Text size
Gunhild Carling është një muzikante suedeze e njohur ndërkombëtarisht, e cila luan disa instrumente, duke përfshirë trombën, saksofonin, klarinetën si dhe harpën. Ajo gjithashtu është një këngëtare dhe kërcimtare e shquar, që njihet për interpretimet e saj të gjalla dhe energjike që ndërthurin xhazin tradicional me elementin modern. Gunhild Carling ka performuar me sukses në Postmodern Jukebox, një grup që ripërpunojnë këngë moderne në stilin e xhazit dhe epokave tjera muzikore.
E ardhur për herë të parë në Tiranë, kjo këngëtare e famshme u ftua për të përformuar bashkë me Big Band, ku duhet veçuar Vili Stoyanon, tromboni më i suksesshëm bullgar dhe kompozitor i famshëm, themelues i Bansko Jazz Festival si dhe i formacioneve të shumta frymore në Bullgari, sikurse edhe pedagog e ideator i programeve të shumta për të rinj në xhaz.
Në mbrëmjen e 20 Nëntorit, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, artistja e jashtëzakonshme suedeze Gunhild Carling & Mijd Big Band nën drejtimin e Edon Ramadanit, ofruan një performancë argëtuese të suksesshme që u mirëprit nga një publik i ngrohtë i botës së muzikës dhe jo vetëm.