
Mirëmëngjes të gjithëve! Gëzuar Festat!
Ju falenderoj shumë për pjesëmarrjen sot. E di që për pjesën më të madhe të qytetit kanë filluar pushimet, megjithatëkush ka pasur të bëjë me Bashkinë e Tiranës, e di që ky është një operacion 24/7, 365 ditë të vitit. Patëm një mundësi dje, me një pjesë të madhe të kolegëve të Këshillit, të uronim Krishtlindjet në të gjitha komunitetet e Krishtera të qytetit tonë. Sot në darkë, me propozim të Imzot Frendos - ka qenë një kritikë që ma kanë bërë nga vitet e kaluara, ne shtrojmë darka iftari dhe darka Bajrami, ndërkohë nuk kemi pasur një darkë zyrtare të Krishtlindjeve - kështu që, këshillën e Imzot Frendos do ta zbatoj nga sot, duke qenë se për të gjitha komunitetet e Krishtera, ditët para Krishtlindjes janë të zëna me shërbesën, darka zyrtare do të jetë sot.
Po kështu, përveç Kishës Katolike, kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Kishën Ortodokse në qytetin tonë. Kryeministri po përgatit një VKM për të transferuar në inventarin e Bashkisë së Tiranës tokën e Kishës së Shën Prokopit në kodrat e Liqenit. Më pas, me një vendim të Këshillit Bashkiak, do të bëjmë formalitetin e dhurimit të tokës së Kishës, diçka që në fakt duhet të kishte ndodhur që në vitin ‘91-92kurbashkësisë dhe komunitetit Ortodoks iu kthye ish-restoranti, ish-Kisha deri në revolucionin kulturor të ‘67-ës, por asnjëherë nuk u bënë letrat për diçka të tillë. Tani që kemi vendosur që Kisha e Shën Prokopit do të ndërtohet siç ka qenë Kisha origjinale, besoj kemi një lajm të mirë edhe për komunitetin Ortodoks.
Ndërkohë, edhe për komunitetin e Krishterë dhe Ungjillor, kemi një ndihmesë të vogël për një Kishë që është prishur dhe dëmtuar. Pra, kemi pasur lajme të mira për të gjitha bashkësitë e Krishtera të qytetit tonë këtë Krishtlindje.
Kjo e sotmja është padyshim mbledhja më e rëndësishme e vitit për të gjithësepse do të miratojmë buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin që vjen, që përkon edhe me 100 vjetorin e Tiranës Kryeqytet. Por, përpara se të kalojmë tek diskutimet për buxhetin, dua të përfitoj nga ky rast per të thënë disa gjëra:
Kjo është mbledhja e fundit për këtë vit - ose shpresoj e fundit, nëse nuk do të kemi një emergjencë - një vit që besoj ka qenë sa i suksesshëm për Tiranën, por po aq edhe sfidues e i vështirë me gjithçka ndodhi në qytetin e në vendin tonë. Them i vështirë sepse tërmeti i 21 shtatorit, e më pas ai shkatërrues i 26 nëntorit, la jo pak shenja në jetën e secilit prej nesh. Ishte nga ato ngjarje, të cilat të mbesin gjatë në kujtesë e nuk harrohen lehtë. Ashtu si brezittimi kujtonin gjithmonë tërmetin e ’79-ës, që unë nuk e përjetova, por që më ka shoqëruar gjithë jetën si një diskutim me të afërmit, jam i sigurt që ky i 2019-ës do të shoqërojë gjithë gjeneratën e re të shqiptarëve sa të jetë jeta, sigurisht, për shkak të viktimave që ky tërmet shkaktoi, tronditjen e madhe tek fëmijët e të rriturit, apo për dëmet e mëdha në shtëpitë e shumë familjeve të Tiranës, Durrësit, Thumanës, Laçit dhe gjithë zonave të prekura.
Por, ky tërmet nuk do të harrohet lehtë sepse në ditët që e pasuan kuptuam se kemi një forcë të madhe brenda vetes, një forcë që na bëri të ringrihemi më shpejt dhe më të fortë se më parë: Dashuria për njëri-tjetrin, për këtë qytet dhe për këtë vend. Qyteti ynë sot është më i bashkuar se kurrë e më solidar se asnjëherë tjetër, e kjo më mbush me krenari, entuziazëm dhe energji për vitin 2020. Ndaj, sot kam një urim të veçantë për të gjithë ju, qytetarët e Tiranës, në qendër a në periferi, por edhe qytetarët e qyteteve të tjera që u prekën rëndë nga tërmeti, që tavolinën ta kenë plot, por zemrën ta kenë akoma edhe më plot. Tërmeti mund të na ketë gjunjëzuar për pak kohë, por nuk na vuri poshtë per asnjë çast!
E ndërsa ekipet tona të shërbimeve sociale edhe sot janë duke shkuar fshat më fshat për të ndarë dhurata për fëmijët, dua të falenderoj dhe u jap një përqafim të veçantë të gjithë fëmijëve të Tiranësqë u përfshinë në “Operacionin Kutia”. Ishte mbresëlënëse të shihje sesa shumë fëmijë të kopshteve apo nxënës shkollashkishin dëshirë të kontribuonin për bashkëmoshatarët e tyre, që edhe ata të festonin Krishtlindjen dhe Vitin e Ri si gjithë fëmijët e tjerë. Ky operacion iu kushtua të gjithë fëmijëve të prekur nga tërmeti në fshatrat e Tiranës, në Durrës apo Thumanë e Laç, dhe tregoi edhe një herë se vlera më e madhe që ka qyteti ynë është, bujaria. Ndaj, i falenderoj të gjithë vogëlushët e Tiranës: Më mbushin me krenari për të ardhmen e këtij qyteti e u premtoj se edhe në mandatin e dytë do të punoj për ta, që qyteti të jetë i tyre, sa është edhe i yni.
Një nga momentet më të rëndësishme të këtyre festave është edhe dhënia e ndihmës për njerëzit në nevojë. Dje festuam Krishtlindjen duke shërbyer një vakt të ngrohtë për të gjithë njerëzit e pamundur dhe në nevojë, apo të moshuar ose për ata që janë të vetmuar. E kemi kthyer në traditë tashmë, që qendrat tona sociale shtrojnë dreka të veçanta për festat, që kushdo të trajtohet me dashuri dhe ngrohtësi. Njeriu, sidomos në prag festash, ka nevojë për dashuri dhe t’i ndjejë të tjerët pranë. Ndaj, do ju kërkoja që krahas kohës për familjen tuaj, të gjenit kohë të kalonit pak çaste edhe me njerëzit në nevojë; mund të jetë një komshi, a ndonjë i afërm, a një çift të moshuarish të vetmuar, besoj që secili prej nesh mund të gjejë një orë kohë të na bashkohet në programet që kemi për asistencën sociale për të nadhënënjë dorë.
Nga ana tjetër, jam shume i lumtur që kemi mbajtur fjalën për familjet që u prekën nga tërmeti i 21 shtatorit. Siç na keni parë, çdo ditë me kryeministrin jemi duke dhënë nga një shtëpi të re, dhe besoj deri në natën e ndërrimit të viteve do të kemi 50 shtëpi të ndërtuara në Tiranë, të reja, shumë prej tyre edhe më të mëdhaja, sigurisht edhe më të mira sesa shtëpitë që shkatërroi tërmeti i parë. Disa prej donatorëve, nga rreth 50 donatorëqë kanë dhuruar këto shtëpi, janë këtu mes nesh. Dua të falënderoj Luanin, Gazin, Eridjanin, dhe gjithë kolegët e tjerë që janë bërë pjesë e këtij operacioni për të ndihmuar me shtëpitë e reja, të atyre që u prekën nga tërmeti i parë. Bashkë me kryeministrin kemi qenë në disa prej këtyre shtëpive për të dhënë çelësin e shtëpisë së re: nga Rifati në Vishnje, Momë Hidja në Mazrek, Sefer Poçi në Farkë, Fiqiri Lami në Mazrek, Osman Toshi në Arbanë, Ramazan Matera në Ndroq, Xhevdet Belegu në Petrelë, Edmond dhe Hajrie Zela në Vaqarr, e shumë të tjerë. Sot me Kryeministrin do të jemi në shtëpinë e re të Mynyr Stafës në Picallë të Petrelës. Është tregues se nëse e premtojmë diçka, e bëjmë. Ndoshta, jo aq shpejt sa do të donim, duke qenë se tërmeti i dytë na gjeti teksa rikuperonim nga tërmeti i parë, por gjithsesi brenda afatit që ne lamë për këto shtëpi, para Vitit të Ri.
Kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë ju, puna e rindërtimit nuk mbyllet këtu. Edhe sot ne do të kalojmë 300 bonuse qiraje për ta çuar mbi 2000 numrin e familjeve që e ka qiranë 100% të paguar nga Bashkia e Tiranës, teksa paralelisht po zhvillohet një takim në Këshillin e Ministrave që të na autorizojë që për pallatet e evakuuara të bëjmë një studim të thellë, për të zbuluar nëse janë të rikuperueshme, dhe nëse po, me çfarë rikuperimi. Do të duhet t’i ndërtojmë nga e para, nëse s’janë apo do të duhet t’i përforcojmë nëse janë të rikuperueshme, dhe cila është kostoja. Atje ku kostoja përafrohet me ndërtimin nga e para, do të preferonim t’i bënim nga e para sesa të arnonim një ndërtim të vjetër.
Kam një mirënjohje të veçantë, jo vetëm për ju këtu në sallë, por edhe për gjithë ekipin tim, ata që janë pas shpinës time në terren apo në zyrat e tjera të Bashkisë, që kanë menaxhuar me profesionalizëm dhe përkushtim një emergjencë të pazakontë për qytetin tonë. Strehuam në kohë rekord në shtëpi me qira familjet e para dhe sot e kalojmë shifrën mbi 2000 familje. Dua t’ju falënderoj për shumë mbledhje urgjente. E di që ka qenë fundi i vitit dhe shumë prej jush përveç se keni qenë anëtarë të Këshillit Bashkiak, keni pasur edhe familjet e të afërmit tuaj për t’u kujdesur, por besoj që ia dolëm të gjithë bashkë dhe mund ta quajmë që faza e emergjencës për Tiranën ka kaluar.
Me projektin e rindërtimit do të vijojmë që në ditët e para të janarit. Modelin e parë të këtij projekti kemi nisur ta vëmë në jetë për lagjen e re në Vaqarr, aty ku së bashku me Kryeministrin kemi vendosur që ish-Poligoni, i cili dje kaloi me VKM në pronë të Bashkisë së Tiranës, të jetë modeli ynë i parë dhe pastaj do të vazhdojmë edhe në Baldushk, Pezë e Petrelë, Ndroq, Zallherr dhe zona të tjera, ku modeli që kemi preferuar është një model që i qendërzon këto shtëpi. Pra, në vend që të shkojmë në shtëpi në fshatra të largët, ta shfrytëzojmë edhe si një mundësi për t’i afruar. Nga Gjysulkonja, Kërçukja, fshatra që janë dy orë larg nga qendra e Tiranës, e kanë emrin kryeqytet, por janë distanca ku shumë prej fëmijëve shkojnë në shkolla dhe klasa kolektive: Një i klasës së parë me një të klasës së tretë, me një mësues në të njëjtën orë mësimi dhe në të njëjtën dhomë. Kjo është një mundësi ideale për të prerë këtë zinxhir të varfërisë që nuk shkëputet me gjenerata, duke shfrytëzuar mundësinë e një shtëpie të re, por edhe si një shans për një jetë të re për këta fëmijë, që do të qendërzohen dhe do të shkojnë në shkollë në një klasë me bashkëmoshatarët e tyre dhe jo me shumë veta në një klasë kolektive.
Ndërkohë, me qeverinë po ecim shpejt edhe me disa projekte të tjera për rindërtimin e disa lagjeve të reja të Tiranës. Kemi filluar rikonjicionin për lagjen e re në Kombinat, e cila në fakt ndodhet në anën tjetër të rrugës. Madje, më kujtohet shtëpia që dhamë për familjen që fatkeqësisht humbi vajzën gjatë tërmetit në Kombinat, qëishte në anën tjetër të rrugës. Pra, duam që ai lloj zhvillimi cilësor, dinjitoz edhe estetik, të jetë etalon për lagjen e re, kurse banorët të kalojnë vetëm rrugën, pa e prishur ekosistemin e tyre, që do të thotë fëmijët të shkojnënë të njëjtat shkolla, kopshte, çerdhe, por thjesht duke kaluar në anën tjetër të rrugës, për të shfrytëzuar hapësirat nga ish-godinat, si hapësira publike. Siç na rekomanduan edhe ekspertët japonezë, me të cilët po punojmëpër të marrë masat përgatitore në një terren shumë sizmik siç është rajoni ynë, na duhet të kemi hapësira publike që shërbejnë si vendtakime, nëse do të ketë një tërmet në të ardhmen.
Për të gjitha këto arsye, urbanizimi që do të ndodhë në Kombinat do të jetë i paprecedentë. I tillë është ai te 5 Maji, fundi i kësaj rruge, lagjja e re që po projektojmë te Bregu i Lumit. Shumica e qyteteve në Europë apo në botë, duke filluar nga Kajro apo Roma, janë zhvilluar buzë lumenjve. Lumenjtë kanë qenë jeta. Ndërkohë, ne Bregun e Lumit e kemi pasur fjalë të keqe. Duam që Lumin e Tiranës të mos e shohim si një vend të humbur, por ta transformojmë në një lagjeideale. Lagjja tjetër që po përgatitemi ka të bëjë me hapësirën tek Uzina e Autotraktorëve. Duke qenë se një pjesë e pallateve janë dëmtuar në zonën e Kombinatit, besoj se kjo hapësirë, që është tashmë në pronë të Bashkisë, mund të jetë nga të parat që fillon, pasi ka edhe më pak kleçka për pronën. Është pronë 100% e jona. Menjëherë mund të fillojmë ndërtimin e lagjes së re aty. Besoj disa nga këto vendime do i kemi të parat për fillimin e vitit tjetër. Nëse do t’i vija një titull vitit 2020, do të ishte: Viti i punës, i rindërtimit dhe i shpresës.
Nuk mund të rri pa e përmendur senë buxhetin e 2020 do të shihni edhe një reflektim të situatës së emergjencës. Në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen civile”, në buxhet janë pasqyruar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Këshillit të Ministrave mbi gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në të cilin është sanksionuar fakti se për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, institucionet publike janë të detyruara të marrin masa të jashtëzakonshme për përballimin e kësaj situate. Për sa më sipër, është reflektuar marrja e masave për akordimin e fondeve të nevojshme në emergjencat civile, duke ndryshuar buxhetin e vitit 2019 dhe duke riparë zërat kryesore, si dhe fondin e emergjencës. Për vitin e ardhshëm, kemi shumëfishuar zërin për fondin e emergjencave në krahasim me një vit më parë, duke i dhënë një rëndësi më të madhe këtij zëri në buxhetin e bashkisë.
Emergjencat, reagimi në kohë, sistemimi i qytetarëve të prekur nga tërmeti, rindërtimi i shtëpive, të gjitha këto kanë rëndësi sepse prekin jetë njerëzish, por ajo që besoj se është më e rëndësishme është që Tirana të evitojë një tërmet ekonomik.Pavarësisht se Tirana tregoi se është një qytet që ia del mbanë edhe në sfida të tilla, kaq të vështira, që do të vinin në vështirësi edhe qytetet më të zhvilluara të Europës, siç ka ndodhur në Itali apo Greqi me raste të ngjashme, është tepër e rëndësishme që të mos lejojmë që trauma psikologjike e tërmetit të prekë edhe ekonominë e qytetit.
Sigurisht, reagimi në kohë tregon se rritja ekonomike e Tiranës ka ndjekur të njëjtin trend rritjeje të qëndrueshme dhe kjo më mbush me shpresë edhe për vitin që vjen. Por, viti 2020 është një sfidë e posaçme kur vjen puna tek zhvillimi i ekonomisë. Tirana është rritur në vitin e fundit, sipas INSTAT, si qark, me 8%, ndërkohë që si kryeqytet, si bashki, jemi rritur me 11%, që për koincidencë përkon edhe me rritjen e buxhetit. Pra, buxheti mban hapin e rritjes ekonomike të qytetit tonë me 11%.
Jo më kot në këto ditë festash mesazhi im ka qenë: Nëse doni të ndihmoni, shpenzoni para në këto zona, blini produkte të zonës. Kjo është arsyeja që këtë vit, posaçërisht kemi insistuar: Blini gjelat në Baldushk, merreni verën në Lundër, blijeni domaten në Shëngjergj, merreni vajin e ullirit në Ndroq, si një mënyrë për të kontribuar direkt në ekonominë e këtyre zonave të prekura. Fjalët inkurajuese bëjnë derman deri në një farë mase, por pas fjalëve inkurajuese, tani që ka kaluar një muaj nga tërmeti, na duhen veprime inkurajuese dhe veprim më inkurajues se financatnuk ka. E shoh këtë në të gjitha familjet që kemi vizituar dhe më vjen mirë që këtë vit kemi filluar edhe më herët me tregun në Baldushk. Do inkurajoja të gjithë ata që kanë biznese, që bëjnë porosi të mëdha, t’i fokusojnë investimet në zonat e prekura, sidomos në Tiranën rurale. Kur dikush blen një gjel deti në Baldushk, që fare mirë mund ta kishte blerë edhe në supermarket, në fakt sapo ka ndihmuar që të paguhet meremetimi i çatisë së asaj shtëpie, sapo ka blerë rrobat dhe librat e atyre fëmijëve që të shkojnë në shkollë, të mësojnë, të vishen ngrohtë dhe të marrin 10-ta.Nëse secili e lidh shpenzimin me këtë situatë ekonomike që po kalojmë, besoj se do jetë edhe më kuptimplotë festa e vitit të ri dhe gjithë shpenzimet e fundvitit për Tiranën.
Kemi hapur fshatin e festave, më vjen mirë që në 07:00 të mëngjesit e gjejmë plot, e deri vonë në darkë kur e lëmë këtë zyrë, por mesazhi im është: Konsumoni, konsumoni, konsumoni! Duke shpenzuar e qarkulluar financat në ekonomi, sigurohemi që nuk prekemi nga një tërmet ekonomik dhe besoj që shenjat janë të mira.
E për ta mbyllur kapitullin e tërmetit dhe para se të kaloj në një prezantim të shkurtër të buxhetit 2020 dhe projekteve madhore që parashikojmë të realizojmë vitin tjetër, nuk mund të lë pa përmendur një nga sukseset e mëdha të vitit që po lëmë pas, por që por shkak të tërmetit kaloi në plan të dytë: Përzgjedhja e Tiranës si kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022.Është ndoshta një nga arritjet më të mëdha të kryeqytetit tonë në këto 100 vite, një afirmim fantastik që besoj do e kthejmë të gjithë në një mundësi dhe histori suksesi për vitin 2022.
Jam i bindur se 2020-ta do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për qytetin tonë. Jemi mbledhur këtu sot, që të marrim disa vendime të rëndësishme së bashku. Na presin shumë punë të mira, që duan shumë energji, vullnet e këmbëngulje për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës.Sot miratojmë buxhetin më të madh në 100 vjet të Bashkisë së Tiranës kryeqytet dhe Buxhetin e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet. Është një vit jubile për të cilin jemi duke u përgatitur me shumë aktivitete e ngjarje kulturore, për të lënë realisht shenjë në 100 vjetorin e qytetit tonë.
Lajmi i mirë për të gjithë qytetarët është se edhe buxheti i vitit 2020 është sërish buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës, i rritur me 11% në krahasim me vitin e kaluar, duke sjellë kështu më shumë investime për të gjithë ata që kanë vendosur ta quajnë Tiranën shtëpinë e tyre të madhe. Fakti që ky është viti i pestë rresht që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi mirë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër. Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin dhe një fillim i mbarë i mandatit të dytë.
Një falenderim anëtarëve të komisioneve të Këshillit Bashkiak që kanë diskutuar prej disa ditësh dhe më pas miratuar këtë buxhet, që të gjithë kemi sot në tryezë dhe që do të mbetet në historinë e qytetit. Më vjen mirë, gjithashtu, që ndoqëm traditën e vendosur që në vitin tonë të parë në detyrë, për konsultimet publike dhe buxhetimin me pjesëmarrje, duke e kaluar këtë buxhet në çdo njësi të Tiranës, për të kuptuar realisht nevojat e qytetarëve.
Buxhetet e mandatit të parë i kanë arritur tashmë objektivat e rikthimit të Tiranës në punë, duke përfunduar disa nga projektet e mëdha strategjike; Një nga gjërat që gjithë turistët apo ata që vizitojnë Tiranën thonë është se gjithandej gëlon jeta, ka lëvizje, një qytet që transformohet sa herë që e viziton. Kanë përfunduar disa nga projektet e mëdha strategjike, përfshirë edhe këtë shesh, nga ku hyjmë në këtë ndërtesë; është ndërhyrë në pjesën dërrmuese të lagjeve të qytetit me projekte rigjenerimi urban; është sot qytet më i pastër, dita me natën me ç’ka qenë, por sigurisht edhe çështja e pastrimit dhe shtimi i gjelbërimit është një punë në proces që do të duhet të vijojë; është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura në të gjitha çerdhet e kopshtet e qytetit; kemi ndërtuar disa shkolla të reja; janë krijuar hapësira të reja rekreative; është rigjallëruar jeta kulturore dhe masivizimi i sporteve.
Shumë prej këtyre projekteve janë realizuar gjatë vitit 2019: jam shumë i lumtur që kemi ecur mirë me projektin e shkollave të reja. Inaguruam shkollën e shkëlqyer të muzikës “Servete Maçi”, e cila bashkë me shkollën “Kosova”, janë etalon sesi do të jenë shkollat e reja në Tiranë. Gjatë prishjeve në Universitetin Bujqësor,ku do të ndërtojmënjë kampus të ri, si ai në qytetin “Studenti”,patëm mundësinë për një vizitë të shpejtë me kryeministrin tek shkolla e re “Nënë Tereza”, e cila pothuajse ka mbaruar karabinaja dhe besoj në shtator do të jetë gati për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e Kodër-Kamzës, që është zona më fundore e Tiranës. Do të ketë njëjtën cilësi si shkolla “Kosova” apo shkolla e re “Servete Maçi”.
Po vazhdojmëedhe me shkollën tjetër në “Don Bosko”. Dje morëm një lajm të mirë nga kryeministri dhe qeveria, na kanë kaluar një tokë, ish parkingun e Policisë Ushtarake në zonën e Saukut, ku do tëjetë shkolla e re e Saukut. Ky ështënjë lajm i shkëlqyer për Njësinë 2, duke qenë se ka pasur një ngarkesë të jashtëzakonshme, që edhe shkolla “Kosova” nuk e zgjidh dot. Shkolla “Osman Myderizi”, ish shkolla Labinoti e mbingarkur, ndaj me pronën e re që na u transferua dje mund të fillojmë edhe lotin e fundit të shkollave të projektit tonë të 17 shkollave.
Por, teksa kemi buxhetin më të madh në historinë e 100 viteve të Tiranës kryeqytet, investimet e mëdha kërkojnë edhe mirëmbajtje. Ka qenë edhe një ndër vërejtjet që kemi pasur nga qytetarët dhe dëgjesat që kemi bërë në komunitet. Parashikimi është që për çdo 100 lekë të investuar në Tiranë, për vitin pasardhës do të duhet të parashikojmë 7 lekë për mirëmbajtjen e investimit të kryer. Ka shumë njerëz që thonë, shumë bukur këndi i lojrave, por në momentin që hypën një zdap 100 kg dhe shkul lisharset, kjo do mirëmbajtje konstante. Duam që investimet të kenë jetëgjatësi, ndaj këtë vit kemi reflektuar mirëmbajtjen si një prioritet i punëve që janë bërë, për të mos kaluar në një punë tjetër nëse degradon një punë që tashmë e kemi bërë.Si çdo qytet i madh ka shumë njerëz që thonë, s’bëhen shqiptarët! Nuk është kështu, patjetër që bëhen shqiptarët dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të pastër e nuk vandalizojnë, por si çdo qytet i madh, NjuJork, Paris, kudo vandalizohet, ka graffiti, pra ekziston një përqindje e vogël.
Dua të ndalem pak në disa projekte të mëdha dhe t’i vëmë pikat mbi “i”, për disa tema:Do bëhet apo jo Lana, Teatri, Astiri. Them që ka ardhur koha t’u kthejmë një përgjigje jo vetëm politikisht, por edhe me buxhetin që miratojmë sot.
Projekte si Teatri Kombëtar, Piramida, Unaza e Madhe, zgjerimi i Lanës, Zona Ekonomike në Kashar etj, do të marrin udhë me këtë buxhet në vitin 2020. Jam i vendosur që t’i shkojmë deri në fund çdo projekti që transformon Tiranën dhe e bën atë më të mirë për fëmijët tanë.
Megjithatë, kemi parë shpeshherë që për çdo projekt madhor të Tiranës, si dikur me lodrat te Liqeni apo Sheshin “Skënderbej”, të ngrihen “çeta” me individë që duan të ndalojnë punët e qytetit. Tani është bërë si modë: Sa herë ka një punë të madhe në qytet, ngrihet një çetë e vogël që e kundërshton, në kurriz të shumicës së heshtur që do zhvillimin. Janë të njëjtët njerëz që duan të pengojnë zhvillimin, hiqen si të dashuruar pas artit, mjedisit, Astirit, por është e njëjta skenë, i njëjti skenar, të njëjtët skenaristë, i njëjti grup njerëzish, si një cirk shëtitës, që pengon të gjitha projektet dhe fjala punë është gjëja e fundit që duan të shohin për qytetin tonë dhe kanë lajtmotiv pengimin apo bllokimin.
Janë po ata që s’duan që ne të festojmë, janë po ata që s’duan që ne të bëjmë kënde lojërash, janë po ata që s’duan që të bëjmë sheshe, janë po ata që s’duan që të bëjmë parqe, stadiumin, janë po ata dhe do të jenë po ata që do ta kundërshtojnëçdo punë tjetër të bashkisë.
Por, ja ku jemi sot: Tirana po bëhet gati për të festuar 100 – vjetorin Kryeqytet, ndërsa pak metra më tutje vazhdon teoria e vjetër për të ndalur zhvillimin.
Sot dua t’i bëj të qartë se çdokush që pengon zhvillimin e Tiranës do të ketë fatin e asaj çka ndodhi para pak ditësh tek Astri. Tirana nuk ndalet! Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugët, duan Piramidën, duan Teatrin, duan Bulevardin e Ri dhe zhvillimin aty, duan transformim në çdo lagje e çdo cep të qytetit. Askush nuk do të guxojë që të ndalë “orën” e Tiranës, as ata që ora u ngeci për katër vite, për të gjithë ata që e mbajnë mend betimin tonë në 2015.
Ndërkohë, kam edhe një lajm tjetër lidhur me punën e madhe që po bëjmë për Unazën në zonën e Astirit. Pas festave, të gjithë autobusët ndërqytetas që qëndrojnë te ish Dogana, do të duhet vetëm të kalojnë rrugën nga ana tjetër, sepse terminali do të zhvendoset te kthesa e Kamzës, për ta përdorur parkingun e Bashkisë dhe terminalin provizor që kishim aty, si një kantier për investimettek sheshi “Shqiponja”, ku do tëjetë nënkalimi, që viti tjetër të mos jetë një tjetër vit trafiku në Tiranë në kohë festash, por të jetë një vit ku secili shkon në orar për festë, hall apo çdo lloj pune tjetër.
Jemi të vendosur ta nisë 2020-ën dhe 100 vjetorin tonë të dytë me disa që besoj se do të jenë ikona të shekullit të dytë të Tiranës.
PIRAMIDA
Piramida është projekti më i dashur për mua, e kam afër zemrës. Është një dhuratë të cilën unë dua t’ua bëj fëmijëve dhe të rinjve të shkëlqyer të Tiranës për vitin 2020, që besoj do jenë përfituesit e parë të një shkolle për gjeneratën e re të të rinjve shqiptarë. Ajo do të shndërrohet në një mjedis ku të rinjtë do të ndërveprojnë duke përdorur teknologjinë më të mirë nga profesionistë të fushës, si dhe do të ndërlidhet më së miri teknologjia dhe arti. Koncepti do të jetë mësimi nëpërmjet prodhimit (Learning by doing). Piramida do të kthehet në një mjedis ku do të edukohen dhe trajnohen mbi 2000 të rinj dhe të reja në mënyrë të rregullt e ndoshta mijëra të tjerë që do të marrin, le të themi kurse më të shkurtra, në varësi të programacionit që do të kemi në atë projekt.
Risia e rigjallërimit të qendrës qëndron në faktin se do të zbatohet modeli mësimor TUMO, për të cilin jemi dakordësuar me FSHA dhe me qeverinë shqiptare i cili është një lloj i ri i përvojës arsimore në kombinimin e teknologjisë dhe dizajnit. Programi mësimor parashikohet të përbëhet nga aktivitete të mësimit autodidakt, ëorkshope dhe laboratorë projektesh, ku fëmijët e të rinjtë i kombinojnë këto metoda mësimore personale që të përshtaten me preferencat e tyre dhe shkallën individuale të përparimit.
Mes këtyre programeve mësimore përfshihen: animacion, zhvillim lojërash dhe filmimesh, ueb dizajn, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelim 3D, programim, robotikë, fotografi, etj. Teksa të rinjtë përparojnë me projektet dhe praktikat ata do të krijojnë një portofol bazuar mbi rezultatet e tyre, i cili do të kthehet në një lloj diplome që do të dëshmojë rritjen e aftësive të tyre në fushat përkatëse dhe një pasaportë për punësimin e tyre të ardhshëm. Jemi të bindur se investimi në programe të tilla të zhvillimit kreativ të të rinjve do të jetë një nga investimet kryesore me impakt afatgjatë për një shoqëri më të zhvilluar në të ardhmen.
Kemi vendosur që të mos humbasim kohë! Jemi duke diskutuar me FSHA për ta filluar shkollën që quhet Piramida tek hapësirat e stadiumit të ri, një tjetër bizhu e Tiranës dhe një tjetër projekt që pati edhe ajo çetën e vet zhurmuese, por ka disa hapësira që nuk kanë lidhje fare me sportin, që janë hapësira që mund të përdoren në formë klasash apo seminaresh e ëorkshop-esh, ndaj jemi në një proces vendimmarje ku si institucion do e fillojmë më herët sesa të ketë shtëpinë e vet në ndërtesën e Piramidës.
KOPSHTI ZOOLOGJIK & BOTANIK
Kopshti Zoologjik është një nga projektet më të bukura të Tiranës. Duke e bashkuar edhe me Kopshtin Botanik do të krijojmë një mjedis argëtues për fëmijët, por edhe çlodhës për të prindërit dhe gjyshërit. Ky kopësht ka rreth 30 vjet që nuk ka bërë asnjë investim të mirëfilltë, para kanë pasur për mirëmbajtje, por koncepti i kafshëve në kafaz dhe degradimit që ka ndodhur ndër vite me zaptime e tokat që janë okupuar në çdo cep të atij territori, ka nevojë për një ndërhyrje të thellë dhe një marrje kontrolli absolute mbi atë territor. Edhe këtu kemi një çetë që bën zhurmë, e dini fare mirë. Kjo pronë është me Hipotekë, ështëe Bashkisë së Tiranës, me titull pronësie. Të mos bëjmë të njëjtën lojë që bëmë me Institutin Bujqësor, ku humbëm një vit kohë për shkollë të mrekullueshme. Është thirrje për kolegët e Universitetit: Do e mbyllim me turp, ku do dalim që bllokojmë projektet e fëmijëve, apo do respektojmë ligjet e këtij vendi, ku një pronë e Bashkisë së Tiranës, me titull pronësie, do tëtransformohet nga pronari, nga Bashkia e Tiranës, për t’u rritur si hapësirë dhe sigurisht, për t’u bërë më e shfrytëzuar nga qytetarët?
Dua t’ju kujtoj që Kopshti Botanik, nën administrimin e Universitetit, vitin e kaluar i kishte të ardhurat 5 mijë lekë. As 1/6 e rrogës së rojes, pra nuk ka fare të ardhura. Vetëm bakshishe nusesh që bëjnë foto për dezhurnin tek dera, por asnjë e ardhur si investim. Sigurisht, në universitet ka dy palë, një palë është pala politike që është pjesë e çetës që bën zhurmë dhe një palë është grupi i shqetësuar i pedagogëve, i atyre që duan të bëjnë shkencë. Për të parët, Zoti ua shtoftë inatin, se nuk ia dilni dot me vendosmërinë që kemi për të tranformuar qytetin, ngrini çetën partiake, do keni të njëjtin fund. Po shihja lajmet sot, m’u kujtua ai deputeti me patllake; atij Zoti ia bëftë 100 vjet, por kudo të shkojë, i kujtojnë gjithmonë këndin e lojrave, mdaje disa nga portalet nuk ia mbajnë mend emrin se ka ikur edhe nga Parlamenti dhe thonë: Ju kujtohet ky me këndin e lojrave, ndërkohë ai kishte folur për një temë krejt tjetër, por do e shoqërojë gjithë jetën patllakja e këndit të lojrave.
Pra, pyetja për këta njerëz është: Doni t’ju shoqërojë gjithë jetën imazhi i ca bllokuesve për punët që i shërbejnë fëmijëve të këtij qyteti dhe të ardhmes së këtij qyteti apo do thoni: Më mirë bashkia t’u japë dum këtyre projekteve, që ka vite që presin, sesa të mbahem mend tërë jetën me damkën e një bllokuesi dhe një penguesi!
Për grupin tjetër, që është grupi gjenuin, pra grupi vërtet i shqetësuar, dua t’u bëj një thirrje: Jemi ende duke pritur si e doni marrëveshjen e bashkëpunimit me Bashkinë, për të bërë shkencë të mirëfilltë; si i doni serrat, aksesin, sa e doni buxhetin? Pra, kush do shkencë, jemi këtu gati, gjithë vitin 2020 t’i presim të bëjmë shkencë bashkë; kush do sherr, e ka kot sepse me sherr e provuan edhe tek Astiri, e pamë si përfundoi ajo. Sa të çohet Luli nga gjumi në orën 11:00, Bashkia ka mbaruar punë 100 herë. Kjo punë dihet, kështu do shkojë Teatri e punët e tjera. Sa të çohet ai nga gjumi, ne i kemi mbaruar punët në qytet, jemi gati për të nisur festimet.
Dua t’ua bëj të qartë të dy grupeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Për grupin partiak, përgjigjen e kam gati, për grupin që do bashkëpunim e pres përgjigjen prej tyre, të na thonë çfarë duan dhe jemi shumë të gatshëm që të kenë realisht shkencë të mirëfilltë dhe jo 5 mijë lekë në vit nga fotot e nuseve.
T’ju bëj një provokim të vogël: Shkoni kaloni tani te rruga e Elbasanit, tek Filologjiku dhe shikoni një investim qëka bërë Universiteti, shikoni si është trotuari! I njëjti trotuar i ngushtë; pra patën mundësinë që të heqin kangjellat, patën mundësinë të lirojnë një hapësirë që studentët të ecin normalisht dhe kanë hedhur gjithë ato para, trotuari prapë gjysmë metri. Për t’ju treguar që edhe kur kanë para, nuk kanë vizion për të krijuar hapësira pa kangjella dhe trotuarë, që studentët që vijnë nga rruga e Elbasanit apo Qyteti Studenti të kenë një hapësirë të shkojnë në shkollë si njerëz, ndërkohë duhet të ngushtohen prapë si shteg dhish për t’u futur në mësim.Pra, tempulli i dijes qënuk bën dot një trotuar, ju jep një vizion sesi dinë të ndërtojnë këta që kaq shumë shqetësohen për hapësirat publike kur e kanë shansin, si ndërton Bashkia e Tiranës sa herë i jepet shansi për të prodhuar një xhevahir në çdo zonë të degraduar.
KAMPUSI UNIVERSITAR
Një projekt tjetër ka të bëjë me Kampusin Universitar. Sapo u kalua një VKM që autorizon Bashkinë e Tiranës që të jetë trupa drejtuese e gjithë procesit për Kampusin Universitar. Do të kemi disa godina në Qytetin Studenti, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, edhe mezi pres që gjenerata e re e studentëve të ketë realisht ambiente të mira.
Unë nuk jam i pavëmendshëm, i dëgjova edhe ata që thanë: U rikonstruktuan konviktet, pse pati dëme?
Së pari, konviktet e zaptuara, s’janë rikonstruktuar. Konviktet 15, 18, 19 ishin të zaptuara prej 30 vitesh. “Liri-Demokraci sa mirë që u bëmë me shtëpi” në Qytetin Studenti nuk ka logjikë 30 vite. Imagjinojeni sa studentë janë privuar së pasuri strehim në Qytetin Studenti, që sot mund të ishin ajka e këtij vendi, në 30 vite. Atyre u dhamë apartamente me qira dhe besojmë se bëmë vendimin e duhur, do trajtohen me shtëpi si gjithë të tjerët, por ama Qyteti Studenti do marrë hapësirën e vet.
Në konviktet ku kemi ndërhyrë, nuk kemi ndërhyrë të ndërrojmë kolonat dhe themelet, janë po ato kolona dhe po ato themele. Pra, nëse vëmë higjieno-sanitare që të shkohet në tualet me higjienë, apo të ketë ndriçim LED, apo të ketë mobilim, kjo nuk do të thotëndërrim i themeleve dhe i kolonave. Për të gjithë ata që shkojnë në histeri dhe gëzohen sa herë që ka një fugë të hapur në konvikt, po ju themi: Ndërhyrjet e rikonstruksionitnuk janë ndërtim nga e para me themele dhe kolona, janë po ato që kanë qenë. Kanë qenë ndërhyrje kryesisht në higjieno-sanitare, apo mobilimin që kanë pasur nevojë konviktet.
Ndërkohë, me lirimin e 10 hapësirave në Universitetin Bujqësor dhe në lirimin e 3 hapësirave në Qytetin Studenti, kemi të gjithë terrenin e nevojshëm që projektin ta zbatojmë 100%.Mund të na duhet të bëjmë vetëm disa shpronësime të vogla, kryesisht të ish-mensave që janë zaptuar nga politikanët edhe nga fara dhe fisi i tyre ndër vite. Pra, na duhet që siç u larguan ata që zaptonin konviktet, edhe politikanët dhe fisi i tyre që ka ish-mensat, ish-kinoklubin edhe ish-hapësirat e tjera studentore, do të duhet që t’i lënë. Sigurisht, do të kompensohen, keq më vjen për këtë se i kanë marrë për një çapë bukë, kur i thonë, por kanë titull pronësie dhe me rregullat e këtij shteti do të duhet që të marrin paratë mbrapsht dhe ta lirojnë për Qytetin Studenti.
TEATRI KOMBËTAR
Me Teatrin Kombëtar kemi ardhur tek faza ku ishim me Astirin, përpara dy muajsh, në fazën përfundimtare. Teatri i vjetër do të prishet, teatri i ri do të ndërtohet, ndaj në këtë buxhetkemi edhe ato shpenzime që kanë të bëjnë me konsulencën që jemi duke marrë për të negociuar një kontratë sa më tëmirë dhe përfituese. Toka mbas Teatrit Kombëtar është pronë e Bashkisë së Tiranës; toka ku është Teatri Kombëtar, do të përdoret vetëm për Teatrin Kombëtar, ndaj për të gjithë ata që duan të bëjnë dhe për të gjithë ata që deri dje na kërcënonin e thonin: Do e shohim në zgjedhje! Ne këtu ishim, nuk pamë gjë në zgjedhje, as nuk erdhën fare, kështu që kjo do e shohimnuk mund të vazhdojë pafundësisht. Zoti njëherë të jep mundësi të ndryshosh qytetin tënd dhe të marrësh vendime të drejta për këtë qytet.
100 vitet e dyta të Tiranës, kryeqytet, nuk kemi ndërmend t’i çojmë në një tjetër kasolle. Kur pashë eksitimin e atyre që thonin: He mo, ra tërmeti, s’ ndodhi gjë. Çfarë mund t’i ndodhë një mullari me kashtë? Është i gjithi kashtë dhe shkrepse të presuara. Sa i gjeti gjë mullarët në Ndroq dhe Baldushk, e gjeti edhe teatrin, ndaj mos prisni që një ndërtesë me kashtë, me shkrepse, pambuk, të tronditet nga tërmeti, është tronditur aq shumë ndër vite. Mjafton të shikoni Ministrinë e kuqe dhe pjesën që e ndan me Teatrin, për të kuptuar se në 100 vitet e ardhshme nuk kemi ndërmend të shkojmë me kaloriferë e batanije për të parë teatër, por do kemi një teatër dinjitoz, ku prapë si ai me pistoletë do fshihen dhe do mundohen të harrohen ata që ishin kundër teatrit.
Gjithsesi, ju e dini parimin: Ne i mbarojmë punët në mëngjes, sa të zgjodhen ata nga gjumi ka filluar teatri i ri. Shumë shpejt vitin tjetër do fillojnë punimet për teatrin e ri, më vjen keq për ata që janë ngujuar aty, mund të ishin mbajtur mend për art, por po mbahen mend për sherre banale mes tyre, ku zihen për ndihmat dhe çudira të kësaj natyre. Megjithatë, secili e shkruan vetë historinë e jetës, nuk jemi këtu të shqetësohemi si e shkruajnë kundërshtarët e zhvillimit të këtij qyteti.
UNAZA E TIRANËS
Unazat e Tiranësjanë gjithashtu jetike. Si për teatrin dhe kopshtin botanik, jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund projektit të Unazës së Madhe. Nëse teatri dhe kopshti botanik mund t’i quajmë projekte madhore për kryeqytetin, unaza e madhe është projekti jetik për Shqipërinë. Kalon gjithë Shqipëria në atë segment, ndaj është e kotë ta theksoj. Unaza do bëhet. Mbaruam me shpronësimet, kanë shkuar paratë në bankë, mbaruam me prishjet, po bëjmë transferimin e terminalit në anën tjetër të rrugës dhe shumë shpejt do nisim edhe gërmimet për nënkalimin e Shqiponjës, për t’u siguruar që viti tjetër na gjen me një lëvizshmëri shumë herë më të kollajtë në Tiranë.
Për të gjithë ata që kishin dyshime dhe mendonin se jelek-portokallinjtë ishin qytetarë të shqetësuar, e patë se si drejtuesit e tyre rriheshin për t’u bërë kryetarë dege të PD. Që aty kupton se në fakt e gjitha ishte stisur politikisht, por nëse kishte ndonjë naiv, besoj që e pa provën javën e kaluar kur rrihnin njëri-tjetrin për t’u zgjedhur kryetar dege i PD, se pasi hiqnin jelekët portokallinj vishinin jelekët blu të partisë. Them që ishte një fiasko spektakolare, por besoj se na jep edhe një vlerësim sesi duhet të sillemi në raste të tilla, ku toleranca dhe dëgjimi i tjetrit patjetër që duhet të ndodhë, por jo deri në pafundësi ku na bëjnë për lolo militantët e mitingashët e partisë.
Ndërkohë, për planin e lëvizshmërisë do të botojmë një skicë të veçantë. Do të kemi disa devijime që do të ndodhin në atë zonë. Do të duhet të kemi një bashkëpunim edhe për t’ua shpjeguar qytetarëve. Do të hapet një megakantier, kështu që besoj të gjithë do të duhet të përfshihemi në planin e lëvizshmërisë, që do të lipset për çështjen e ndërtimit të nënkalimit te “Shqiponja”.
LUMI I LANËS
Një projekt tjetër madhor që do ta shihni në buxhet ka të bëjë me zgjerimin e Lumit Lana. Lana e ree Tiranës në shekullin e dytë, do të fillojë në Lanabregas në Shkozë dhe do të mbarojë në Kashar, duke u zgjeruar kështu 2 km në Veri e 2 km në Jug. Projekti i Lanës do të bëhet. Kush ka ndërmend dhe ka dy vite të harxhojë kot dhe të bëjë lojra si Astiri, le t’i bëjë, i harxhon kot ato energji. Kush ka pronë, do të kompensohet, kush ka nevojë për strehim, do të strehohet, po kush ka nevojë që Lana të zgjatet dhe që të vazhdojë ai Bulevardi i bukur që trashëguam nga Bashkia e Edi Ramës, e Lanës së pastruar dhe transformuar, duhet të kenë garancinë që ai projekt do të bëhet.
ZONA E LIRË EKONOMIKE
Një nga projektet që gjithashtu reflekton fokusin tonë te ekonomia ka të bëjë me zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik. Pra, një zonë e lirë ekonomike në Kashar. Do të bëhet sidomos e rëndësishme, duke qenë se është shumë pranë rrugës së Qelqit, pra zonës së Kombinatit. Kemi aplikuar për licensën dhe për statusin e veçantë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që besoj do të procedohet shpejt edhe nga AIDA, për të qenë një investitor strategjik në atë zonë. Me krijimin e lagjes së re në Kombinat dhe me përqendrimin e disa banorëve të zonave rurale në atë territor, Vaqarr, Kashar, Pezë Helmes, punësimi është pikëpyetja më e madhe. Dakord, do bëjmë shtëpi, por ku do të punojnë këta njerëz?Me zonëne lirë ekonomike, për të cilën jemi të vonuar, kur shikoj sesi Maqedonia e Veriut, Serbia apo vende të tjera kanë ecur shumë shpejt me zonat ekonomike, do të ndërtojmë një model që fare mirë mund ta kopjojnë edhe Bashkitë e tjera, sidomos ato të prekura nga tërmeti, që fill pas rindërtimit, hallin më të madh do të kenë çështjet e punësimit. Dua që edhe këtij projekti t’i japim një mbështetje.
TIRANA POLICENTRIKE
Për Tiranën policentrike do të shikoni disa projekte në inventarin e Bashkisë. Për ne është e rëndësishme që Tirana të zhvillohet e shpërndarë dhe jo e gjitha në sheshin “Skënderbej”. Një pjesë e saj ka filluar. Ato qëkemi parashikuar si qendra janë: Kinostudio, Kombinati, Farkë-Qytet Studenti, Bulevardi i Ri dhe Lapraka, si polet e reja të Tiranës. Te poli Verior- Bulevardi i Ri i Tiranës ka përfunduar dhe segmenti i fundit. Pra, kemi vetëm sheshin ceremonial për të përmbyllur. Është hapur Bulevardi që lidh aksin me rrugët në Veri të Tiranës,është vendosur sinjalistika rrugore, korsi të dedikuara autobusësh dhe biçikletash, ndriçim LED dhe gjelbërim. Do të nisë puna për realizimin e sheshit fundor dhe gjatë 4-vjecarit në vazhdim kjo zonë do të ketë një karakter Fin-Tech, pra do të jetë zona e financave dhe e teknologjisë për qytetin.
Ndërkohë, në Kombinatkemi bërë evakuimin edhe të njësisë administrative, të banorëve që e kishin zaptuar, njëndërtesë e vjetër dhe e amortizuar. I kaluam bonuset e qirave, do të trajtohen me shtëpi të reja, por jo më zaptim në Kombinat. E gjitha ajo hapësirë e ndërtesave ikonike të Kombinatit, do të shërbejë si epiqendër e këtij poli të qytetit tonë që quhet sheshi “Garibaldi”.
Duke çuar edhe disa zyra të tjera të Bashkisë në Kombinat, do të japim një lloj zhdërvjellësimi të zonës për të gjithë ata që duan të shohin sesi rritet vlera e pronës në atëzonë. I kemi parë me të njëjtin efekt në Pazarin e Ri, në Kalanë e Tiranës, disa hapësira të tjera, ku një ndërhyrje akupunkture i ka dhënë një zhdërvjellësi gjithë ekonomisë në atë vend.
Poli tjetër është poli midis Farkës dhe Qytetit Studenti. Për Qytetin Studenti ju fola. Në Farkë do të shikoni pjesën e dytë të investimit të Liqenit të Farkës; pra, kemi bërë gjysmën e pedonales dhe të pyllëzimit aty, tani do të vazhdojmë me gjysmën tjetër të pedonales. Kemi parë që tani frekuetimin e madh, besoj se shfryhet edhe gjithë ngarkesa që kemi tek Liqeni i Tiranës, ku në ditë me diell, siç kanë qenë edhe këto ditë dhjetori, është e pamundur të ecur pa u përplasur me njerëzit. Në njëfarë mënyre jemi bërë viktima të suksesit tonë, pra aq mirë ka dalë liqeni, sa na duhet patjetër një hapësirë po aq e madhe. Liqeni i Farkës është hapësira më e afërt ku kemi mundësi të përfundojmë investimin.
Polet e tjera janë Kinostudio dhe Lapraka. Në Kinostudio, kush përfaqëson atë zonë e keni parë që sapo kemi përfunduar Rr. “Xhanfize Keko”, ndërkohë që në Kinostudio do të bëjmë një rrethrrotullim. Do të bëjmë një rrëzim të mureve që rrethojnë Ministrinë e Kulturës dhe zonën e televizioneve që janë aty. Një shëmti totale, një zaptim me ato hojet në mure. Tani që ka mbaruar Rr. “Xhanfize Keko”, që ishte edhe investimi më i vështirë edhe më i komplikuar për rrjetet që kalojnë aty, do të bëjmë edhe rrethrrotullimin nëKinostudio, për ta kthyer edhe atë në një epiqendër, qoftë edhe estetike, por edhe administrative. Me disa televizione, me disa Ministri, Ministria e Kulturës, Ministria e Mbrojtjes, disa spitale, realisht zona e Kinostudios është më gati se çdo zonë tjetër për t’u kthyer në një pol të qytetit.
PYLLI ORBITAL
Për çështjen e Pyllit Orbital do të shikoni të reflektuar investimet në gjelbërim. Përtej çdo skeptiku, fushata jonë e mbjelljes së pemëve, është një nga fushatat më të suksesshme që e ka vendosur Tiranën edhe në hartën e qyteteve në Europë, që po punojnë fort me politikat e gjelbra. Në fillim dukeshim komplet si UFO, se tingëllon shumë seksi kur thuhet Milano do mbjellë 5 mln pemë. Por, Milano sa deklaroi. Kur e filloi Tirana, të gjithë na shikonin si jashtëtokësore, dhe tani që gjithë qytetet janë duke i vënë këto targete, dhe përveshja e mëngëve me lopatë në dorë është pamja më e zakontë sot në qytetet europiane, ndihem mirë që e nisëm më përpara këtë, por prej tërmetit patëm një ngadalësim të këtij projekti. I zhvendosëm të gjitha burimet në menaxhimin e krizës. Menjëherë pas vitit të ri, do t’i rikthehemi fuqishëm fushatës së mbjelljeve për të shfrytezyuar të gjithë periudhën janar-prill për çështjen e pyllit orbital.
100 LAGJET
Ajo që besoj është pjesa më e rëndësishme dhe që ndoshta ju impakton në shumë është projekti ynë i 100 lagjeve të Tiranës, i ngjashëm me projektin e qeverise për 100 fshatrat. Kemi nisur në pjesën më të madhe planifikimin, por ndërkohë fillojmë që këtë vit për këtë mandat të dytë, një pjesë të zbatimit të këtyre projekteve. Ndërkohë, një nga gjërat që do të shikoni që kemi shumëfishuar buxhetin është FondiiKomunitetit, të cilin do ta përdorim për disa arsye. Mund të aksesohet lirisht nga të gjitha pallatet me adminsitratorë, qoftë edhe për riparimet pas tërmetit, për zhvendosjen e depozitave, pra heqjen nga tarraca dhe montimi nëntokë i tyre, ose në një shesh pushimi pranë pallatit. Për të gjithë ata që ia kanë parë hajrin Fondit të Komunitetit, kanë veshur me kapotë pallatet, ose kanë vendosur një ashensor, ose panele diellorejanë prova më e mirë për këdo që do të bëjë një ivenstim të përbashkët në komunitet, të bëjnë aplikimin gati. Është një aplikim shumë i thjeshtë.
Ndërkohë, përveç buxhetit, kemi edhe dy projekt-vendime të tjera. Një që ka të bëjë me fondin Crimson, ku jemi në ortakëri dhe aksionerë me qeverinë norvegjeze dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan, ka të bëjë me raportet e aksioneve. Është një institucion mikro-kredie, që jep Bashkia e Tiranës bashkë me aksionerëte tjerë. Kurse, vendimi tjetër ka të bëjë me emërtimin dhe miratimin e disa drejtorive të qytetit tonë. Edhe në komunikimet që kemi bashkë, shumë prej jush nuk edinë ç’është DPN1, DPN2, DPN3, kështu që do t’i quajmë siç janë quajtur në kohën e vjetër: Pastrim-gjelbërim, Ndriçim dhe Rrugë, Kopshte e çerdhe. Është mënyra më e kollajtë për të bërë diferencimin. Duket si një vendim i parëndësishëm, por sqaron pak edhe komunikimin që kemi mes nesh.
Në fund, dua t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë. Ka qenë një vit sfidues, kemi pasur disa momente shumë të bukura, siç ishte shpallja Kryeqytet i Rinisë dhe shumë aktivitete që kemi pasur në Tiranë, por kemi pasur dhe disa momente të trishta, duke filluar nga ceremonia mortore në Kombinat, apo traumat pas tërmetit. Megjithatë, mua të parit, por besoj edhe juve, më ka bërë të kuptoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Ne mund të kemi diferenca në mendime, në politikë, por kemi shumë gjëra që na bashkojnë, sesa ato që na ndajnë. Për hir të gjërave që na bashkojnë, ky qytet e meriton punën tonë, e meriton bashkëpunimin tonë, e meriton zellin dhe energjinë tonë pozitive.
Shpresoj shumë që së pari, të çlodheni pak dhe të merrni energji të reja për një vit të ri, edhe më pas të përveshim mëngët që 2020-ta të jetë realisht 100-vjetor i paharrueshëm për Tiranën tonë.
Gëzuar festat dhe shumë faleminderit!