
Text size
Koncerti Recital i këngëtares së mirënjohur Rona Nishliu & New Orchestra u organizua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në datën 4 Dhjetor 2023.Me një stil të veçantë interpretimi dhe vokali ajo solli këngë të njohura shqiptare nga repertori i Tefta Tashko Koços, Vaçe Zelës, Nexhmije Pagarushes, etj, si dhe krijime të Agim Krajkës si kënga “Natën vonë” apo këngë të Muharem Qenës, kompozitor nga Mitrovica, origjina e vetë Ronës.
Një moment i veçantë emocional ishte dhe ftesa në skenë dhe shoqërimi i interpretimit të saj nga muzikanti Gent Rusha, i vlerësuar nga Rona si një ndër bashkëpunëtoret më të hershëm në fillimet e karierrës së saj skenike.
Mbresa të veçanta la interpretimi i këngës së saj të mirënjohur “Suus”, e cila ka prezantuar Shqipërinë në Eurosong.
New Orchestra nën drejtimin e Edon Ramadanit, me nje stil jazzi brilant, bëri që këngët të vinin në një version interesant dhe që u përcollën me emocion të veçantë te spektatori, që shpesh shoqëroi dhe duartrokiti këngë të veçanta gjatë spektaklit.
Koncerti u mbështet nga Bashkia Tiranë, që si gjithnjë ka në vëmendje mbështetjen e aktiviteteve të tilla cilësore, për t’u sjellë publikut shije dhe emocione pozitive.



