
"Luleborë" titullohej koncerti që u organizua për të nderuar një nga emrat më të njohur të kompozicionit dhe të dirigjimit shqiptar, artistin e mirënjohur, Simon Gjoni, "Artist i Merituar", me rastin e 100 - Vjetorit të lindjes. Koncerti Jubilar u organizua në Teatrin e Operës dhe Baletit në mbrëmjen e datës 26 Tetor.
Ky aktivitet erdhi si një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me familjen Gjoni dhe organizatën ''Albanian Excellence'', e cila ka një eksperiencë të gjatë në fushat e artit dhe të kulturës shqiptare. Simon Gjoni është një nga përfaqësuesit më të spikatur në muzikën shqiptare. Krijues i shumë veprave madhore instrumentale dhe vokale simfonike, i zhanreve nga më të ndryshmet dhe me një krijimtari të pasur me gjurmë të thellë në kulturën kombëtare. Ai ka mbetur në mendjen dhe zemrat e publikut shqiptar me një mori këngësh të bukura ndër të cilat spikat kënga lirike "Luleborë", me një sukses ndërkombëtar e kënduar nga artistët më të famshëm si dhe nga publiku shqiptar në të gjithë botën. Pikërisht për këtë Koncerti Jubilar në nder të artistit mori emrin e këngës së shpallur nga populli si himn i muzikës lirike shqiptare , “Luleborë”.
Ndërsa orkestra nisi hyrjen e këngës "Luleborë", në ekranin e madh në kornizën e kujtimeve u shfaqën pjesë nga emisioni i realizuar në vitin 1985 nga regjisori Pali Kuke me prezantuese Zerina Kuke. Dy breza muzikantësh e këngëtarësh, në video Simon Gjoni, Avni Mula, Maria Kraja, Pjetër Gaci, Jorgjie Truja, Xhoni Athanas, Mentor Xhemali, dhe në skenë këngëtarët interpretues të kësaj nate jubilare kënduan së bashku me publikun e ngrohtë “Luleborë-n” e mirënjohur, duke mbyllur mrekullisht këtë natë magjike, dedikuar kompozitorit dhe dirigjentit të mirënjohur, Simon Gjoni .
Ky Koncert Jubilar në kujtim të artistit Gjoni, shënon një nga eventet e serisë së aktiviteteve që Bashkia e Tiranë organizon në nder të personaliteteve të shquara të artit dhe kulturës kombëtare.




