
Tirana ia ka dalë që në katër vite të shndërrohet në një qytet miqësor me fëmijët, duke i vendosur ata në qendër të politikave të Bashkisë së Tiranës. Ndaj për herë të parë, kryeqyteti u bë mikpritës i konferencës ndërkombëtare “Qytetet miqësore me fëmijët”, ku morën pjesë disa nga emrat më të njohur në botë në fushën e urbanistikës, përfaqësues të UNICEF-it dhe organizatave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi të gjithë ata që bënë të mundur organizimin e kësaj konference dhe u shpreh se Tirana është sot një nga qytetet që ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë, ku shumica e investimeve publike dizenjohen që në fillim duke marrë në konsideratë interesat më të mira të fëmijëve. “Sot kemi një qytet, i cili ka ndryshuar ndjeshëm. Është larg nga të qenit perfekt, por ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë nga çfarë e gjetëm më përpara. Sot të kesh korsi biçikletash apo të flasësh për autobusët elektrikë dhe taksitë elektrike është komplet ndryshe nga katër vite më përpara, kur diskutonim a do të heqim rrënojat dhe a do të mbledhim dot plehrat nga qyteti. Ndërkohë, shumë prej investimeve tona jemi përpjekur që t’i dizenjojmë që në fillim si të denja për fëmijët”, tha Veliaj.
Ai solli në vëmendje disa nga projektet kryesore të realizuara në Tiranë, që gjithashtu promovojnë qytetin miqësor me fëmijët dhe natyrën në përgjithësi, nga kthimi i hapësirave pedonale e deri te këndet e lojërave në çdo lagje, çka sipas tij kanë sjellë një mentalitet tjetër te fëmijët për të dashur qytetin dhe natyrën. “Ajo që është e rëndësishme është fakti se fëmijët kanë filluar të mendojnë që tani si funksionon pastrimi, gjelbërimi, kopshtet, shkollat, çerdhet. Jam shumë i lumtur sot që ia kemi mbërritur kësaj dite, ku fëmijët janë bërë epiqendër e jetës sonë publike. Njësoj siç në familjet tona i kemi sytë tek ata, ashtu edhe në qytetin tonë i kemi kthyer sytë tek fëmijët”, shtoi kryebashkiaku.
Veliaj solli në vëmendje një nga projektet ikonë për fëmijët, këndin e lojërave te Parku i Liqenit, i cili sipas tij u përball me kundërshtinë më të madhe të atyre që ishin mësuar të punonin për interesat e tyre personale dhe politike, dhe jo për më të vegjlit. “Thamë do të ndërtojmë këndin më të madh të lodrave dhe askush nuk mendoi histerinë që do të pasonte. As nuk e mendoja kurrë që Presidenti i Republikës, në një zonë pedonale, do të vinte të protestonte me gjithë eskortën e tij me makina, për të kundërshtuar këndin e lodrave. Më vonë u provua si një nga projektet më të suksesshme të qytetit dhe shërbeu si pikënisje për 44 kënde lodrash. Ajo që kemi kuptuar është se fëmijët jo vetëm mund të jenë epiqendra e mënyrës se si funksionon familja jonë, por mund të jenë epiqendra se si na përqendron ne të rriturve në vlerat që mund të ketë qyteti dhe komuniteti ynë”, u shpreh ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës vuri në dukje se falë punës së bërë, çerdhet dhe kopshtet publike kanë sot një cilësi më të mirë se edhe privatet, çka ka rritur ndjeshëm kërkesën e prindërve. Ndaj, ai u shpreh se mbetet një sfidë për mandatin e ardhshëm që të rritet edhe më tej numri i fëmijëve që akomodohen në çerdhet dhe kopshtet publike. “Kopshtet që gjetëm para 4 vitesh kishin një frekuentim 30%, kurse 70% e kopshtit ishte bosh. Ndërkohë, sot në kopshte kemi nga 9-10 aplikime për një vend. Kopshtet publike janë më të mira se privatet dhe kjo është betejë e fituar, por kemi një ofensivë nga prindërit, 10 kërkesa për 1 vend. Ndaj, kjo është sfida që duam të realizojmë në mandatin tjetër”, tha ai.
Veliaj theksoi se duke investuar te fëmijët, për herë të parë Bashkia e Tiranës në këto 4 vite nuk mendoi për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme. “Në fillim më thoshin, more ç’e keni këtë fiksim te kalamajtë, ata as nuk votojnë, as paguajnë taksa? Qartazi, arsyeja pse kemi kaq politikanë të dhunshëm është se shumë prej këtyre njerëzve kur kanë qenë fëmijë s’kanë pas fëmijëri dinjitoze dhe vijnë shumë idhnakë dhe shumë të dëshpëruar nga fëmijëria e tyre, e vazhdojnë tërë jetën me të njëjtin hidhërim dhe me të njëjtin helm që nuk mbaron; ky cikël dhune përsëritet në shoqërinë tonë. Argumenti ynë ishte vërtet fëmijët nuk paguajnë taksa dhe nuk votojnë, por ndoshta duke investuar tani te fëmijët, fillojmë për herë të parë të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme dhe të sigurohemi që ky cikël nuk përsëritet”, tha ai.
Falë këtyre politikave, Veliaj theksoi se fëmijët kanë qenë në këto katër vite edhe avokatët më të mirë të qytetit, duke iu bashkuar mjaft prej nismave sikurse ishte edhe ajo për mbjelljen e pemëve të reja, që synon të krijojë një mjedis më të shëndetshëm. “Nisma jonë për të përfshirë fëmijët në këto fushata mbjellje për ditëlindjet e tyre, për të kujtuar një gjysh ose një gjyshe, ka qenë ndoshta një nga gjërat më të bukura. Një fëmijë që mbjell një pemë dhe që jo vetëm metaforikisht, por fizikisht vë rrënjë në qytet, nuk do të këpusë kurrë një pemë, nuk do të dhunojë kurrë një shok, nuk do të hedhë kurrë plehra. Ky duhet të jetë ndoshta ndër të vetmet qytete në botë ku në vend që t’i themi fëmijëve mësoni nga të rriturit, i themi të rriturve mësoni nga fëmijët për sjelljen shembullore që ka në qytetin tonë”, deklaroi ai.
Veliaj bëri të ditur se puna e bërë këto 4 vite nuk do mbetet këtu, por do të vazhdojë me një intensitet edhe më të lartë gjatë mandatit tjetër. Për këtë, ai theksoi se projektet e realizuara në mënyra të veçuara do të masivizohen në 4 vitet e ardhshme për t’i dhënë qytetit më shumë hijeshi. Paralelisht puna pritet të vijojë në të gjitha njësitë administrative për të vijuar me serinë e parqeve, këndeve të lojërave, çerdheve, kopshteve etj. “Për të gjithë ju që jeni administratorë të njësive tona në Tiranë, shumë prej këtyre këndeve të lodrave janë krijuar nga bashkia qendrore. Mezi pres që mandatin tjetër ta merrni vetë këtë nismë, pra të mobilizoni njerëz në njësitë tuaja administrative. Sot Tirana ka 27 njësi, secila prej tyre mund të jetë denjësisht qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë; do të thotë që jo çdo gjë mund të vijë në mandatin e dytë vetëm nga qeveria qendrore”, tha ai.
Një tjetër sfidë për mandatin e ardhshëm mbetet edhe realizimi i projektit të ndërtimit të 17 shkollave të reja, çka do të sjellë jo vetëm uljen e popullimit dhe dhënien fund të mësimit me dy turne, por edhe do t’i shndërrojë ato në qendra komunitare ku fëmijët dhe të rinjtë mund të kalojnë kohën e lirë dhe të mësojnë sporte të ndryshme. “Kemi filluar me 17 shkollat e reja dhe i kemi trajtuar si hapësira jo vetëm ku dikush parkohet për 6 orë, por edhe në hapësira komunitare ku duam shumë që fëmijët të kalojnë dhe kohën e tyre të lirë, të mësojnë tenis, të luajnë volejboll dhe basketboll, xhudo, shah. Kemi ftuar disa nga arkitektët më të mirë në botë. Kjo tregon realisht që i trajtojnë si ndërtesat më të rëndësishme në komunitet dhe jo ndërtesat qeveritare apo ndërtesat politike”, nënvizoi Veliaj.
Gjithashtu, ai përmendi edhe një tjetër projekt që do t’i shërbejë të rinjve si një mundësi për t’u arsimuar dhe formuar me njohuritë që i përgjigjen kërkesave të kohës në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale. “Jam shumë i lumtur që qeveria, kryeministri, ministrja jonë e financave, bashkëfinancojnë transformimin e Piramidës, jo vetëm si shkollë alternative e teknologjisë së informacionit. Siç duam t’i japim fund tranzicionit dhe të shkojmë në zgjedhje në datë 30 qershor, po kështu duam t’i japim fund edhe kësaj gërmadhe që simbolizon këtë tranzicion dhe ta transformojmë në një qendër moderne të teknologjisë së informacionit për rreth 5 mijë fëmijë, ku mund të mësojnë dhe mund të zhvillojnë ato aftësi që, në fakt, shumë prej kompetitorëve të tyre në botë tashmë i kanë dhe kanë ecur përpara. Mezi pres që të fillojmë punën”, nënvizoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideroi një sfidë të veçantë edhe ngushtimin e diferencave që ekzistojnë ende mes trajtimit me investime mes fshatit dhe qytetit, për të krijuar një mjedis dhe mundësi të barabarta për fëmijët si në zonën urbane ashtu edhe atë rurale. “Një nga gjërat që do ta pranoj është se kemi një hendek midis Tiranës fshat dhe Tiranës qytet. Një nga gjërat që duhet të bëjmë mandatin tjetër është që ta ngushtojmë këtë hendek”, u shpreh Veliaj.
Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Danaj ftoi edhe bizneset që të përshtasin ambientet e tyre për të qenë sa më miqësore për fëmijët. “Ky është një partnership mes tre pjesëve që kontribuojnë në komunitet: Ministria e Financave, bashkia dhe vetë komuniteti. Është e rëndësishme çfarë ka bërë qeveria në këto vite në fusha të ndryshme, dhe do të përmendja decentralizimin. Është e rëndësishme që në këtë projekt decentralizimi të vendosim objektiva dhe të masim performancën. Në këtë konferencë do të mësojmë se cilat do të ishin kriteret për ta bërë qytetin edhe më miqësor me fëmijët. Do të ftoja bizneset të shihnin këtë qasje sot, dhe të shohin se çfarë mund të bëjnë që të kthejnë ambientet e tyre në sa më të përshtatshme për fëmijët”, tha Danaj.
Ndërkohë, përfaqësuesi i UNICEF-it në vendin tonë, Roberto De Bernandi, vlerësoi Bashkinë e Tiranës si një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm ku mund të mbështetet në realizimin e projekteve të përbashkëta për mirëqenien e fëmijëve, por jo vetëm. “Do e bëj me shumë kënaqësi dhe krenari si përfaqësues i UNICEF, dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe administratën e Bashkisë për organizimin e sotëm, por më shumë rëndësi se kaq, gjithë stafin e saj për mirëmenaxhimin e mirë në lidhje me mirëqenien e fëmijëve dhe me interesin e fëmijëve. Faleminderit që UNICEF-i mund të mbështetet në një partner kaq të rëndësishëm”, tha ai.