Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe një prej simboleve të rezistencës kundër komunizmit në vend, Pjetër Arbnori, do përjetësohet me një bust në lulishten para sallës ku zhvillohen seancat plenare. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, miratoi në mbledhjen e sotme vetëm me votat e këshilltarëve të majtë, vendimin për të nderuar figurën e “Mandelës së Ballkanit”, duke vendosur bustin e tij në mjediset e institucionit të cilin ai e drejtoi për disa vite.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 32 vota edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme me karakter social, që do kenë ndikim në jetën e shumë familjeve dhe qytetarëve të Tiranës, si vendimi për dhënien e ndihmës ekonomike për 3545 familje në kryeqytet, mes të cilëve personat me statusin e jetimit, viktima të dhunës në familje, individë viktima të trafikimit apo edhe familjet me shumë fëmijë.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është edhe ai për kompensimin e energjisë elektrike për kategoritë në nevojë dhe më konkretisht individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe fondin për pagesën që u jepet personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës në territorin e Njësive Administrative nën administrimin e Bashkisë Tiranë, si dhe vendimin “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok ndihmës ekonomike deri në 6%”.
U miratua edhe vendimi “Për përcaktimin e procedurës për negocimin me zhvilluesit privat që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjeve të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”. Vendimi në fjalë vjen si një nismë inovative për të shfrytëzuar edhe ato prona që janë në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe që janë amortizuar e minimizuar me kalimin e viteve. Sipas këtij vendimi, pronat që do të zhvillohen sipas kësaj nisme, më pas do të merren sërish në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, për t’u shfrytëzuar për programe të ndryshme sociale, si banesa me bonus qiraje për familjet në nevojë apo pika shërbimi për qytetarët.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado sqaroi se asnjë prej projektvendimeve që ishin në rendin e ditës të Këshillit Bashkiak nuk ka të bëjë dhe nuk trajton çështjen e truallit të Teatrit Kombëtar. Duke folur para këshilltarëve, në cilësinë edhe të një prej përfaqësuesve që vjen nga fusha e artit, Hado bëri të ditur se vendimi Nr. 7, të cilit i referohen artistët dhe përfaqësuesit e opozitës, nuk prek truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërkohë që, pas suksesit për transformimin e Parkut të Liqenit Artificial, i cili është kthyer në një nga hapësirat më të frekuentuara nga të gjitha grupmoshat, edhe Parku Rinia pritet që të ketë të njëjtën përkujdesje. Këshilli Bashkiak miratoi vendimin që kjo hapësirë të kalojë nën kujdesin e veçantë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës, e cila ka hartuar një strategji zhvillimi, bazuar në nevojat e komunitetit, për mirëmbajtjen e hapësirave ekzistuese e ndërtimin e hapësirave të reja rekreative, nëpërmjet krijimit dhe vënies në zbatim të projekteve të ndryshme si dhe riorganizimin e aktiviteteve të larmishme argëtuese dhe çlodhëse për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit.
Gjatë mbledhjes së sotme Këshilli miratoi edhe vendimin “Për disa ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.132, datë 21.12.2017, “Për miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2018- 2020 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2018”; vendimin “Për miratimin e kërkesës për transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të disa pronave të paluajtshme shtetërore, që do të përdoren për ushtrimin e detyrave të saj funksionale në fushën arsimore, infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik”; vendimin “Për kalimin në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme nr.3 të Punëtorëve të Qytetit, të disa pasurive në pronësi të Uzina e Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve (UNPA).
Këshilli Bashkiak votoi edhe vendimin “Për përfshirjen e ekipeve të xhudos, kanotazhit dhe bilardos në organikën e Klubit Sportiv “Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”; vendimin “Për kalimin e bandës frymore nga qendra kulturore “Tirana” pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit” si dhe vendim “Për dhënien e pëlqimit për vendosjen e skulpturës të Helidon Xhixhës në sheshin “Karl Topia”.