
Text size
Numri i bizneseve që ofrojnë shërbime apo produkte me çmime të reduktuara për të rinjtë me Kartë Studenti shtohet çdo ditë. Bashkia e Tiranës nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me rrjetin e supermarketeve “Spar”, e cila u vjen në ndihmë të gjithë studentëve në kryeqytet për të blerë me çmime të reduktuara.Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tha se Karta e Studentit ofron më shumë se 700 shërbime për studentët. “Jemi shumë të lumtur që rrjeti i supermarketeve “Spar” i bashkohet shërbimeve që u vijnë në ndihmë studentëve përmes Kartës së Studentit. Kjo kartë ofron më shumë se 700 shërbime për studentët, e nga sot do të përfitojnë një shërbim që u vjen në ndihmë të gjithëve. Rrjeti “Spar”, jo vetëm në këtë rast, por edhe përgjatë emergjencave që ka pasur qyteti i Tiranës, si tërmeti apo pandemia, na është gjendur në krah”, theksoi Ruseti.
Drejtoresha Ekzekutive e SPAR-it, Elona Mema, vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur të rinjtë gjatë viteve të tyre të studimit. “Kjo nismë është shumë interesante, të cilës i thamë po menjëherë. Është në vizionin e kompanisë “Spar”, për të mbështetur studentët dhe të rinjtë”, nënvizoi Mema.
Karta e Studentit, si një nga pikat e “Paktit për Universitetin”, nuk është vetëm një mjet për të përfituar shërbime me çmime të reduktuara, por në lëmin e shërbimeve të saj studentët krijojnë ura komunikimi si për praktika profesionale ashtu edhe punësim.