Si çdo vit, edhe kësaj here, Bashkia e Tiranës mbështeti koncertin e organizuar për Shën Valentinin në skenën e ngritur në Sheshin "Skënderbej", të mbushur plot me të rinj dhe të reja. Koncerti “City of love, këngët e dashurisë", erdhi në Tiranë si një festë me rastin e 14 Shkurtit, ditës së dashurisë. Këtë vit, pas stërlodhjes së pandemisë dhe kufizimeve dashuria meritonte të festohej siç i ka hije, në sheshin më të madh, me më të mirët.
Tirana është një qytet ku dashuria festohet çdo ditë, në çdo moshë, në çdo vend.
Në një skenë të zbukuruar me simbolet e dashurisë, Shën Valentini u festua me emrat më të njohur të kohës të cilët i këndojnë dashurisë dhe mbi të gjitha, të dashuruarve.
Këtë 14 shkurt, Sheshi Skënderbej u pushtua nga dashuria, ku këngët e dashurisë u kthyen në një pikëtakimi për të dashuruarit dhe të gjithë ata që patën dëshirën të shijonin disa momente nën muzikë të mirë.
Nata e 14 shkurtit e ktheu Sheshin Skënderbej në pikën më romantike të qytetit, një vend për të sjellë gjysmën tonë dhe për të shijuar yjet nën tingujt e muzikës më të mirë, me pjesëmarrjen e artistëve te njohur si Ronela Hajati, Eranda Libohova, Devis Xherahu, Mariza Ikonomi e cila ishte njëkohësisht edhe moderatorja e koncertit.