Text size
Marinela & Antonis Remos elektrizuan sallën e Pallatit të Kongreseve në mbrëmjen e 11 Prillit 2024 në Tiranë.Për tri orë me radhë ikona e këngës greke Marinella, së toku me këngëtarin e mirënjohur Antonis Remos interpretuan këngë nga më të njohurat e repertorit të tyre.
Marinela e madhe e cila rikthehet në Tiranë pas 40 vitesh, me 67 vjet karrierë artistike në skenë, mbetet diva e këngës greke!
Këngët solo dhe duetet e tyre u shoqëruan ngrohtë nga publiku që këndonte e duartrokiste gjatë gjithë kohës.
Gjatë koncertit Remos kërkoi ndjesë për lëndimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi në vitet e para të emigracionit.
Remos shpjegoi se e kupton mirë se ç’do të thotë të jesh emigrant e të rritesh si fëmijë emigrantësh në vend të huaj, duke rrëfyer historinë e tij si një fëmijë i lindur në Gjermani nga prindër grekë.
“Dua t’ju them pak fjalë që burojnë nga zemra ime. Në vitet 1995-96 unë hodha hapat e para në karrierën time si këngëtar. Në vitet 90’ filluat të vinit dhe ju në Greqi.
Kaluan shumë vite që atëherë, u rritët, krijuat familjet tuaja, fëmijë, u rritën edhe ata fëmijë. U rritëm dhe ne bashkë.
Ajo që dua të them nga zemra janë vetëm dy fjalë: Faleminderit shumë! Kërkoj falje! Faleminderit se ndihmuat vërtet Greqinë tonë, në momentet që kishte nevojë. Dhe një “Më fal” se Greqia disa herë ju lëndoi!
Kështu, thellë nga zemra ime, me shumë dashuri e respekt, ju shpreh vlerësimin tim. Sepse duke ardhur këtu, pashë një vend që tashmë ka hapur krahët e fluturon vërtet shumë lart në hapësirën qiellore, me kaq arritje e ndryshime të bukura. Unë pashë një qytet kaq të bukur, Tirana është vërtet një qytet mrekulli" – tha Remos duke gjetur mundësinë të vlerësonte e falenderonte këtu në veçanti Kyebashkiakun e Tiranës.
Kështu u mbyll një mbrëmje shumë e ngrohtë me muzikë greke në Pallatin e Kongreseve, që përveç emocioneve pozitive përcolli edhe aq mesazhe të fuqishme njerëzore për publikun mikpritës të Tiranës.