Në datën 25 Nëntor 2022, në sallën e Bibliotekës së Akademisë së Studimeve Albanologjike, u organizua leksioni i hapur “Modernizimi i Tiranës Kryeqytet” nga Dr. Agron Mesi. Ky leksion është në vijim të Programit të Edukimit me çështje të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës dhe të rrethinave të saj që Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, ka organizuar përgjatë gjithë vitit 2022 në bashkëpunim me ASA.
Leksioni u fokusua kryesisht në arkitekturën e Tiranës dhe mori në trajtesë modernizimin urban të saj, që nga momenti i shpalljes si kryeqytet i vendit në vitin 1920, dhe deri në vitin 1990. Ky proces 70 vjeçar urbanizimi përfshin në kohështrirjen e tij tre periudha kohore dhe njëkohësisht tre ndërmarrje konceptuale e materializuese të rëndësishme:
Periudhën e viteve 1920-1930 dhe përpjekjet ambicioze të monarkisë së re shqiptare për ta transformuar këtë vendbanim tradicional pothuajse fshat në një kryeqytet të ri;
Periudhën e viteve 1931-1943 kur nën protektoriatin gjithnjë e më në rritje të Italisë Fashiste, Tirana rithemelohet duke u synuar të shndërrohet nga një qytet organik në një qytet të organizuar.
Periudhën e viteve 1945-1990, që njihet si periudha e sistemit të socializmit shtetëror, kur Tirana kryeqytet pothuajse fillon nga e para urbanizimin e saj, me operacione që synojnë modernizimin në shkallë të gjërë të territorit, por nën modelin ideologjik socialist dhe praktikën e modernizimit urban “të ndërtimit të të resë mbi gërmadhat e së vjetrës”, duke variuar që nga urbanizimi i planifikuar i zonave të lira dhe periferike, deri te ritrajtimi destruktiv urban i trashëgimisë së kaluar të qendrës së qytetit.
Leksioni u shoqërua me një prezantim të pasur me imazhe të Tiranës në vite dhe ngjalli mjaft interes te maturantët e gjimnazit "Arben Broci" që ishin të pranishëm.