Programi Rajonal për Demokracinë Vendorë në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), është një iniciativë rajonale e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët. Gjatë 2 viteve të para 2018-2019 ky program është bashkë financuar nga Bashkimi Evropian dhe Bashkia Tiranë dhe është koordinuar nga Programi për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (PNUD). Skema e granteve të programit ka shërbyer dhe to të vazhdojë të shërbejë për mbështetjen e OJF-ve të cilat ofrojnë shërbime në përputhje me prioritetet e Bashkisë Tiranë.
Tashmë Bashkia Tiranë po përgatitet për të hapur thirrjen e tretë për këtë program i cili këtë vit do të menaxhohet tërësisht nga bashkia nën mbikëqyrjen e afërt të PNUD.
Në këtë kuadër, do të organizohet më datë 20.02.2020 në orën 10.00 në sallën e Këshillit Bashkiak Tiranë takimi konsultativ me OJF-të që operojnë në Tiranë i cili do të fokusohet në 2 çështje kryesore të cilat janë:
I) Caktimi i tre prioriteteve finale për thirrjen e tretë, dhe
II) Përzgjedhja e 3 anëtarëve të OJF-ve pjesëmarrëse në takim të cilët do të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit të projekteve fituese.
Prioritetet e Bashkisë Tiranë për të cilat do diskutojmë bashkërisht janë si më poshtë:
Prioritet 1 – Aktivizimi dhe Fuqizimi i Rinisë:
Nën prioriteti 1.1: Organizimi dhe fuqizimi i zërit të të rinjve për çështjet lokale, kulturore dhe mjedisore.
Nën prioriteti 1.2: Aktivizimi i të rinjve në luftë kundër dhunës dhe bullizmit dhe shëndetin mendor të të rinjve;
Nën prioriteti 1.3: Nxitja e punësimit të të rinjve dhe mbështetje për ide inovatore biznesi.
Prioritet 2 - Zhvillimi Social:
Nën prioriteti 2.1: Mbështetje për bizneset sociale;
Nën prioriteti 2.2: Nxitja e punësimit të grave, personave me aftësi të kufizuar dhe grupeve të tjera margjinalizuara.
Prioritet 3 - Mbrojtja e Mjedisit
Nën prioriteti 3.1: Përmirësimi i cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës
Nën prioriteti 3.2. Zbutja e efekteve dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike
Prioritet 4 – Menaxhimi i Emergjencave Civile:
Nën prioriteti 4.1: Rritja e gatishmërisë dhe kapaciteteve të qytetarëve dhe vullnetarëve në përgatitjen, koordinimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile
Nën prioriteti 4.2: Përmirësimi i koordinimit ndërinstitucional të strukturave të emergjencave civile
Nën prioriteti 4.3: Përmirësimi i reagimit dhe menaxhimit të panikut nga komuniteti i brishtë (Kopshtet, Çerdhet, Shkollat, Qendrat Sociale, etj.)
Prioritet 5 – Nxitja e inovacionit, aplikacioneve dhe teknologjisë kreative:
Nën prioriteti 5.1: Mbështetje për punësimin e të rinjve në fushën e teknologjisë kreative;
Nën prioriteti 5.2: Mbështetje për nxitjen e ekonomisë kreative dhe aplikacioneve që ndihmojnë në zhvillimin e turizmit artit dhe kulturës.
Nga ana e Bashkisë Tiranë do të ketë gjithashtu një prezantim të shkurtër të programit ReLoad dhe aktiviteteve kryesore të tij gjatë këtyre viteve.
Për konfirmimin e pjesëmarrjes tuaj apo për çdo pyetje sqaruese mund t’i shkruani personit të kontaktit, Anxhela Doku në adresën [email protected]
Faleminderit dhe ju mirëpresim në këtë takim.