Largimi i shirave dhe ngrohja e motit i ka dhënë mundësi Bashkisë së Tiranës që të nisë një sërë investimesh në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prag të 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, falenderoi të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve që kujdesen për qytetin dhe theksoi se bashkia ka hyrë në stinën e investimeve. Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për hapjen e disa kantiereve të punës, kryebashkiaku shtoi se krahas punimeve në çdo lagje, do të fillojnë një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, që do të sjellin një cilësi më të mirë jete për qytetarët dhe lehtësimin e lëvizjes së mjeteve në qytet.
“U kërkoj qytetarëve mirëkuptim që jemi lëshuar në gjithë qytetin për të shtruar asfalt dhe vijëzuar rrugët. Duam të shfrytëzojmë kohën me diell, sidomos gjatë pushimeve të verës kur qyteti zbrazet, për t’i çuar punët deri në fund”, lajmëroi Veliaj. Ai njoftoi se shumë shpejt do të fillojë rruga e re nga Shkolla Teknologjie në Kombinat, njësoj si hyrja tjetër e Tiranës me Rr. “Dritan Hoxha.
Ai bëri të ditur se një sërë ndërhyrjesh dhe investimesh të rëndësishme do të ndodhin në zonën e Astirit, Kasharit, Yzberishtit, Yrshek, zona e Freskut etj. “Shumë shpejt do të fillojmë ndërhyrjet në zonën e Astirit, të Kasharit, Yzbersishtit, Yrshekut, një zonë e lënë pas dore, e ç’organizuar nga ish-komuna që jepte leje vetëm për pallate, pa lënë vend për kopshte, shkolla, çerdhe apo kënde lodrash. Me këtë sinjalizojmë një fillim ndërhyrjesh në të gjithë zonat e periferisë, siç mund të jetë Fresku apo Liqeni i Thatë. Po këtë vit fillojmë një rehabilitim total të Unazës së Tretë të qytetit, që është unaza klasike, me vijëzime dhe sinjalistikë”, siguroi Veliaj.
Duke u ndalur te infrastruktura arsimore në qytet, kryetari i bashkisë theksoi se do të vijojë puna për ndërtimin e shkollave të reja, si dhe hapja e palestrave ekzistuese për qytetarët pas orarit të mësimit. “Sot jemi në një situatë komplet tjetër, jo vetëm që kemi sjellë nën kontroll infrastrukturën në kopshte e në çerdhe, tani po vazhdojmë me të njëjtën valë në shkolla. Fati i mirë është që deri në fund të këtij viti do të ketë mbaruar së ndërtuari shkolla “Kosova”, e cila do të jetë një shpëtim për një pjesë të madhe të banorëve të njësisë 2, që e bëjnë mësimin me dy turne tek “Osman Mylerizi” dhe “Liceu Artistik”. Shkollën “Kosova” e rindërtuam për të dhënë një mesazh se nuk digjet kurrë shkolla për të bërë pallate. Kjo është arsyeja pse shkolla e re nuk është vetëm një vend për të sistemuar 600, 800 apo 1000 nxënës, por edhe një simbol i mentalitetit të ri që sot menaxhon qytetin”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se falë punës së përditshme të ndërmarrjeve bashkiake, por edhe punës së bërë me qytetarët, sot Tirana është një nga qytet më të pastra në Europën Juglindore. “Ka ardhur koha që ta ndryshojmë pak situatën. Tirana sigurisht është më pastër, por do të na duhet që përveçse të pastrojmë, edhe të ndërgjegjësojmë. Në disa herë ndërgjegjësimin e kemi bërë me gjobë dhe nuk do të hezitojmë. Nëse një lokal, i cili ka një xhiro të caktuar, përton të kalojë rrugën për të hedhur mbetjet në kosh, sigurisht që do ta identifikojmë dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, tha ai.
Sipas tij, sot kryeqyteti është shumë herë më i pastër nga ç’e gjetëm në 2015-ën, por ka ende punë për të bërë, sidomos në mentalitetin e shoqërisë për të mos nxjerrë gjithçka në rrugë. Ai tha se çdo ditë, punonjësve të bashkisë u duhet një sforco e madhe për të mbajtur Tiranën pastër dhe për të vendosur rregull në rrugët e qytetit, të cilat shpesh zihen nga tregtarët e fruta-perimeve.
“Çdo ditë ndërmarrjes sonë të pastrimit i duhet të pastrojë trotuaret e të lirojë rrugët. E di që ka njerëz që me të drejtë thonë: po unë ku do shes? Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka mbi 22 tregje ku mund të shiten fruta-perimet, por ama duhet ta ndajmë: hyrjet e pallateve janë për të banuar, rruga dhe trotuari për të ecur, parku është për të pushuar dhe luajtur, kurse tregu është për të shitur. Nëse ndonjëri nga ju më tregon ndonjë qytet në botë i cili ka lulëzuar dhe pasuruar nga njerëzit që shesin përtokë, ma thoni dhe eja ta bëjmë Tiranën ashtu!”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Ai shtoi se nëse e duam Tiranën si kryeqytetet e Evropës, duhet që trotuaret të jenë të lira, që nënat me karrocë të kalojnë lirshëm. “Ambicja jonë nuk është ta bëjmë Tiranën si Kalkuta, me njerëz të shtrirë përtokë. Nëse e duam si BE, do ta bëjmë si në Evropë dhe nuk ka nevojë fare për histeri, për sa kohë që Bashkia ka tregje dhe do të duhet t’i mbajmë trotuaret e lira, që nënat apo gjyshet me karrocë fëmijësh të kalojnë lirisht, që si në çdo qytet evropian t’i ndajmë hapësirat”, tha Veliaj.
Mandej, kryebashkiaku shtoi se sfida më e madhe e këtij problemi është mentaliteti sepse tregjet për tregti ekzistojnë në gjithë Tiranën. “Edhe në kohën e Zogut kishim të njëjtat probleme, njerëz që shisnin përtokë, hanin përtokë, pështynin përtokë. Por, fakti që 90% e Tiranës e ka pranuar civilizimin, përtej histerisë, do të thotë që edhe ky 10% i vogël që na ka mbetur në këto zonat periferike, do të duhet ta pranojnë si pakti që kemi bërë me njeri-tjetrin, që qytetit të mos i bjerë vlera, që rrugët dhe infrastrukutra të mos degjenerojnë, që të mos dukemi si Kabuli apo Kalkuta, por të dukemi realisht si kartolina europiane e Republikës së Shqipërisë, që aspiron nesër të jetë një vend me të drejta të plota në BE”, nënvizoi Veliaj.
Më tej, ai u ndal edhe te ndriçimi, duke theksuar se rrugët e Tiranës sot janë 85% të ndriçuara, ndërsa u shpreh i vendosur që të mbajë premtimin e dhënë për të ndriçuar çdo segment të kryeqytetit. “Më vjen mirë që sot e kemi nxjerrë Tiranën nga terri. Mbaj mend ditët e para, mezi gjenim një poç të ndezur, kurse sot është sfidë të gjesh një poç të fikur. Sot kemi kaluar në një Tiranë nga 30% e ndriçuar, në 85% e ndriçuar. është një histori suksesi dhe mezi pres që deri në fund të këtij mandati të kemi mbajtur premtimin për një Tiranë cep më cep të ndriçuar, edhe në rrugicën më të vogël”, tha kryebashkiaku.
Veliaj falenderoi të gjithë punonjësit e DPN 1, DPN 2 dhe DPN 3 për çdo kontribut që kanë dhënë për transformimin e infrastrukturës në këto 3 vite, duke i dhënë Tiranës imazhin e një qyteti europian. Në shenjë mirënjohje për punën e palodhur për t’u kujdesur për qytetin, kryebashkiaku shpërndau edhe disa certifikata mirënjohjeje për disa nga punonjësit e ndërmarrjeve.