
Tirana po bëhet çdo ditë e më shumë një qytet social. Pas hapjes së katër qendrave të para sociale, në Kombinat, Laprakë, në Bulevardin “Zogu i Parë” dhe në Njësinë 4, kryeqytetit i shtohen edhe dy qendra të tjera të ngjashme, që do të ofrojnë shërbime dhe mbështetje për shtresat në nevojë. Këshilli Bashkiak miratoi në mbledhjen e sotme propozimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për ngritjen e qendrës sociale “Strehëza Tiranë”, pranë ambienteve të ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, e ideuar për t’i ardhur në ndihmë personave të pastrehë të ndodhur në situatë rruge.
“E mbani mend situatën e emergjencës me të cilën u përballem dy dimra më parë për shkak të ngricave. Ishte një situatë që u menaxhua mirë, falë një planifikimi dhe koordinimi shumë efikas. Por, ishte një situatë në të cilën na u desh të improvizonim sepse qytetit i mungonte infrastruktura e duhur për përballimin e krizave. Që nga ajo kohë është bërë shumë punë që Tirana të ketë infrastrukturën e saj për përballimin e fatkeqësive natyrore, por edhe për të përmbushur detyrimet sociale që kemi ndaj komunitetit. Qyteti ka sot rezervën e qytetit, ka qendra sociale funksionale, por sot me ketë vendim do të ketë edhe një strehë për personat në situatë rruge”, tha Veliaj, në prezantimin e vendimeve në mbledhjen Këshillit Bashkiak. E veçanta e kësaj strehe është se ajo nuk mjaftohet me strehimin, por synon edhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për këta individë, duke u krijuar atyre akses në shërbime sociale dhe duke iu ofruar mundësinë për aftësim profesional.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe një tjetër propozim të kryebashkiakut Veliaj, për ngritjen e Qendrës Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të Njësive Administrative 4 dhe 8. Kjo qendër do të shërbejë për informimin dhe zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë këtë komunitet, por do të shërbejë po ashtu edhe si një qendër për zhvillimin e aktiviteteve për komunitetin. Përfitues të shërbimeve që ofron qendra do të jenë familje dhe individë që jetojnë në situata të vështira, veçanërisht nga komunitetet rome dhe egjiptiane, në Njësitë 4 dhe 8, me theks të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë. Përkatësisht, mendohet të përfitojnë direkt: 170 familje, 200 fëmijë dhe 80 të rinj. Këshilli Bashkiak miratoi edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme me karakter social, që do kenë ndikim në jetën e shumë familjeve dhe qytetarëve të kryeqytetit.
U miratua vendimi “Për miratimin në parim të studimit të fizibilitetit dhe të kontratës të partneritetit publik privat “Për hartimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e terminalit të transportit publik në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se për herë të parë Tirana do të ketë një Terminal Autobusësh modern, ndërsa theksoi se veç tij do të ketë edhe një tjetër terminal në lindje të qytetit. “Tirana mezi e pret terminalin e autobusëve. Marrim 99 lavdërime nga turistët, por vetëm një vërejtje: Që nuk ka një vend ku shkon nga Tirana në Berat apo në Gjirokastër. Ne mund të kemi më të mirën e të gjitha kohërave, një terminal modern në Tiranë. Kam hequr pallatet e Lulit nga projekti i terminalit; projekti ishte i mbushur me pallate, me një çik terminal në tokë të shtetit. Ajo që bëmë është që hoqëm gjithë pallatet dhe do të jetë vetëm terminal. Kjo është e vetmja gjë që i kam ndryshuar VKM-së së Sali Berishës, që ia kaloi terminalin Lulit sa u zgjodh në bashki. Fati i keq i Saliut ishte se kishte një gjumash në bashki, që nuk e bënte dot terminalin. Tani që ne duam ta bëjmë terminal, thonë aferë korruptive? Çfarë është aferë korruptive?! Që hoqëm pallatet?”, tha Veliaj.
Duke u ndalur te investimet dhe transformimi që po pëson Tirana, ai theksoi se ajo tashmë është bërë tërheqëse jo vetëm për numrin e lartë të turistëve që e vizitojnë çdo ditë, por edhe për investitorët e huaj. Ai deklaroi se veç “Hilton” shumë shpejt në Tiranë do të vijnë edhe disa brande të tjera të njohura ndërkombëtare. “Kemi marrë disa propozime për hotele të reja në Tiranë. Po këtu fillon kjo kënga oligarkët. Po pse more, njerëzit me ndihmë ekonomike do t’i ndërtojnë hotelet? Ato i bëjnë njerëzit që kanë kapital dhe nesër krijojnë vende pune, dhe i punësojnë këta që sot janë me ndihmë ekonomike. Ky është i vetmi vend në botë ku duhet të korruptosh opozitën që të të lerë të punosh. E patë që te ajo lista mungonin ca veta? Se ata i kishin derdhur lekët. Besoj se ardhja e turistëve në Tiranë, e tregon zhvillimin e qytetit”, vijoi kreu i bashkisë.
Ai theksoi se Tirana falë vizionit dhe punës së bashkisë është për një qytet që i kushton shumë rëndësi të ardhmes, pra fëmijëve. “Sapo mbyllëm këndin e 35 të lojërave, synimi ynë do të jetë që në mandatin tjetër të mundësojmë 100 kënde lojërash. Synimi është për t’i bërë fëmijët qytetarë më të mirë. Ndaj, këndet e lojërave nuk janë vetëm vendosje e ca lodrave me ngjyra nëpër cepa bosh, por janë investim për kulturën e re të qytetarëve të rinj të Tiranës, që do t’u lëmë qytetin trashëgim nesër”, tha ai.
Veliaj sqaroi edhe gjithë diskutimin e bërë gjatë ditëve të fundit për biletën e transportit urban për fëmijët. “U ngrit një histeri për çmimin e biletës për fëmijët. Në fakt ligjin e transportit urban në Republikën e Shqipërisë e ka bërë ish-ministri i Transportit, Lulzim Basha në vitin 2007, që ka hequr ligjin e kohës së Adil Çarçanit që thoshte: për fëmijët nga 0-6 vjeç udhëtimi është falas. Bashkia jonë i ka kërkuar kompanive që fëmijët të udhëtojnë falas. Po të ishte për ligjin e Lulit ministër Transporti, oligarkët i kishte pasuruar me biletat e kalamajve nga 0-6 vjeç. E kishim ministër Transporti, partia tjetër aleate kishte të tjerë ministër Transporti pas Lulit. 10 vjet Ministria e Transportit o PD o LSI. Ja ku jemi. Prandaj ikin nga mbledhja, nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Këshilli Bashkiak diskutoi edhe një tjetër vendim të rëndësishëm, nëpërmjet të cilit rihapet një shkollë në Njësinë 8, të cilës administrata e kaluar e Bashkisë së Tiranës, i kishte ndryshuar destinacionin, duke e kthyer në zyra për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve. “Njësia 8 i ka dhënë mandatin e kaluar edhe për kryetar, edhe për nënkryetar të Bashkisë, Lulit dhe Joridës. Por, prona te Medreseja, ku sot ka zyrat UKT-ja, në fakt në versionin e vet origjinal ka qenë shkollë. Saliu, ngaqë i falimentoi të gjitha kompanitë, filloi t’i degdiste nëpër bashki dhe Bashkia i çoi zyrat e UKT-së në një shkollë, te Medreseja për njësinë 8. Ne sot duam të marrim vendimin për ta çuar UKT-në te inkubatori i biznesit dhe të lirojmë një shkollë për Njësinë 8”, tha Veliaj.
Gjatë mbledhjes së sotme Këshilli Bashkiak miratoi edhe një sërë vendimesh të tjera, si:
Vendimin “Për propozim për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1- 30.9.2018”;
Vendimin “Për miratimin e pagesës për PAK dhe Invalidët e Punës, për periudhën 1- 30 Shtator 2018”,
Vendimin “Për miratimin e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike për kategoritë përfituese, për periudhën 1- 31 Gusht 2018”;
Vendimin “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok- ndihmës ekonomike deri në 6%, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1- 31 Gusht 2018”;
Vendimin “Për miratimin e sistemimit të fëmijës, Azvaldo Çeça, në institucionet e përkujdesjes shoqërore”;
Vendimin “Për miratimin e projektit “Të rinj dhe të reja drejt një profesioni”, hartuar sipas udhëzuesit operacional për zbatimin e tij”;
Vendimin “Për zbatimin e projektit “Programi i Nxitjes së Punësimit të Biznesit Rinor”, hartuar sipas Udhëzuesit Operacional për zbatimin e këtij projekti”;
Vendimin “Për miratimin e draft- kontratës së qirasë dhe akt marrëveshjes tip që do të lidhet midis Bashkisë Tiranë dhe debitorëve përfitues të programit të banesave sociale me qira, në zonën e Shkozës ish fonderia Mekanike”;
Vendimin “Për përcaktimin e vlerës maksimale e minimale të qirasë sipas strukturave të apartamenteve dhe të vlerës maksimale e minimale të të ardhurave për përfituesit e banesave sociale me qira, në kuadër të projektit “Ndërtimi i banesave me qëllim social, në zonën e Shkozës, ish Fonderia Mekanike”;
Vendimin “Për miratimin e strategjisë së artit dhe kulturës për Bashkinë Tiranë 2019- 2024”;
Vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr.132, datë 21.12.2017 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2018- 2020 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2018 (i ndryshuar)””;
Vendimin “Për mbështetje financiare nxënësve me rezultate të shkëlqyera në shkollat publike të Bashkisë të Tiranës”;
Vendimin “Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme, për disa familje që banojnë në territorin administrativ të bashkisë Tiranë”;
Vendimin “Për dhënien e pëlqimit për vendosjen e skulpturës së Papa Gjon Pali II-të, në rrethrrotullimin e rrugës Papa Gjon Pali i II-të, pranë stadiumit “Qemal Stafa”.