
Text size
Në datat 27-29 Mars 2024 në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit u zhvillua edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë.
Në prag të natës finale të këtij konkurrimi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti anëtarët e jurisë së festivalit, personalitete të rëndësishme të Operas Botërore, dhe e cilësoi festivalin si një traditë që tashmë është kthyer në trashëgimi të qytetit.
“Është një traditë shumë e bukur e qytetit tonë, një traditë që spikat talente nga e gjithë bota, që është kthyer në një trashëgimi të qytetit. Më vjen mirë që teksa qyteti përgatitet të jetë “Qyteti Mesdhetar i Kulturës” vitin që vjen, ne kemi këtë edicion të “Marie Krajës”, tha Veliaj.
Maria Sardaryan është shpallur fituese e edicionit të 20-të të këtij festivali të muzikës klasike. Pasi ka elektrizuar sallen me interpretimin e Mbretereshës së Natës nga “Flauti Magjik” i Moxart-it, ajo ka marrë dhe vlerësimin e jurisë ndërkombëtare duke fituar çmimin e parë.
Me çmim të dytë u vlerësua sopranoja shqiptare Juana Shtrepi, ndërsa çmimin e tretë e mori baritoni nga Koreja e Jugut Seungwoo Sun.
Sopranoja italiane Clarisa Costanzzo, ka marrë çmimin e këngës, vlerësim që është bërë nga Orkestra e festivalit .
Edicioni i 20-të i këtij festivali tashmë prestigjioz ndërkombëtar u prit dhe u ndoq me vëmendje të lartë nga publiku i Tiranës, profesionistë të fushës, por edhe qytetarë artdashës që e mikpritën ngrohtësisht këtë event.





