
Kosmos - Tirana Music Festival, ideuar nga Jonian Ilias Kadesha I Violin dhe mbështetur nga Bashkia Tiranë, u zhvillua për qytetarët e Tiranës në datat 17-20 Nëntor, 2022. Aktiviteti u zhvillua në tri salla të ndryshme: -Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse,- Në Sallën "Tonin Harapi" të Liceut "Jordan Misja" dhe në Hollin e Akademisë së Arteve. Titulli i festivalit është “Kosmos”, nga fjala e lashtë greke dhe ndërkombëtare me idenë e përfshirjes së botës që nga përmasat personale e deri tek universi.
Objekt kryesor i tij ishte organizimi i një festivali të muzikës së dhomës në Tiranë, me pjesëmarrjen e 12 artistëve shumë të njohur ndërkombëtarë .
Epiqendra e festivalit ishte artisti i mirënjohur Jonian Ilia Kadesha dhe të ftuar disa nga emrat më të njohur të brezit të ri të instrumentistëve ndërkombëtarë, siç janë janë : Nikolas Rimmer,Chiaroscuro Quartet, Pablo Hernan Benedeti,Trio Gaspard,Vashti Mimoza Hunter, Barnabas Kelemen, Timothey Ridout.
Risi e këtij festivali në këtë edicion të parë, ishte pjesëmarrja e artistëve të rinj si në moshë e në mentalitetin e punës ashtu edhe në frymën e trajtimin bashkëkohor të veprave.
Repertori i veprave ishte i një game të gjerë, që nga veprat e epokës baroke, klasike , romantike e bashkëkohore.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua në këtë festival të muzikës së dhomës, përfshirjes së veprave shqiptare si dhe trajtimit të tyre nën një këndvështrim të ri.
Gjatë këtij aktiviteti u zhvilluan gjithashtu master klasa me studentë të muzikës duke i dhënë mundësi atyre të marrin sa më shumë nga eksperienca e artistëve të huaj.
Ky është një projekt që ka si risi realizimin e një festivali më artistë ndërkombëtarë dhe artistë shqiptarë të rinj, festival i cili në llojin e vet zhvillohet në kryeqytetet më të mëdha europiane duke shkëmbyer art dhe kulturë mes vendesh . Është i vetmi i këtij lloji që mban një vulë shqiptare dhe ka vlerë të veçantë se organizohet për herë të parë në vitin e Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe me pjesëmarrjen e një grupi artistësh të rinj, shqiptarë e t huaj, të mirënjohur.





