
Text size
Java e kulturës spanjolle në Tiranë u hap me ardhjen e këngëtarit me famë botërore Enrique Iglesias.
Ishte hera e parë që këngëtari i famshëm vjen në Tiranë për të interpretuar për adhuruesit e tij të shumtë shqiptarë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, e priti këngëtarin e shquar në zyrën e tij pak minuta përpara koncertit për t’i uruar mirëseardhjen.
Veliaj e konsideroi një kënaqësi të jashtëzakonshme faktin që "xhevahiri i mirë i Spanjës dhe muzikës latine erdhi për të interpretuar live në Tiranë, duke promovuar Tiranën dhe Shqipërinë" dhe duke e falenderuar atë i dhuroi edhe çelësin e qytetit.
Më pas, këngëtari i shquar, Enrique Iglesias dha një show të paharrueshëm për të gjithë fansat dhe adhuruesit e tij. Mbrëmjen e 30 Qershorit, ai ndezi skenën e ngritur në sheshin 'Skënderbej' që ishte mbushur plot e përplot me të rinj e të reja që kënduan e kërcyen hitet së bashku me të duke përjetuar emocione të papërshkrueshme.
Enrique Iglesias kështu i dhuroi një mbrëmje madhështore kryeqytetit shqiptar me një koncert që ndezi qendrën e Tiranës deri në mesnatë.
Teksa këndonte hitet e tij më të famshme, Iglesias emocionoi fansat e tij shqiptarë duke bërë dhe simbolin e shqiponjës.
Ky Koncert u shndërrua në një eveniment për Tiranën që u prit me entuziazëm të rrallë nga publiku i shumtë jo vetëm, tiranas por nga i gjithë vendi si dhe rajoni, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe do të mbahet mend gjatë në memorjen e tyre.




