Bashkia e Tiranës do të financojë ngritjen e një Memoriali Kombëtar për të gjithë viktimat e ish regjimit komunist. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori sot pjesë në tryezën e rrumbullakët e organizuar nga Instituti i të Përndjekurve Politikë me temë: “Së bashku për ndërtimin e Memorialit Kombëtar në nder dhe respekt të viktimave të ish diktaturës komuniste në Shqipëri”, ku edhe konfirmoi vullnetin e bashkisë për të kontribuar në mënyrë direkte në ndërtimin e këtij memoriali.
“Ne jemi borxhlinj ndaj viktimave dhe ndaj trashëgimtarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e secilit prej tyre dhe të afërmve të tyre. Çdo vonesë në këtë trajtim, siç e kanë përjetuar shumë vende që zgjodhën një qasje tjetër, përfshirë dhe Shqipëria deri më sot, sjell një kosto të lartë për gjithë shoqërinë. Ndaj unë sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e mirëpres, e mezipres dhe do ta bashkëfinancoj një projekt të tillë për qytetin e Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai theksoi se ruajtja e kujtesës historike përbën një sfidë me të cilën duhet të përballet sot shqoëria shqiptare në mënyrë që rinia shqiptare të njohë krimet e komunizmit dhe sakrificat e të gjithë atyre që dhanë jetën dhe lirinë e tyre për një Shqipëri më të mirë.
“Si shpjegohet që në një vend ku është folur aq shumë për antikomunizmin e ku janë ngritur buste për sa e sa personazhe herë kontroversë e herë anonimë, nuk është gjetur deri më sot mundësia për të bërë atë që duhet të ishte gjëja më elementare: ngritja e një monumenti, një objekti fizik që të simbolizojë vuajtjet dhe respektin për të përndjekurit? Flas sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës ku vetëm vitin e fundit kam zbuluar që një pjesë e madhe e rrugëve në Tiranë i dedikohen njerëzve që janë absolutisht anonimë, pa asnjë kontribut, vetëm me njohje personale, që kanë arritur të trajtojnë si qokë emërtesat tona publike”, tha Veliaj, në fjalën e tij.