Text size
Një takim kushtuar letërsisë ballkanike u zhvillua në datën 2 Maj 2024, në Bibliotekën Kombëtare, ku në qendër u soll botimi “Libri i Blamit”, i autorit të njohur serb Alkesandër Tishma, përkthyer së fundmi nga gazetari Ben Andoni. Promovimi i librit, u organizua nga Bashkia Tiranë dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të B40-ës, rrjetit të bashkëpunimit të bashkive të Ballkanit përgjatë 2024-ës.
Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së autorit, i ndarë nga jeta 20 vjet më parë.
Në takim, përveç përkthyesit ishte i ftuar një nga njohësit më të mirë të letërsisë ballkanike, Arian Leka. Auditori përbëhej nga nxënës e mësues të gjimnazit “Ismail Qemali”. Të pranishmit folën për librin, autorin dhe tendencat e letërsisë së Ballkanit.
Përkthyesi Ben Andoni u shpreh "se autori hebre-serb me shumë çmime ndërkombëtare, ka sjellë një shikim ndryshe të holokaustit. Për kritikën, e vetmja mënyrë për të vlerësuar me të vërtetë tmerrin e tragjedisë është ta fokusojmë atë nga e përgjithshmja në atë personale, nga ankthi i shumë njerëzve në agoninë e një individi. Kjo është qasja që Aleksandar Tishma sjell në “Librin e Blamit”, botuar fillimisht më 1972".
I vendosur në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, në qytetin e Novi Sadit, romani rrëfen dëshpërimin e Miroslav Blamit, i vetmi anëtar i familjes së tij që mbijetoi nga një masakër famëkeqe hungareze të hebrenjve dhe serbëve në brigjet e Danubit në 1942. Libri u kushtohet ngjarjeve të pasluftës dhe megjithëse Novi Sadi në dukje është kthyer në normalitet, Blami është i rrethuar nga fantazmat e atyre, që iu ka mbijetuar. Tishma nuk ofron as ngushëllim dhe as shpengim për protagonistin e tij.
Me “Librin e Blamit”, Tishma hap me guxim një kapitull të ri në tematikën e Holokaustit. Aleksandar Tishma ishte romancier, poet, por edhe dramaturg dhe përkthyes. Botimet e tij janë përkthyer në rreth 20 gjuhë. Për veprën e tij letrare mori çmime e mirënjohje të shumta brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë.
Ky takim u organizua në vijim të aktiviteteve që Sektori i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Tiranë, organizon për promovimin e librit dhe autorëve vendas e të huaj.