
Në 21 shtator familja Belegu nga Petrela mbeti pa shtëpi, për shkak të tërmetit. Pak ditë më pas, kryebashkiaku Erion Veliaj u premtoi se Krishtlindjen dhe Vitin e Ri do ta festonin në një shtëpi të re. Sot Kryeministri Edi Rama dhe kryetari Veliaj i dorëzuan çelësat e banesës së re kryefamiljarit Xhevdet Belegu.
Xhevdeti, i cili vuan edhe nga probleme shëndetësore, për shkak të vështirësive ekonomike nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se shtëpia e shkatërruar plotësisht, do të mund të rindërtohej në kaq pak kohë. Por, lotët e hidhërimit të asaj dite sot u kthyen në lot gëzimi, kur tre fëmijët e tij të vegjël kanë jo vetëm një banesë të re, por edhe të rriten e të mësojnë në kushte më të mira.
Bashkia e Tiranës dhe një nga kompanitë që iu përgjigjën në kohë rekord thirrjes për të adoptuar një banesë nga shtëpitë e shkatërruara nga tërmeti i 21 shtatorit, filloi rindërtimin e saj, ndërkohë që është menduar edhe për mobilimin e plotë. Kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjitha banesat e reja do të plotësojnë standardet. Shtëpia e tyre e re 3+1, plotëson më së miri të gjitha nevojat për strehim të familjes Belegu.