
Në datat 19-24 Shtator 2022, në ambientet e Akademisë së filmit Marubi, në Tiranë, u zhvillua edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Tema kryesore e Festivalit në këte vit të 17-të lidhej me të drejtat e të rinjve. Një dedikim i veçantë iu kushtua luftës në Ukrainë, duke organizuar disa aktivitete në bashkëpunim me Ambasadën e Ukrainës në Shqipëri.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit të publikut shqiptar në përgjithësi, me konceptet e të drejtave të njeriut, si edhe promovimi i diversitetit kulturor në fushën e kinematografisë ndërkombëtare.
Festivali kishte dy aktivitete kryesore: projektimin e filmave të të drejtave të njeriut dhe forumet e të drejtave të njeriut.
• filma dokumentarë dhe artistikë, vendas dhe ndërkombëtarë që trajtojnë tematika të të drejtave të njeriut, aktuale dhe të ndjeshme për shoqërinë shqiptare. Përdorimi i imazhit si mjet për edukimin e publikut ka një impakt të drejtpërdrejtë dhe më të madh tek publiku.
• Forumet e të drejtave të njeriut, që inspirohen nga problematika aktuale e të drejtave të njeriut në Shqipëri, tematika e filmave pjesëmarrës në Festival si edhe grupet e synuara të këtij projekti. Këtë vit fokusi iu vu luftës në Ukrainë ku populli i Ukrahinës po reziston ne luften e tij ndaj agresorit rus, një luftë për mbrojtjen e pavarësisë së tij dhe të drejtës për një jetë të lirë.
Programi kryesor i Festivalit u shfaq në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi. Përveç kinemasë së AFMM-së, për tre ditë radhazi, u shfaqën filma njëkohësisht, edhe tek Qendra për Hapje dhe Dialog, Kinemaja Maks Velo dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
Akademia e Filmit Marubi është kthyer në një pol të rëndësishëm kulturor me kontributin e saj për artin dhe kinemanë.
Natën e fundit të këtij Festivali të pranishëm në sallë ishin Kryebashkiaku Erion Veliaj, Ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, z.Volodymyr Shkurov si dhe kineastë, studentë dhe artdashës të shumtë.






