Text size
Gjenitë nuk vdesin, ata thjesht hyjnë në përjetësiNë datën 1 Korrik 2024, u nda nga jeta shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare. Dukefolur për këtë humbje dhe dhimbje të madhe Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj u shpreh:
"Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare - një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore.
Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.
Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe.
Si edukatori më i madh i Shqipërisë së kohës së re, vepra e Ismail Kadaresë ka formësuar mënyrën tonë kolektive të të menduarit. Si prozator e si poet ai i ka kënduar edhe qytetit e kryeqytetit, andaj Tirana si gjithë Shqipëria mbetet përjetësisht në borxh ndaj autorit të “Mall” e të sa e sa kryeveprash monumentale të Kadaresë sonë të pavdekshëm.
Do ta kujtojmë me mallin që ai na ka mësuar të ndjejmë dhe nuk do ta harrojmë kurrë mësuesin e gjeneratave të sotme e të nesërme të Shqipërisë moderne.
Pusho në paqe, i dashur Ismail".