Me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Koncerti “Minus 1” u zhvillua në datën 19 shkurt në parkimin e Sheshit Skënderbej.
Koncerti “Minus 1” është një traditë 4-vjeçare për qytetin e Tiranës, me qëllim edukimin e të rinjve me kulturat muzikore urbane ndërkombëtare, si një përpjekje e vazhdueshme për t’i dhënë kryeqytetit imazhin kulturor gjithnjë e më europian.
Ishin të ftuar artistë dhe DJ të njohur për muzikën underground si DJ si Equinoxx, Edesa Malci dhe DJ i njohur italian Andy Bros. Të ftuarit specialë performuan për qindra të rinj prezentë në këtë koncert.
Aktiviteti ishte ideuar ne konceptin e muzikës underground, ku të rinjtë mund të shijonin pijet dhe muzikën e ofruar dhe të kalonin disa orë me miqtë e tyre.
Të gjithë artistët performuan në skenën kryesore të ngritur, prapa së cilës qëndronte ekrani Led ku shfaqeshin emrat e artistëve, mbështetësve dhe mesazhe të ndryshme vizuale.
Të gjithë të rinjtë e pranishëm, kërcyen dhe shijuan muzikën e zgjedhur si dhe interpretimin e artistëve të njohur e të preferuar në këtë rrymë muzikore.
Efektet speciale të skenës dhe ndriçimit jepnin atmosferë të veçantë gjatë koncertit, duke krijuar idenë e padukshmërisë dhe gjithashtu të të qëndruarit bashkë nën emocionet e dritave dhe muzikës.
Koncerti krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe pati një pjesëmarrje të lartë nga qytetarët e Tiranës.