Muzikali “Mamma Mia”, komedia muzikore e cila është bazuar në këngët më të njohura të grupit muzikor ABBA, me të cilat janë apasionuar breza të shumtë ndër vite, u shfaq në Tiranë në datat 25 dhe 26 Korrik 2023 në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës.
Kjo shfaqje artistike, e cila u mundësua me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, erdhi për spektatorin shqiptar me libret të përshtatur në shqip dhe me këngët origjinale në anglisht.
“Mamma Mia” është një shfaqje e cila ndërthur teatrin me muzikën në stilin: teatër muzikor dhe ndërtohet mbi 3 disiplina të artit, kërcimin, këndimin dhe aktrimin.
Ajo përmban numra të njëpasnjëshëm, larmi harmonike, ritmike, etj si dhe shfaq tipologji të ndryshme vokale të protagonistëve, përkatësisht me karakter teatral të tyre, të cilët intrepretojnë krejtësisht live.
Për publikun ky produksion i zhanrit muzikal live, është një risi dhe një përjetim artistik përmes të gjitha shqisave. Në qendër të komedisë muzikore është historia e Donës, një nënë beqare, që ka rritur një vajzë e vetme. Të gjithë sakrificat e saj për ta rritur dhe tashmë për ta martuar vajzën e saj Sofinë, ndërthuren me ftesën që Sofia i bën në dasmën e saj, pa dijeninë e së ëmës, tre kandidatëve të mundshëm, për të zbuluar kush nga këta është babai i saj biologjik. Sensibiliteti dhe humori i ngjarjeve, përcjellë me dialogë interesantë të sjellë në gjuhën shqipe dhe me numrat muzikorë të muzikalit origjinal, e mbajtën publikun pezull për dy net rresht.
"Mamma Mia" në këtë verë të ngrohtë Tirane, shënon një arritje të suksesshme që pasuron e gjallëron jetën artistike në Tiranë.