Në datën 29 shtator 2022, maturantët e Shkollë së Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, u njohën në Akademinë e Studimeve Albanologjike me një vështrim mbi trashëgiminë e qytetit të Tiranës dhe rrethinave të tij, sipas prezantimit të studiueseve Afërdita Onuzi dhe Ermela Broci (Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit).
Trashëgimia kulturore e Tiranes dhe rrethinave të saj është një mozaik i pasur dhe i larmishëm i elementëve, shprehjeve dhe mjeshtërive kulturore. Ajo përfshin site natyrore, të ndërtuara dhe arkeologjike, muze e monumente, vepra arti, muzikore dhe të arteve pamore. Ato vinë te ne nëpërmjet gjurmëve e dëshmive autentike si dhe materialeve audiovizive. Prof. Onuzi e Dr.Broci trajtuan temat e nostalgjisë dhe kujtesës në kontekstin e trashëgimisë kulturore: si kujtohet mjedisi material, cilat janë vendet, objektet dhe mjeshtritë e përdorura si praktika që krijojnë traditë dhe kujtesë?
Takimi u organizua në kuadrin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe të programit të edukimit në vijim "Mbi Trashëgiminë Kulturore të Tiranës" që Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore ka iniciuar në marrëveshje me Akademinë e Studimeve Albanologjike.