Një cikël leksionesh të hapura mbi trashëgiminë kulturore materiale të Tiranës dhe rrethinave të saj u organizua në datat 1 deri në 9 Qershor 2023, në ambientet e Akademisë së Studimeve Albanologjike, për nxënësit e shkollave të mesme.
Projekti, i mbështetur nga Bashkia Tiranë, u zbatua nga organizata Destination Management Albania, (DMOA), një Ojf e fokusuar në çështje të trashëgimisë kulturore dhe turizmit, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike me miratimin e Ministrisë së Arsimit, si dhe mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme Arsimore dhe atë Vendore të Arsimit Parauniversitar, Tiranë.
Për të dytin vit radhazi, Bashkia e Tiranës organizon këtë Projekt të rëndësishëm për edukimin e brezit të ri me trashëgiminë historike e kulturore të Tiranës dhe rrethinave, duke e pasur këtë çështje në qendër të veprimtarisë së saj.
Synimi i këtij projekti është të rrisë njohjen e të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe historike të Kryeqytetit, që forcon identitetin e tyre si qytetarë Tiranas. Njëkohësisht studimi i trashëgimisë ka të bëjë me rrënjët, me të kaluarën, me traditat. Sa më mirë të njihet kjo trashëgimi aq më të formuar e të aftë do të jenë të rinjtë tanë për t’u përballur me sfidat që paraqet e tashmja dhe e ardhmja.
Akademia e Studimeve Albanologjike, aktivizoi lektorët dhe ekspertët e saj më të mirë të fushës së arkeologjisë, arkitekturës për të kryer këtë program edukimi sipas kalendarit të mëposhtëm.
1 Qershor 2023 - nxënësit e gjimnazit "Ismail Qemali" u prezantuan me temën “Një vështrim arkeologjik mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë Qëndrore. Tirana dhe rrethinat e saj në Mesjetë” nga lektorja Dr.Nevila Molla.
2 Qershor - Nxënësit e gjimnazit "Eqerem Çabej", në ambientet e Bibliotekës së Akademisë së Studimeve Albanologjike u njohën me temën “Tirana dhe rrethinat në antikitet” nga Lektore Dr. Sabina Veseli.
5 Qershor - Leksioni u zhvillua nga Lektor Dr.Melsi Labi i cili u fokusua në temën “Ndërtimet kryesore që ndryshuan Tiranën gjatë shek.XX”. Leksioni u mbajt me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkolla e mesme "Besnik Sykja".
7 Qershor - Leksioni u zhvillua te biblioteka e Akademisë së Studimeve Albanologjike me Dr. Ervin Kujtila ku u trajtua tema “Një tablo e të dhënave rreth periudhës prehistorike të Tiranës”. Morën pjesë nxënës nga Gjimnazi "Andon Zako Çajupi".
8 Qershor -Leksioni me temë “Muzetë si qendra kulturore, sociale dhe edukimi” u mbajt nga Dr. Edlira Andoni e cila krijoi nje udhëtim virtual nëpër muzetë e Tiranës nëpërmjet fotove dhe spiegimeve përkatëse. Ishin të pranishëm nxënës nga shkolla e mesme "Sami Frashëri".
Gjatë gjithë këtyre ditëve, pas leksioneve u zhvillua një vizitë e plotë e muzeut arkeologjik po në ambientet e ASA-s, ku nxënesit morën një guidë të plotë të muzeut dhe koleksioneve të tij të pasura nga ciceronia e këtij Muzeu, znj. Gema Kraja.
9 Qershor - Në ditën e fundit të projektit “Edukimi i të rinjve me trashëgiminë kulturore të Tiranës” u vizitua fillimisht Mozaiku i Tiranës, me nxënësit e Gjimnazit "Qemal Stafa". Prof. Asoc.Altin Skënderaj spjegoi se Mozaiku i Tiranës i cili tashmë është në restaurim, është objekti më i vjetër qytetar në zemër të Tiranës që daton në shekullin e katërt. Këtu bëhet fjalë për një Vilë Rustica e cila më vonë kthehet në një bazilikë. Ky objekt ka një rëndësi të madhe për Tiranën, duke e konfirmuar atë si një vendbanim të hershëm.
Më pas udhëtimi vazhdoi me transport drejt Petrelës, ku ndodhen dy monumente historike. I pari dhe më i vjetri është vendbanimi i Persqopit, kalaja dhe varri Monumental. Nxënësit ecën deri te varri monumental duke degjuar dhe komentet e profesorit. Ata mësuan fakte interesante historike dhe shkelën pjesë të natyrës të pa vizituara më parë. U bë një ndalesë në varrin Monumental dhe me pas u vizitua Kalaja e Petrelës. Një ditë aktive dhe plot lëvizje u mbyll me sukses dhe me komente pozitive nga nxënësit dhe mësuesit.
Programi është vlerësuar në veçanti nga mësues, nxënës, drejtues shkollash të cilët e kanë gjetur shumë të dobishëm, me vlera njohëse dhe që plotëson një zbrazëti në kurrikulën e tyre mësimore përsa i përket njohjes së Tiranës dhe trashëgimisë së saj.