
Mirëdita e përshëndetje të gjithëve!
“Më 4 gusht 1944, diku aty mes orës 10 dhe 11.30 të mëngjesit, në Prinsengracht 263 ndali një makinë. Rreshteri SS, Karl Jozef Silberbauer, me uniformë, zbriti së bashku me tre bashkëpunëtorë holandezë të policisë së sigurimit, që megjithëse me rroba civile, ishin të armatosur mirë. Sigurisht, klandestinët dikush duhej t’i kish tradhtuar. Arrestuan tetë klandestinë dhe dy mbrojtësit e tyre, dhe i morën të gjitha gjërat me vlerë dhe paratë që kishin mbetur në strehim…”
Pas një rrëfimi të tillë, mund të fshihet gjithsecila histori e rreth 6 milionë hebrenjve të shfarosur gjatë Luftës së Dytë Botërore, madje edhe e atyre të tjerëve që i shkuan fare afër rrezikut dhe thjesht fati i shpëtoi. Është një histori tradhtie, pas së cilës rruga e vetme është drejt lagerit, dhe destini më i mundur është shfarosja.”
E megjithatë, ju lexova fundin e një historie konkrete. Është momenti kur mori fund fshehja dhe u fik përgjithnjë shpresa e Anna Frankut dhe familjes së saj.
E dimë tashmë të gjithë se Anna rrëfen për tmerret e jetës së tyre në izolim dhe para kësaj, rrëfen se në ç’kushte jetonin të gjithë hebrenjtë e Amsterdamit dhe befasisht për moshën e saj, shtron pyetjen: nëse në Amsterdam, që është një vend i qytetëruar ndodh kështu, çfarë mund të ndodhë në vendet më pak të zhvilluara?
Në fakt, Shqipëria asokohe, në fillim të shek. XX, nuk ishte thjesht një vend më pak i zhvilluar, por ishte një vend aspak i zhvilluar. E megjithatë, panorama në lidhje me hebrenjtë është një panoramë krejt tjetër me atë që përshkruan Anna Franku apo cilado simotër apo sivëlla i saj, pavarësisht moshës, që ka lënë dëshmi pas.
Panorama e hebrenjve në Shqipëri është panorama e shpresës dhe e shpëtimit të jetëve. Shqipëria u bë pragu i kapërcimit nga vdekja në jetë, duke na bërë ne të gjithë, sot e përgjithnjë, krenarë.
Faleminderit që jeni tëpranishëm në këtë ditëpërkujtimore për ne Shqiptarët që dimë të hapim derën dhe zemrën për këdo që ka nevojë,pavarësisht përkatësisë fetare, ngjyrës së lëkurës apo origjinës.
Përshëndetje i nderuar Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë,
E nderuar Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lartësia e saj, Znj. Yuri Kim,
I nderuar Ambasador i Izraelit, Z. Noah Gal Gendler!
Si përfaqësues i Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve tëTiranës ndihem krenar qënë Parkun e Liqenit të Tiranës sot përurojmë memorialin e Holokaustit, një dhuratë fisnikërie për të nderuar të gjithë qytetarët e Tiranës që mikpritën dhe mbajtën në shtëpinë e tyre shtetas apo familje hebraike.
Qytetarët e Tiranës kanë ditur gjithmonë të rrezatojnë dhembshuri, dashamirësi dhe dëshirën e madhe për të ndihmuar ata në nevojë, madje edhe ata të një besimi ose origjine tjetër.
Dua, gjithashtu, të falenderoj nga zemra dy miq të shqipëtarëve, të cilët ishin dhe ideatorët e këtij memoriali, Z. Warren Miller -Anëtar dhe ish Kryetar i Komisionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës jashtë vendit dhe John Withers – ish ambasadorin Amerikan në Shqipëri, të cilët me përkrahjen e Edi Ramës, atë kohë Kryetar i Bashkisë së Tiranës, vendosën të sillnin në vemendje, përmes këtij memoriali,meritën që populli shqiptar e ka fituar për veprat e tyre heroike gjatë Holokaustit. Për fat të keq, këtë proces e zuri në gjysëm hija e administratës së kaluar, për ta rifilluar mbas 2015,aty ku kishte ngecur. Jam shumë mirënjohës për mbështetjenqë kemi marrë nga ana e Komisionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ruajtjen e Trashëgimisë së Amerikës dhe punës së palodhur të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Tiranës për përfundimin e kësaj vepre në kohë për ta përuruar në një vit të veçantë, atë të Tiranës 100 vjet kryeqytet.
Në mes librave, kujtimeve dhe studimeve, për fat të keq të pakta, që shkruajnë për ndihmën dhe bujarinë e popullit shqiptar ndaj popullit hebre, përveç fjalës “Heronj”, do të lexoni për traditat familjare të shqiptarëve, për kodin e nderit “Besën” dhe tolerancën fetare që vazhdon të ekzistojë edhe sot. Padyshim që këto atribute kanë luajtur rol, e megjithatë, përveç këtyre, unë besoj se ajo që qëndron më lart është historiae popullit shqiptar - përplasur mes sfidash dhe beteja me vuajtje ndaj së keqes,duke na mësuar mbi të gjitha ndjenjën e të qenit qenie “Njerëzore”, të barabartë para vetes, të tjerëve dhe Zotit.
Thuhet se 1/3 e popullsisë hebraike u shfaros në total gjatë Luftës së Dytë. Prej popullsisë hebraike që jetonte në Evropë, u shfaros 2/3. Por, në këtë raport, nuk hyjnë hebrenjtë e Shqipërisë.
Shqipëria jonë e vogël është i vetmi vend ku në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte vetëm 200 hebrenj që jetonin në Tiranë, kurse në fund të saj 2 mijë. Fakti që hyn te ato pak vende ku për më tepër popullsia hebraike u dhjetëfishua në fund të luftës, kurse në vende të tjera patën tjetër fat, na bën të ndihemi sadopak krenarë.
Pas pushtimit gjerman në 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të zbatojë urdhrat e pushtuesit për të kthyer listat e hebrenjve që banojnë brenda kufijve të vendit. Për më tepër, agjencitë e ndryshme qeveritare u siguruan shumë familjeve hebraike dokumente të rreme, që i lejonin ata të përziheshin midis pjesës tjetër të popullsisë apo për të udhëtuar në një destinacion tjetër siç ishte toka e premtuar, Amerika.
Thuhet se në vitin 1935, Albert Ajnshtajni përfitoi nga ndihma shqiptare për të kaluar nëpër Evropë në Amerikë. Ai qëndroi në Durrës, në bregdetin shqiptar, për tre ditë, në rezidencën mbretërore dhe më pas, i pajisur me një pasaportë shqiptare, vazhdoi rrugëtimin e tij drejt botës së lirë.
Por, jo të gjithë e patën këtë fat.
Udhëtonin për ditë të tëra. Jo thjesht dhe vetëm se s’kishte trena, sikurse ishin destinacioneve të tjera të Evropës së zhvilluar, por edhe sepse të udhëtoje në mënyrë të rregullt ishte e rrezikshme. Kështuqë,hebrenjtë udhëtonin me këmbë, pa bukë, pa ujë dhe natën. Detyrimisht natën, derisa më në fund mbërrinin në derën ku duhej të trokisnin. Rreziku ishte aty, pas asaj dere në fakt.
E megjithatë në derën shqiptare, siç rezultoi,askush nuk do t’i kallëzonte rreth e rrotull, asnjë prej fqinjëve nuk do të shkonte t’i kërkonte dokumentet për të vërtetuar nëse ishin të ligjshëm siç i ndodhi, sa për të dhënë një shembull, në Poloni, Vladislav Shpilmanit, pianistit të famshëm, që fqinja e apartamentit ku ishte fshehur i kërkonte letërnjoftimin... Në shumë vende ndodhte kështu. Por, jo në Shqipëri.
Të gjitha historitë kishin pak a shumë një të përbashkët: shumë familje hebraike erdhën nga Jugosllavia e pushtuar dhe ndihmoheshin për t’u strehuar dhe më pas për të kaluar në Shqipëri nga tregtarë Kosovarë, si familja e Arsllan Reznqit nga Deçani, që kishin lidhje me tregtarët dhe intelektualë nga Shqipëria, të cilët më pas i shpërndanin nëpër qytete apo fshatra më të sigurta të vendit.
Unë do t’ju tregoj vetëm një histori. Njërën prej tyre, që kushedi sa herë të tjera është përsëritur gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, pikë për pikë, njëlloj, qyteteve a fshatrave të Shqipërisë… Pra, do t’ju tregoj një histori që i përmbledh të gjitha të tjerat…
Hebrenjtë, sigurisht, nuk trokisnin kuturu. Sidomos, jo në ato kohë të rrezikshme për ta e për të gjithë. E dinin se cila ishte dera që kërkonin. Një nga dyert ku trokisnin ishte ajo e doktor Kristidhit. M’u në mes të Tiranës, në rrugën “Hoxha Tahsim”, pak metra mbi sheshin Avni Rustemi.
Ishte një shtëpi me dy kate dhe me një bodrum. Bodrumi e bënte pikë strategjike. Ose së paku ashtu dukej. Jo thjesht se në një bodrum mund të fshihesh, por sidomos për shkak të një dritareje që kishte ai bodrum. Të zotët e shtëpisë, mendonin se në rast rreziku, i fshehuri mund të arratisej prej andej. S’e di nëse është përdorur ndonjëherë ajo dritare. Me gjasë jo, sepse nuk mund të ndodhte në Shqipëri një histori si ajo që tregova më sipër me Shpilmanin. A vinin gjermanët për kontroll? Po, sigurisht që vinin, por doktori okulist dinte t’i përcillte duke i hutuar me gjermanishten e tij prej studenti që e ka kryer shkollën në Vjenë. Kishte ç’të fliste me oficerët për t’i shpërqendruar ata e për t’ua fashitur dyshimet. Doktor Kristidhi nuk ka fshehur as një e as dy hebrenj. Trokitjet e netëve në derën e tij ishin të shpeshta. Ai i strehonte për pak dhe pastaj u gjente një vendstrehim edhe më të sigurt, kryesisht fshatrave, ku gjermanëve nuk u binte rruga.
U drejtohej pacientëve të tij, doktori i njihte mirë disa syresh, ua dinte karakterin. Ishin të varfër po, por kjo s’kishte rëndësi. Ata ishin bujarë, ata ishin të besës. Dhe pastaj, ata e vlerësonin shumë doktorin e tyre, i cili kushedi se sa herë nuk u kishte marrë para për shërbimet që u ofronte. Kështu, ata vinin sapo doktori i thërriste, dhe pastaj, sërish me natë, sikurse edhe kur kishin mbërritur, hebrenjtë dilnin me fshatarin që vinte t’i merrte e që do t’i ofronte tash e tutje strehë e ushqim në shtëpinë e tij…
Por, kishte edhe raste kur mysafirët qëndronin më gjatë.
E bija e doktor Kristidhit, pianistja jonë e mirënjohur, Margarita Kristidhi, që të gjithë e njohin si Bebi, ka rrëfyer një histori për Jozefin. Një hebre që ka qëndruar dy vjet te Kristidhët dhe për këtë arsye, sado e vogël që ishte, Bebi e mban mend mirë.
E patën fshehur hebreun Jozef pak kohë, sa iu rritën flokët, e pastaj u thanë të gjithëve se ishte një familjar i tyre... E fshehën sa iu rritën flokët, jo thjesht se ishte i qethur e mund të tërhiqte vëmendjen, por sepse mbi kafkë kishte një shenjë të dukshme në formën e germës “J”. Bebi, fare e vogël asokohe, bëhej kureshtare për atë shenjë të çuditshme në kokë. Askujt s’ia kish parë. Kurse hebreu Jozef, i thoshte se ishte tatuazh. Se kishte zgjedhur të bënte tatuazh gërmën e emrit të tij dhe pikërisht në kokë.
Do të kalonin vite, lufta kishte mbaruar, hebreu ishte kthyer në shtëpi, kur Bebi mësoi se shkronja “J” ishte vula e gjithsecilit jude, të kampit prej nga fatmirësisht Jozefi kishte mundur të arratisej. Do të mësonte shumë gjëra për Jozefin dhe historinë e tij, por edhe për hebrenj të tjerë që trokitën netëve në derën e shtëpisë së saj. Do të mësonte përmbajtjen e letrave që posta i sillte babait të saj. Letra nga larg. Letra falenderimi për doktorin e Tiranës. Do të mësonte për këtë pjesë të rëndësishme të historisë së familjes së saj. Për këtë pjesë të historisë së shqiptarëve në fakt, e cila të gjithëve ne, na bën ta mbajmë kokën lart për paraardhësit tanë... Ndaj, sot kam nderin të përmend disa nga këto familje:
- Familja e vëllezërve Hamid Veseli and Xhemal Veseli nga Kruja, të cilët strehuan familjen e Joseph Ben Joseph, si dhe familjen Mandil,
- Familja e Nuro Hoxhës nga Vlora, e cila strehoi familjen prej 12 anëtarësh të Ilia Sollomonit dhe Mojsi Negrin,
- Familja e Besim dhe Aishe Kadiu nga Kavaja, që strehuan motër e vëlla, Jakov dhe Sandra Batino.
- Familja e Destan dhe Lime Balla nga Shëngjergji i Tiranës, të cilët shpëtuan familjen e Sollomon dhe Mordehaj Lazar,
- Familja e Ali Sheqer Pashkaj nga Puka, e cila shpëtoi nga pushkatimi dhe strehoi me pas djaloshin Yeoshua Baruchowiç.
- Familja e Rifat Hoxhës, një klerik mysliman që kishte një furrë buke dhe e mbyllipërt’i hapur derën për strehimin e familjeve hebraike.
- Familja e Haxhi Dede Reshat Bardhi, kleriku i lartë bektashi, kryegjysh botëror i bektashinjve – familja e të cilit, gjithashtu dha kontributin e vet në ndihmën ndaj familjeve hebraike.
Por virtytet, fisnikëria dhe bujaria e shqiptarëve do të hetohej pak vite më herët kur në vitin 1934, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Herman Bernstein do ta përshkruante kështu Shqipërinë:
"Nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria ndodh që të jetë një nga tokat e rralla në Evropë sot, ku paragjykimet fetare dhe urrejtja nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tre besime."
E teksa kujtova të gjitha këto ndjesi dhe histori më rroku një emocion për popullin shqiptar, hebre dhe atë amerikan.
Në 100 vitet e Tiranës kryeqytet, tiranasit u solidarizuan masivisht dy herë, me hebrenjtë dhe kosovarët, me këta njerëz të cilët për fat kanë dy të përbashkëta: përjetuan ligësinë e paimagjinueshme njerëzore dhe u nxorën nga ferri nga i njëjti engjëll shpëtues. E për fat të mirë, si për shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe për hebrenjtë,sot emrat e Franklin D. Roosevelt dhe Bill Klinton jehojnë po aq fuqishëm sa heronjtë e historisë së tyre.
Falë këtij lidershipi që rrezatoi fisnikëri dhe frymëzim për demokracinë, humanizmin dhe lirinë, populli amerikan lëshoi të gjithë forcën e tij kundër së keqes së Hitlerit dhe Millosheviçit.
Ndaj, ky memorial nuk është vetëm një simbol i mirënjohjes ndaj familjeve të Tiranës dhe Shqipërisë, që dhanë gjithçka për të ndihmuar hebrenjtë dhe kosovarët,por edhe një përkujtimore e urave të përjetshme të miqësisë ndaj popullit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës.
Kultura e heshtjes nën regjimin komunist, shpjegon pjesërisht se pse shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët ka mbetur relativisht i panjohur për shumë dekada, sipas studiuesve të Yad Vashem - Qendra Botërore e Kujtimit të Holokaustit. E megjithatë, mbas rënies së komunizmit, Izraeli ka njohur shumë persona nga Shqipëria (78) me titullin e “Të Drejtë midis Kombeve” (Righteous Among the Nations) – titull nderi i shtetit hebre për jo-hebrenjtë, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Kam besimin që për popullin hebre dhe komunitetin që jeton në Tiranë ky memorial do të jetë një zë që i apelon shpresës dhe bujarisë së popullit shqiptar. Por mbi të gjitha ky memorial do t’i shërbejë brezave në përkujtimin se jeta është një “peshore” mes FRIKËS dhe SHPRESËS. FRIKËS për atë se çkaështë në gjendje njerëzimi t’i bëjë vetes dhe SHPRESËS se e mira gjithmonë triumfon mbi të keqen. Njerëzimi qëndron mes këtyredy fjalëve dhe na takon neve si liderë apo si qytetarë të thjeshtë t’u mësojmë tërinjve se në cilën anë të historisë duhet të peshojnë.
Dua ta mbyll fjalën me rrëfimin e Irene Grunbaum, një hebraike, që ka shkruar autobiografinë në librin ARRATISJE PËRMES BALLKANIT, për të përçuar emocionin e mirënjohjes dhe vlerësimit të sinqertë të atyre që ja dolën t’i shpëtonin tmerrit.
“Lamtumirë Shqipëri!
Më ke dhënë kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri!
Një ditë do t’i them botës mbarë se sa të guximshëm, sa të patrembur, sa të fortë dhe sa të besës i ke djemtë. Se as vdekja dhe as djalli nuk i trembin dot. Do t’i them se si e mbrojtën ata një refugjate dhe nuk lejuan kënd t’i bëjë keq, edhe sikur kjo gjë të kërkonte jetën e tyre.
Portat e vendit tënd të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. Autoritetet e tua i mbyllnin sytë, kur qe e nevojshme, për t’i dhënë popullit të varfër e të përndjekur edhe një shans për t’i mbijetuar më mizores së të gjitha luftërave.
Shqipëri! Ne i mbijetuam tmerrit, në sajë të humanizmit tënd.
Ne të falënderojmë!”
Besoj fort se fryma e treguar në ato vite të vështira, duhet ruajtur e gjallë dhe kultivuar në gjeneratat që vijnë.Kam shumë shpresë se ky memorial do ta ruajë këtë raport special me populli hebre, komunitetin hebraik në Tiranë, por edhe me miqtë që kemi në Amerikë apo me miqtë e besimeve të tjera që e kultivojnë përditë këtë frymë të bashkëpunimit.
Sot jam shumë krenar që po ndërtojmë raporte speciale dhe ura bashkëpunimi nën një qiell të përbashkët mes Tiranës, Tel Avivit, Haifës, dhe Jeruzalemit. Shqipëria, Tirana, dhe populli shqiptar ka shumë për të mësuar nga shembulli i Izraelit dhe komunitetit hebre, qoftë për ruajtjen e historisë, unitetin dhe bashkiminsi mjetet më të rëndësishme për të arritur qëllimet e përbashkëtanë 100 vitet e ardhshme.
Faleminderit.