
Text size
Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) kremtuan 102-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet i përkohshëm, vendim i marrë nga Kongresi i Lushnjës. Në këtë datë me domethënie historike për mbarë vendin, ekspozita ilustroi përmes dokumenteve dhe fotove, rrugëtimin e kryeqytetit të dalë nga punimet e Kongresit të Lushnjes (1920), si dhe zyrtarizimin e këtij vendimi me mbërritjen në Tiranë të anëtarëve të Këshillit të Lartë, siç ishin: Aqif Pasha, Mihal Turtulli dhe Abdi Toptani.
Mes materialeve të paraqitura, publiku kryeqytetas kishte mundësinë të njihej edhe me disa fragmente të historisë së kryeqytetit (1604-1937) nën autorësinë e Osman Myderrizit, me telegramin dërguar qyteteve të vendit për ngritjen e flamurit në Tiranë (28 nëntor 1912), me foto të godinës ku u vendos qeveria pas Kongresit të Lushnjes, me një imazh të Bashkisë së vjetër etj.
Ky është hapi i rradhës në bashkëpunimin e ngritur midis dy institucioneve, në thelb të së cilit qendron parimi i ekspozitave të hapura për publikun e gjerë, me foto dhe dokumente që lidhen me historinë e Tiranës dhe Shqipërisë.


