Text size
I ndërtuar nga e para, kopshti “Ylberi” në Tiranë mirëpret çdo ditë 180 vogëlushë nga Njësia 1. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e kryera në kopësht para përurimit të godinës këtë javë, e cila ka hapësira më të mëdha dhe mbulon kërkesat në rritje të prindërve për t’i çuar fëmijët në kopshte dhe çerdhe publike.“Kjo ishte një ndërtesë e vogël, sa një kuzhinë, ndaj morëm vendimin e drejtë për ta ribërë nga e para, për të zgjidhur problemet e tokës, për t’u zgjeruar më shumë, për të maksimizuar hapësirën, që ne përdorim për 180 vogëlushë”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë bëri një krahasim me gjendjen në të cilën ndodheshin objektet arsimore në Tiranë para 2015-ës dhe transformimin që kanë pësuar vitet e fundit.
“Në 2015-tën gjetëm një situatë skandaloze. Por, kur njeriu mobilizohet, skuadra punon, bashkëpunon, bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ne gjetëm 3 mijë fëmijë që merrnin shërbime në kushte skandaloze. Është po e njëjta Tiranë dhe sot kemi 17 mijë fëmijë, më shumë se 5-fishi. Ka shumë qytetarë që thonë: ‘O kryetar, po kur ka kaq shumë nevojë, shtoji akoma më shumë’. Çështja është t’i shtojmë, por duke rritur cilësinë”, tha ai.
Veliaj u shpreh se ka pasur rekord kërkesash për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike të kryeqytetit, por prioritet do të kenë familjet me ndihmë ekonomike. “Këtë vit kemi pasur rekord kërkesash për regjistrime. Ishte i njëjti qytet, me më pak çerdhe dhe kopshte, dhe kishte vetëm 3 mijë. Sot ka 17 mijë kërkesa dhe prapë nuk mjaftojnë sepse ka plot të tjerë. Dua të jem transparent dhe për t’i treguar qytetarëve si funksionon sistemi i meritës: fillimisht u jep prioritet atyre që janë me ndihmë ekonomike. Prioriteti i dytë i jepet familjeve me një prind. Mënyra se si regjistrimet listohen automatikisht në sistem janë sipas këtyre kritereve dhe pastaj, kriteri i tretë është rroga. Kush i ka rrogat e larta, i ka mundësitë edhe për në privat, pavarësisht se sot publiku është bërë shumë herë më mirë se private. Ky nuk është faji ynë, kjo është merita jonë. Patjetër që qyteti i shërben i të gjithëve, por fillimisht qyteti dhe unë si i majtë i shërbej atyre që janë më në nevojë”, tha Veliaj.
Referuar protestave të opozitës të Bashkia e Tiranës, ai tha se fitorja nuk vjen duke djegur goma, por duke ndërtuar shkolla. “Lajmi prapë i mirë është që me kopshte dhe çerdhe jemi sot dita me natën me ata që djegin goma dhe nuk u del e keqja nga humbja e thellë që pësuan. Duhet të kuptojmë se fitorja vjen me këto punë. Kush ka bërë çerdhe, kopshte, shkolla shpërblehet. Kush nuk ndërtoi asnjë shkollë apo nuk mbaroi as vetë shkollen e tij, më vjen keq, por njerëzit nuk janë budallenj”, tha Veliaj.