Bashkia e Tiranës ka rihapur programin e kredive të buta për familjet dhe çiftet e reja që duan të blejnë një shtëpi. Rreth 500 familje të pastreha do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u miratuan një sërë projektvendimesh të rëndësishme, kryebashkiaku Erion Veliaj, deklaroi se programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës, duke dhënë një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit në qytetin e Tiranës. Veliaj theksoi se përmes kësaj skeme, Bashkia e Tiranës u jep zgjidhje problemit të strehimit për çiftet e reja dhe njëkohësisht krijon mundësi reale për stimulimin e sektorit bankar.
“Ndonjëherë na duhet që të marrim të marrim vendime të vështira, por kemi marrë vendime të drejta dhe më vjen mirë që historia provoi që kishim të drejtë. Programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës. E dini fare mirë që shkojmë nga qendrat e emergjencës, tek banesat sociale, tek bonusi i qirasë dhe kreditë e buta, si paketa të ndryshme që targetojnë shtresa të ndryshme të popullsisë, sipas kapacitetit financiar që ata kanë”, deklaroi Veliaj. Në total do jenë në dispozicion këtë fazë rreth 500 kredi me interesa të ulëta dhe që do të përfitohen nga familjet e reja që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja”, do të jenë familjet e reja që: Përbëhen nga çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç. Përbëhen nga familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension; Nuk kanë në pronësi një banesë; Kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program; Nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë. Duke u nisur nga problematikat e hasura gjatë thirrjes së parë është parë e arsyeshme të ndryshojnë disa nga përbërësit e skemës së subvencionimit të interesave të kredisë dhe kufijtë minimal dhe maksimal të nivelit të të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikuesit.
Së pari, ndryshon mosha e përfituesve, pasi është marrë në konsideratë fakti që disa përfitues për shkak të moshës së madhe janë penguar në klasifikimin për kredi. Tashmë mosha e çiftit duhet të jetë me moshë totale deri në 70 vjeç. Së dyti, afati subvencionimit të kredisë do të rritet nga 15 në 20 vjeç, duke bërë që kësti mujor për një familje përfituese të jetë më i ulët dhe më i përballueshëm. Së treti, ndryshojnë edhe të ardhurat e përkohshme.
Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte dhe ai i krijimit të tre lagjeve të reja Tiranë, të cilat do të sjellin më shumë shërbime dhe investime në këto zona. Banorët e lagjeve periferike të Tiranës urbane, kryesisht në zonën e Freskut, Tiranës së re në Kashar dhe në zonën e Selitës në Farkë i duhet sot të humbasin një ditë të tërë pune apo të udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në zyrat e njësive Administrative. Ndaj nisur nga kjo situatë problematike dhe shqetësimi i vazhdueshëm i qytetarëve të përcjella edhe në dëgjesat publike të zhvilluara gjatë muajit nëntor nga Bashkia e Tiranës, si dhe nga peticionet e disa banorëve të zonave të lartpërmendura, Këshillit Bashkiak miratoi vendimin për krijimin e tre lagjeve të reja në kryeqytet si pjesë e zonës urbane, të cilat do të emërtohen “Lagjja nr. 12”, “Lagjja nr. 13” dhe “Lagjja nr. 14”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ky riorganizim i jep zgjidhje një sërë problematikash që kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për banorët dhe do të sjellë më shumë investime. “Vendimi që marrim sot, do të lerë gjurmë në mënyrën se si shërbejmë në këtë qytet. Ne të parët do të na ndihmojë që të buxhetojmë më mirë. Sot në mënyrë disproporcionale i nënfinacojmë këto zona sepse buxheti ndahet për frymë”, u shpreh Veliaj. Ai sqaroi se nëse këto njësi në të ardhmen do të kenë potencialin të kthehen në njësi të administrative në të gjitha kompetencat, do të jetë Këshilli Bashkiak që do t’i çojë një propozim Parlamentit.
Më tej, kryebashkiaku prezantoi edhe disa nga objektivat e Bashkisë së Tiranës për pranverën dhe që kanë të bëjnë kryesisht me Tiranën e gjelbër. Ai bëri të ditur se synohet që deri në 22 prill numri i pemëve të mbjella të shkojë në 122 mijë. “Aksionin tonë të mbjelljeve në Tiranë e kemi zgjatur, përtej datës 21 mars, për t’i dhënë mundësi 145 subjekteve që janë në listë pritje për të dhuruar pemë. Sot jemi në një rezultat të shkëlqyer, me 108 mijë pemë në Tiranë. Sigurisht kjo është vetëm faza e parë e asaj që duam të jenë 2 milionë pemë të Pyllit Orbital. Ambicia jonë është, nga 108 mijë të shkojmë në 122 mijë në 22 prill”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu ai theksoi se do të synohet të ndërtohen 10 kilometra korsi të dedikuara për çiklistët. “Disa korsi të biçikletave janë të dedikuara, janë të mbrojtura, ka qenë një kërkesë e komunitetit të çiklistëve në Tiranë, nga ata që kanë përdorur këtë mjet jashtëzakonisht ekologjik transporti, që këto të jenë të mbrojtura. Kemi ambicie të shtojmë 10 km brenda kësaj stine dhe çdo ditë ta shtojmë dhe ta shtrijmë rrjetin e korsive të dedikuara, por edhe të mbrojtura të biçikletave” tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se shumë shpejt në Tiranë do të vijnë edhe 4 mijë biçikleta, të cilat gjithashtu do të krijojnë një alternativë të lëvizjes në Tiranë. Veliaj njoftoi se do të vazhdojë projekti i këndeve të lojërave në çdo lagje, si dhe shtimi i terreneve sportive. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të nisë rehabilitimin e rrugëve të cilat pësuan dëmtime për shkak të reshjeve dhe temperaturave të ulëta gjatë dimrit. Ai deklaroi se me ardhjen e kohës së thatë, të gjithë brigadat e Bashkisë do të nisin punën në terren për të rikuperuar pasojat e dimrit.
“Në Bashkinë e Tiranës kemi përveshur mëngët për të rikuperuar edhe shumë nga problemet e dimrit. Shpesh herë është e vështirë t’u përgjigjemi qytetarëve kur kërkojnë asfaltim në kohë shiu. Ju e dini fare mirë që në shumicën e botës stinët ndahen në dy, koha e dimrit dhe koha e asfaltit. Tani që është hapur koha, siç e keni parë, të gjitha brigadat tona do të jenë në terren që të rikuperojnë një dimër me shira e me borë që lë dëmtime në infrastrukturë. Me të njëjtën frymë do vijojmë të punojmë të gjithë, për të çuar akoma më para qytetin tonë që e kemi me dashuri pa kushte”, deklaroi Veliaj.
Këshilli Bashkiak mori sot edhe një sërë vendimesh të tjera me karakter social, si projektvendimet për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1 mars deri në 31 mars 2018, për miratimin e pagesës për PAK e invalidët e punës për periudhën 1-31 mars 2018; për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-28 shkurt 2018 si dhe për miratimin e familjeve përfituese dhe fondit nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind me fondet e buxhetit vendor, për periudhën 1-28 shkurt 2018 sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
Gjithashtu, këshilli miratoi dhe listën e studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik, që përfitojnë bursë shteti për vitin akademik 2017- 2018 dhe të listës së nxënësve të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike. Mes vendimeve të miratuara ishte dhe ai për përdorimin e bibliotekave të lagjeve si qendra të mirëfillta multifunksionale për zhvillimin, stimulimin e ideve të reja dhe promovimin e tyre.
Këshilli dha pëlqimin për kalimin në pronësi në favor të Ministrisë së Kulturës, të sipërfaqes prej 235 m2, pjesë e pasurisë nr. 1/256, me sipërfaqe 1644 m2, me vendndodhje në zonën kadastrale nr. 8150” dhe për miratimin e marrëveshjes “Për mbështetjen e projektit”, ndërmjet Bashkisë së Tiranës, UKT sha dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë ndërmjet shoqërisë UKT sha dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Zgjerimi i impiantit të përpunimit të ujit të Bovillës dhe ndërtimit të një linje të re furnizimi për pjesën perëndimore të Bashkisë Tiranë”. Kjo hua do të krijojë mundësinë për të realizuar një sërë investimesh të rëndësishme duke garantuar një furnizim shumë më cilësor për Tiranën dhe dyfishim të sasisë së ujit.
Vendimet e miratuara sot nga Këshilli Bashkiak:
- Propozimi për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1 mars deri në 31 mars 2018.
- Miratimi i pagesës për PAK e invalidët e punës për periudhën 1-31 mars 2018.
- Miratimi i kompensimit të çmimit të energjisë elektrike, për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-28 shkurt 2018
- Miratimi i familjeve përfituese dhe fondit nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind me fondet e buxhetit vendor, për periudhën 1-28 shkurt 2018 sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
- Miratimi e listës së studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik, që përfitojnë bursë shteti për vitin akademik 2017- 2018.
- Trajtimi me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë.
- Miratimi i familjeve përfituese dhe fondit nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind nga fondi i kushtëzuar, për periudhën 1-28 shkurt 2018
- Miratimi i sistemimit të fëmijëve Flogerta Gorasi dhe Florinda Manushi, në institucione të përkujdesjes shoqërore.
- Miratimi i listave të nxënësve të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike, që përfitojnë bursa dhe pagesa, për vitin shkollor 2017-2018.
- Miratimi i programit social “Subvencionimi i interesave të kredisë”, sipas udhëzuesit operacional për zbatimin e tij.
- Miratimi i projektit “Fillo me një ide – fito një internship në Bashkinë Tiranë”, hartuar sipas udhëzuesit operacional për zbatimin e projektit.
- Krijimi i bordeve mbikëqyrëse në Bashkinë e Tiranës, për mbikëqyrjen e veprimtarisë dhe funksionimin e institucioneve në varësi të saj.
- Krijimi i tre lagjeve në qytetin e Tiranës.
- Miratimi i projektit: “Bibliotekat e lagjeve, si qendra multifunksionale”.
- Vendimi 15, për disa ndryshime në vendimin nr. 48, datë 11.11.2015 të Këshillit Bashkiak, “Për krijimin e Tirana Parking”, si institucion në varësi tё Bashkisë Tiranë, për administrimin e shërbimit tё parkimit publik me pagesë” dhe në vendimin nr. 49, datë 11.11.2015 “Për miratimin e kritereve tё pёrcaktimit tё zonave të administrimit të parkimit dhe nёnzonave të destinuara për parkim si dhe tarifave tё shërbimit tё parkimit tё administruara nga Bashkia e Tiranёs.
- Emërtimi i rrugës në njësinë administrative nr.8, me emrin “Adriatik Kallulli”.
- Anëtarësimi i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, në organizatën botërore të parqeve urbane”.
- Vendosja e bustit të nobelistit të parë për paqen “Henri Durant” pranë zonës së digës së Liqenit Artificial Tiranë, në kuadër të zbatimit të projektit “Rikualifikimi i molit pranë digës së liqenit të Tiranës”, financuar nga Kryqi i Kuq.
- Miratimi i projektit “Fondi i rimbursimit të shpenzimeve për prodhimin e produkteve turistike”.
- Miratimi i marrëveshjes “Për mbështetjen e projektit”,ndërmjet Bashkisë së Tiranës, UKT sha dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë ndërmjet shoqërisë UKT sha dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Zgjerimi i impiantit të përpunimit të ujit të Bovillës dhe ndërtimit të një linje të re furnizimi për pjesën perëndimore të Bashkisë Tiranë”.
- Disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.59, datë 30.12.2015 të Këshillit Bashkiak “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar.
- Një shtesë dhe disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.132, datë 21.12.2017, “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2018-2020 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2018”.
- Dhënia e pëlqimit për kalimin në pronësi në favor të Ministrisë së Kulturës, të sipërfaqes prej 235 m 2 , pjesë e pasurisë nr. 1/256, me sipërfaqe 1644 (një mijë e gjashtëqind e dyzetekatër) m 2 , me vendndodhje në zonën kadastrale nr. 8150”.