Mbrëmjen e 22 Qershorit, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Elvana Gjata mbajti koncertin e saj madhështor në stadiumin “Air Albania”, me emrin “Dekada”. Ky titull lidhet me faktin që ky është një moment kyç i saj, i një udhëtimi muzikor në dy dhjetëvjeçarë.
Diva e muzikës shqiptare dhuroi një super spektakël në “Air Albania Stadium”. Mijëra fansa që mbushën stadiumin ndoqën për katër orë koncertin “Dekada”, ndërsa kënduan njëzëri të gjitha këngët e artistes.
Elvana shkriu në skenën gjigante, të ndërtuar në stadium me efekte dhe grafika të veçanta, karrierën e saj 20-vjeçare. Gjatë dy dekadave në tregun muzikor shqiptar, artistja ka marrë dashamirësinë e mijëra njerëzve që i dëgjojnë dhe këndojnë këngët e saj. Dhe mbrëmja e këtij Koncerti ishte një dëshmi e suksesit për të.
Krah Elvanës u ngjitën në skenë të ftuar nga vetë ajo edhe yje të tjerë të muzikës, si: Luiz Ejlli, Semi Jaupaj, Ardit Çuni, Mc Cresha, Capital T, Ledri Vula, Dhurata Dora, Noizy, Ylli Limani, Bardhi, Gimmi O, si dhe e motra e këngëtares sopranoja, Migena Gjata..
Elvana ka reaguar në mediat sociale pas koncertit duke rrëfyer emocionet e saj nga dashuria e marrë. Ajo shkruan se ia dedikon këtë koncert gruas shqiptare, por sidomos vajzave të vogla që sapo e kanë nisur këtë rrugëtim.
“Faleminderit nga zemra, më keni dhënë sot aq shumë forcë e dashuri, që do ta kujtoj gjithë jetën. Këtë koncert ia dedikoj gruas shqiptare, por në veçanti vajzave më të vogla që janë duke nisur rrugëtimin e tyre. Mos u dorëzoni kurrë, asgjë nuk mund ta ndalë forcën tuaj dhe punën e palodhshme. Jeni e ardhmja! Ju duaaa.”-shkruan Elvana.
Kjo ishte një ngjarje e shënuar që i shtohet kalendarit të pasur të spektakleve dhe aktiviteteve të jetës kulturore në Tiranë.