Organizatorë: Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale
Grupe interesi: Organizata Jofitimprurëse
Përfaqësues të Bashkisë Tiranë: Znj.Berta Piro, drejtor i përgjithshëm i Menaxhimit Financiar, znj.Anisa Subashi, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Social
Përfaqësues nga Këshilli Bashkiak: Z.Behar Zeneli, sekretar i KB, znj.Blerina Doracaj, kryetare e komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale, znj.Arta Dollani, anëtar, z.Agim Kraja, anëtar.
Nga ana e organizatave jofitimprurëse, në takim morën pjesë: 1 përfaqësues nga Instituti i Kulturës rome, 1 përfaqëues nga fondacioni Alsar, 1 përfaqësues nga Kryqi i Kuq Shqiptar, 1 përfaqësues nga Doën Syndrome Albania, 2 përfaqësues nga Shoqata Raider Albania.
Në nisje të takimit, drejtori i përgjithshëm i Menaxhimit Financiar, znj.Berta Piro u shpreh se projektbuxheti 2025-2027 ka në fokus solidaritetin dhe çështjet sociale, sepse tashmë veprat ikonike janë drejt përfundimit të tyre. Ajo prezantoi disa prej nismave të këtij buxheti, siç është aboneja për moshën e tretë për transportin publik falas, por edhe punësimi i grave të dhunuara në institucionet e varësisë së Bashkisë Tiranë. Znj.Piro ftoi përfaqësuesit e organizatave jofitimprurëse që të japin sugjerimet e tyre lidhur me këto nisma, pse jo edhe të paraqesin projektet e tyre në ndihmë të shtresave vulnerabël.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social, znj.Anisa Subashi e ka cilësuar si projektin më të madh të buxhetit të ardhshëm, pikërisht subvencionimin e transportit publik për moshën e tretë, në vijim të nismës së realizuar më parë për studentët.
Ajo vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me shumë prej organizatave, me të cilat janë realizuar projekte të rëndësishme, siç është ai i shërbimit në banesë me Raider Albania, prej të cilit përfitojnë rreth 500 të moshuar.
Sipas saj, për të gjashtin vit radhazi, Bashkia zbaton projektin për fuqizimin e grave dhe vajzave, në mbështetje të sipërmarrjeve të reja me një financim deri në 5 milion lekë. Znj.Subashi u shpreh se në të njëjtën mënyrë mbështeten sipërmarrjet e ndërmarra nga përfaqësues të grupeve vulnerabël. Për të rikthyerit nga Siria, nga ana e Bashkisë janë ndërmarrë politika integruese që kanë të bëjnë kryesisht me trajnime për hapjen e sipërmarrjeve. Kurse në bashkëpunim me ministrinë e linjës, do të vijojë dhënia e ndihmës financiare në cash, për shtresat në nevojë.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Social, veçoi projektin për hapjen e dy qendrave të reja komunitare, në Vaqarr dhe në Zall Herr, sepse, sipas saj, synimi kryesor i politikave të Bashkisë është fuqizimi i familjeve, në mënyrë që fëmijët të mos shkojnë në institucionet e përkujdesjes.
Ajo përmendi se përveç bursave të ekselencës për fëmijët me rezultate të shkëlqyera në mësime, është aplikuar edhe bursa sociale për fëmijët që vijnë nga familje me probleme sociale e shëndetësore.
Një tjetër projekt i suksesshëm është cilësuar edhe ai i mbështetjes së ideve novatore që vijnë nga vetë nxënësit e shkollave të Tiranës. Si dhe kompensimi ushqimor për fëmijët e familjeve me probleme ekonomike, sociale e shoqërore, projekt ky që nga 13 shkolla tashmë ka përfshirë 20 të tilla.
Znj.Subashi ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga Këshilli Bashkiak për kompensimin e paketës higjienike për gratë dhe vajzat e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, nga mosha 10 deri në 52 vjeç. Ajo ka siguruar se çdo pagesë që shkon për familjet në gjendje jo të mirë ekonomike, merret e plotë, pasi Bashkia e Tiranës mbulon komisionin e postës.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social e cilësoi si një veçoi nismën e bashkisë për ndërtimin e një ambienti relaksues për fëmijët me nevoja të veçanta në 10 shkolla të kryeqytetit.
Znj.Berta Piro theksoi se një tjetër projekt shumë i rëndësishëm është investimi që do të bëhet për hapjen e një qendre të spektrit autik në Tiranë. Ajo tha se nga viti i ardhshëm do të niset nga puna pë realizimin e kësaj qendre, e cila do të jetë ndoshta më e madhja në Ballkan.
Znj.Subashi u shpreh se përvoja e bashkëpunimit me organizata të ndryshme jofitimprurëse i ka shërbyer stafit të bashkisë për të ndërmarrë nismën e shërbimit në banesë për fëmijët me aftësi të veçanta, në njësitë administrative Krrabë, Zall Bastar, Dajt, etj,.
Lidhur me fondin social, ajo tha se në vitin e parë bashkia do të mbulojë 10% të tij, në vitin e dytë 30 për qind, kurse në vitin e tretë 70%.
Përfaqësuesja e DSA, Mirela Juka, ka sugjeruar që të shihet mundësia për rritjen e fondit social, në mënyrë që ai të shërbejë për subvencionimin e disa prej shpenzimeve të organizatave jofitimprurëse.
Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit Financiar sqaroi se hartimi i programit buxhetor bëhet në bazë të urdhëresës së Ministrisë së Financave. Sipas saj, nga viti i ardhshëm do të vendoset një sistem ku vetë bashkia do të mundet të bëjë një program mbi produktin.
Lidhur me sugjerimin e bërë nga ana e përfaqësueses së Doën Syndrome Albania, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social, tha se vitin e ardhshëm, do të ketë konsultime me ministrinë përgjegjëse, në mënyrë që të arrihet që të bëhet një licencim i organizatave jofitimprurëse për shërbimet që ato ofrojnë.
Kryetarja e komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale, znj.Blerina Doracaj pyeti nëse mund të funksionojnë marrëveshjet kuadër me organizatat jofitimprurëse, deri në kohën kur të finalizohet ndryshimi i legjislacionit.
Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit Financiar, znj.Berta Piro, u shpreh se nuk mund të funksionojnë as këto marrëveshje, pasi sipas ligjit të prokurimit, nuk mund të ketë kontrata mbi 1 vjeçare me këto organizata.
Në përfundim të takimit, dy përfaqësueset e Bashkisë Tiranë, kërkuan nga ana e përfaqësuesve të organizatave jofitimprurëse që të dërgojnë sugjerimet, komentet dhe propozimet e tyre, pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të shqyrtohen nga stafi përgjegjës në bashki dhe të shihen mundësitë për përmirësimin e tyre, apo edhe vënien në zbatim.
Konsultimi Publik - 12 Dhjetor 2024
