kanë ditur të ndërtojnë ura të mendimit, kanë evokuar të kaluarën tonë historike dhe, ndër vite, kanë ndikuar në iluminimin e brezave të të rinjve”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe leximit, Alda Bardhyli, u shpreh se aktivitete të tilla janë dëshmi se institucionet kanë në vëmendje edhe letërsinë ndërsa u shpreh se duhet të kthehen në traditë. “Këto aktivitete që lidhen me librin, me shkrimtarë, me njerëz të letrave veçse e zbukurojnë kalendarin e aktiviteteve të një institucioni, prandaj, të gjithë bashkë, le t’i kthejmë në traditë të përvitshme ceremoni të tilla vlerësuese, promovuese etj”.
Kryetarja e jurisë, Majlinda Rama, sqaroi se procedura e përzgjedhjes së emrave fitues, u bë për emra me aktivitet të shquar që ndikojnë në shoqëri. “Përzgjodhëm emra që i kanë dhënë dinamikë letërsisë, të cilët, ndonëse krijojnë në mënyrë individuale, me letërsinë e tyre rezonojnë të bëhen emancipues për shoqërinë shqiptare”.
Botuesi nga Kosova, themeluesi i Shtëpisë Botuese “Buzuku”, Abdullah Zeneli e vlerësoi shumë këtë aktivitet, duke shprehur mirënjohjen për Bashkinë e Tiranës, e cila, sipas tij, është një nismë kaq me vlerë për letërsinë dhe një moment që duhet duartrokitur. “Letërsia është alfa e të gjitha zhvillimeve kulturore, prandaj kjo nismë është një shërbim shumë i bukur dhe i vyer që i bëhet letërsisë shqipe”.
Ndër emrat e vlerësuar me ‘Mirënjohje’ ishte zonja e madhe e letrave, Natasha Lako, e cila falenderoi Bashkinë Tiranë. “Çdo çmim ka emocionet e veta. Kjo mirënjohje për mua është një moment shumë i bukur, që do ta ruaj në kujtesë, si një vlerësim që më bëhet nga Bashkia e qytetit, ku kam dhënë kontribut gjithë jetën time letrare”.
U vlerësuan, po ashtu, përkthyesja Mira Meksi, shkrimtari Bashkim Hoxha, Poeti Haxhi Kraki, Përkthyesit Krenar Hadëri dhe Enes Lekiqi, poetja Vojsava Nelo, shkrimtari për fëmijë Shkëlzen Zalli (Pas vdekjes) dhe autori Baki Bala.