
Text size
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, në datën 21 Shkurt 2024, mblodhi në një tryezë diskutimi, me temë: “Lëvizjet në gjuhë” personalitete të letrave, studiues, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe profesorë universitetesh, të cilët theksuan se mbrojtja e gjuhës është një detyrë kombëtare. Organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Bashkia Tiranë, ky aktivitet solli edhe njëherë në vëmendje, rëndësinë e gjuhës amtare, si një pasuri e madhe kombëtare, por edhe bëri thirrje për ndërgjegjësimin për ruajtjen e saj, si një vlerë universale.Drejtoresha e Qendrës së Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, u shpreh se gjuha e një populli paraqet kulturën dhe i jep atij njësi (unitet) komunikimi, duke e lehtësuar edhe njësinë politike e territoriale. Për këtë arsye, sipas saj, gjuha e shkruar dhe e folur përbën elementin më të përdorur në identifikimin e popujve e të ndarjes së tyre gjeografike e dialektore.
Në emër të Bashkisë Tiranë, Drejtori i Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Dhimitraq Furxhi, u shpreh se ky vit, i shpallur si viti i gjuhës amtare, do të ketë një hapësirë dhe vëmendje të shtuar nga ana e bashkisë, ndërsa e vuri theksin tek nevoja kombëtare për mbrojtjen e gjuhës si vlerë identitare jona, kultivimin e shqipes dhe edukimin e të rinjve me dashurinë për gjuhën e tyre amtare. Gjithashtu Dita e Alfabetit Kombëtar, 22 Nëntori është shpallur Festë Kombëtare.
Gjatë diskutimit u pa si shqetësues mbipërdorimi i teknologjisë, lëvizja e lirë, huazimi dhe përdorimi pa kriter i fjalëve të huaja, etj.
Gjuhëtarja, Anila Omari kërkoi që mësuesit e gjuhës shqipe të jenë më të kujdesshëm gjatë mësimdhënies, për t'i kushtuar përherë e më shumë rëndësi edukimit të brezit të ri me gjuhën shqipe. Të njëjtin shqetësim shfaqi edhe profesoresha Mimoza Kore, e cila kërkoi angazhimin e gjithë armatës së mësuesve, për të ruajtur gjuhën shqipe. Në takim ishin të pranishëm edhe historiani i njohur, profesori Pëllumb Xhufi, profesorët Aljula Jubani, Ymer Çiraku, Primo Shllaku, Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri, shkrimtarët Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Majlinda Rama, Aleksandër Çipa, Mimoza Hysa, etj



