Me rastin e 5-Vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore (Sektori i Trashëgimisë Kulturore) në bashkëpunim me Muzeun Vendor “Shtëpia – Studio Agolli”, organizuan një aktivitet kushtuar figurës së tij. Të ftuar ishin shkrimtari Ylljet Aliçka dhe pedagogia e Universitetit të Arteve, Aneta Malaj dhe pjesëmarrës nxënës të gjimnazeve të Tiranës.
Takimi u fokusua në karakteristikat dhe indivualitetin e krijimtarisë së shkrimtarit Agolli, si një personalitet madhor i letrave shqipe. Në veçanti u fol për dramaturgjinë e Agollit, si një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij, e cila gjatë viteve të sistemit totalitar nuk u vlerësua, përkundrazi u censurua. Dramat u gjykuan se kishin shmangie nga kriteret e realizmit socialist dhe u interpretuan si rrezikuese të doktrinës dhe të pastërtisë ideologjike. Kështu pjesët “Mosha e Bardhë”, “Fytyra e Dytë” dhe “Baladë për një Grua” janë dramat që u vunë në skenë nga regjisorë të mirënjohur, përkatësisht nga Kujtim Spahivogli, Piro Mani dhe Pëllumb Kulla. Megjithë pritjen e ngrohtë që morën nga publiku, këto vënie në skenë u mënjanuan, nuk u ekranizuan dhe sot i mungojnë fondit arkivor të dramës shqipe në televizionin shqiptar.
Po ashtu romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, u përgatit si dramatizim dhe u vu në skenë nga trupa e Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar, nën regjinë e Fatos Haxhirajt. Por me gjithë suksesin e madh qe pati te artdashësit, kjo shfaqje, gjithashtu nuk u ekranizua nga televizioni shqiptar për të njëjtat arsye.
Në vitin 2016, të tri dramat e Agollit u botuan në një botim të vetëm nga Akademia e Shkencave, nën kujdesin e studiuesit Shaban Sinani dhe me një pasthënie të tij.